Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Eduard A. Skufi: Kur drita e syrit takon dritën e shpirtit

…Në atë çast, nga thellësia e errësirës dhe e heshtjes, u dëgjua si rënkim, një zë i mekur, gati i tretur mes mureve, që kërkonte ndihmë, u ngrit si një fije e fundit shprese: – O Zot, më mëshiro… Pak dritë… pak dritë, të lutem. Vetëm pak dritë në  këtë natë skëterrë…Pastaj, në heshtjen që pasoi, dorë e saj e  dridhur, nisi  të  trokiste  ngadalë  mbi  dysheme. Një  trokitje  e dobët, e çrregullt, si  aritmia e  një zemre të lodhur nga dhimbja; si një lutje e fundit, që ende shpresonte të dëgjohej. Por errësira nuk përgjigjej. Dhe trokitja vazhdonte…

Nga dera e apartamentit, që ishte gjysmë e hapur, u futëm ngadalë me Asllanin, nipin e saj, ndihmësmjek. Por, sapo kaluam pragun, u gjendëm  përballë  asaj  skene  të  trishtë. Ajo  një plakë rreth të nëntëdhjetave, e dobët, e kërrusur, si një degë e tharë nga dimri i gjatë i kohës, e rrëzuar përtokë, përpiqej me të gjitha forcat të ngrihej.— Nënë! thirri ai, sapo e pa, dhe menjëherë u përkul për ta ndihmuar. Unë lashë çantën në dysheme dhe e kapa nga shpatullat, duke u përpjekur ta ngrinim së bashku.— Oh, të keqen, o Asllan! Zoti të pruri! tha plaka e gjorë, e tronditur. Përpëliste sytë, sikur kërkonte  mes  errësirës,  një  grimë  drite.— Kam ardhur, dhe kam sjellë me vete atë, që doje të të vizitonte, doktorin e syve, doktor Edin…Iu afrova. E përkëdhela lehtë mbi flokë dhe u përpoqa ta përqafoja. Mbi vetull i rridhte një rrëke e hollë gjaku, ku zbehja e fytyrës e bënte më të dukshme. Kishte rënë dhe  ishte dëmtuar. Filluam menjëherë ta mjekonim, duke e qetësuar me fjalë të ngrohta. — Më fal, doktor, që të prita kështu…tha e  shkreta  plakë, me një zë  të drobitur. Ndëkaq u kthye në shtëpi edhe nusja e saj, e cila kishte dalë për të bërë psonisjet. Ajo mbeti e shtangur kur  pa  të moshuarën  në  atë  gjëndje. Për disa çaste, në atë dhomë të heshtur, gjithçka dukej e ngrirë: plaka e tronditur,  ajo pamje e dhimbshme e një njeriu të moshuar, që përpiqej të gjente pak dritë në errësirën që e  rrethonte, shqetësimi i nuses dhe  Asllanit, por dhe unë  tepër i prekur. Ajo skenë më tronditi më shumë se çdo fjalë. E kuptoja gjëndjen e saj, jo vetëm fizike por dhe psikologjike, të mbështjellur nga errësira, që tashmë ishte bërë pjesë e jetës së saj. Për të bota, ishte një errësirë, nuk kishte më ngjyra, as melodi, vetem zëra, një dorë, një prekje dhe mendime mes kujtimesh. Ndërsa rrinim të heshtur dhe shikonim njeri tjetrin, Asllani nisi të flasë: Megjithëse ditë dimri, e me kohë të keqe, shkova në poliklinikë dhe mbasi doktori mbaroi vizitat, ju luta të vinte të vizitonte në shtëpinë tuaj, Nënë Zonjën, kështu quhet,vazhdoi më zë më të ulët, dhe u përballëm me këtë skenë. Një moment i keq, brenda pak sekondash, që vijnë pa zhurmë mund të ndryshojnë gjithçka në jetë. I kam thënë të mos lëvizi pa ndihmën tonë, por nganjëherë nuk dëgjon, ndërhyri nusja e shtëpisë. Nëna Zonja qëndronte e strukur pranë meje, me kokën të përulur dhe gishtat që përkëdhelnin butësisht shaminë e dorës. Por sytë i kishte akoma mes lotësh, midis dhimbjes që shihej dhe asaj që mbetej e fshehur në shpirt. Në fytyrën e saj lexohej një ankth i heshtur, një pasiguri e thellë, e përzier me një emocion të brishtë, që mezi e mbante brenda vetes. Duke ndjerë drithërimën e saj, i mbështeta dorën lehtë mbi sup dhe, me një ton të ngrohtë e miqësor, i thashë se, a ishte gati ta vizitoja për sytë. Gjatë vizitës mjekësore, konstatova se treguesit ishin pozitivë dhe se ekzistonte mundësia, për të sjellë dritën përsëri në sytë e saj. Por katarakti që kishte mbuluar shikimin, ishte si shkëmb i thepisur, një ajsberg i heshtur. Nuk dihej çfarë fshihej pas tij, as sa e gjatë do të ishte  rruga drejt dritës. Megjithatë, gjatë asaj vizite, ajo që më mbeti më shumë në kujtesë, nuk ishte vetëm ajo që pashë në sytë e saj, por mirësia dhe ngrohtësia që buronte prej saj. Ishte një ngrohtësi që nuk kishte nevojë për dritë, për t’u ndjerë. Kur po përfundoja vizitën, ajo më befasoi me tregimin e saj…Më tregoi për një të verbër që jetonte në një fshat. Disa e ironizonin, sepse ai nuk mund të shihte. Por ajo që ata nuk kuptonin ishte se, ndonëse i mungonte drita e syve, ai kishte një ndjesi të rrallë, një intuitë që dukej sikur i tregonte rrugët, aty ku sytë nuk mundeshin: Papritur një ditë, një vogëlushe humbi në pyllin pranë fshatit.U nisën të gjithë ta kërkonin. Kërkuan gjatë, thirrën emrin e saj, hynë thellë mes pemëve, por askush nuk po e gjente. Kur i verbëri dëgjoi çfarë kishte ndodhur, u nis drejt pyllit. Bënte disa hapa… pastaj ndalonte.Dëgjonte.Ndiqte drejtimin e erës, fëshfërimën e gjetheve, tingujt e largët të pyllit.Ndonjëherë qëndronte gjatë në heshtje, sikur po përpiqej të dëgjonte diçka, që të tjerët nuk mund ta dëgjonin. Dhe, i udhëhequr nga ajo ndjesi e pazakontë, iu afrua një përroi. Atje, pranë ujit, dëgjoi të qara, gjeti vogëlushen. E mori  për dore dhe u kthyen në fshat.Të gjithë e pritën me gëzim duke     e përgëzuar. Ata që dikur e ironizonin, qysh atë  ditë e shikonin  me respekt. Ai vetëm u buzëqeshte. Mandej duke u menduar, u tha: “Për të parë rrugën, nganjëherë nuk na mjafton vetëm drita e syve. Na duhet sigurisht edhe drita e zemrës dhe e shpirtit”… Ndoshta, në atë çast, kuptova se ajo që kisha përballë nuk ishte thjesht një paciente, që kërkonte të rifitonte shikimin. Ishte një njeri që, edhe përmes errësirës së syve, më kujtoi një të vërtetë të thjeshtë, por filozofike: Ka njerëz që shohin me sy, por nuk e gjejnë rrugën. Dhe ka të tjerë që, edhe pa parë, ecin të sigurt, sepse udhëhiqen nga drita, që mbajnë brenda vetes. Ndoshta drita më e madhe nuk është ajo që bie mbi botën përpara nesh, por ajo që ndizet brenda  nesh, e na  mëson të mos  humbasim kurrë rrugën. Ndërkohë, nga puna u kthye i biri, Guriu, dhe pas tij, të gëzuar erdhën nga shkolla Luli, Beta e Nida. Shtëpia u mbush menjëherë me hare, me të qeshura fëmijësh, me zëra e me atë dritën e ngrohtë që vetëm fëmijët dinë ta sjellin. Por, sapo pa të ëmën me garzën mbi vetull, Guriu mbeti për një çast i shtangur. Fëmijët, si dallëndyshe të vogla, e rrethuan Nënë Zonjën dhe nisën ta përqafonin, sikur me duart e tyre të njoma të donin t’i largonin çdo dhimbje.                                                                                                    

Pasi i treguam ç’kishte ndodhur, Guriu heshti pak dhe pastaj nisi të rrëfente. Nënë Zonja kishte qenë disa muaj më parë në Messinë të Italisë, tek e bija, Refija, e cila jetonte atje. Gjatë atij udhëtimi kishte bërë edhe një vizitë te okulisti, për të parë nëse, ekzistonte mundësia e  një ndërhyrjeje,  që do  t’i kthente  dritën  e syve. Por shpresa kishte mbetur pezull. Mjekët italianë nuk kishin mundur t’ia garantonin operacionin, pasi pak kohë më parë ajo kishte kaluar një episod ishemik cerebral. Kështu, një tjetër ëndërr e saj ishte venitur  ngadalë, pa zhurmë, si një dritë që papritmas shuhet.                                                                                                      -Ky është një fakt i rëndësishëm, sugjerova unë. Duhet ta shqyrtojnë specialistët kompetentë, përkatës. Ndoshta këtu, ka ende diçka për t’u bërë… Nënë Zonja, si gjithmonë, nuk e la dhimbjen të zgjaste shumë. E priti fjalën time, me atë humorin e saj të hollë, që dintet’i kthente edhe zhgënjimet në një buzëqeshje: “Vajta si turiste për sytë, takova vajzën por nuk e pashë, tha ajo me një të qeshur të lehtë, por ndjeva vetëm  aromën e tyre! Shakatë dhe skercat, përveç picave e llojeve të makaronave, nuk shijova gjë tjetër! Dhe përfundoi duke qeshur. Qeshi me atë të qeshurën  e  saj të  veçantë, sikur donte t’i tregonte  edhe  errësirës, se ajo ende kishte mjaft dritë brenda vetes.                                                                                                               

Pak ditë më pas organizuam një konsultë, ku morën pjesë kardiologu dhe neurologu. Pas një vlerësimi të kujdesshëm, ramë dakord se ndërhyrja në sy mund të kryhej, por vetëm pasi pacientja t’i nënshtrohej për disa javë një trajtimi mjekësor, që do ta përgatiste për operacionin. Dhe kështu erdhi  një ditë  e bukur, me  romantikën e shtatorit  të vitit 1982. Me nismën time, Nënë Zonja iu nënshtrua ndërhyrjes, për heqjen e kataraktit në njërin sy. Ishte një ditë e mbushur me emocion, pritje dhe një shpresë të heshtur. Në tryezën e operacionit nuk kisha përpara, thjesht një paciente. Përballë meje ishte një zonjë, që kishte mbartur në heshtje shumë nga peshat e jetës, por që përtej errësirës së syve, ruante  brenda vetes, një dritë të veçantë. Ajo dritë i buronte nga modestia, urtësia dhe një fisnikërie të natyrshme, që nuk kishte nevojë të shpallej. Ishte nga ato prani njerëzore, që  nuk  bëjnë  zhurmë, por mbeten  gjatë  në  kujtesë…Atë ditë, mes qetësisë së sallës së operacionit dhe përqëndrimit tim përtej atij profesional, ndjeva se po prekja jo vetëm një sy të pamundur, por edhe një shpresë të madhe njerëzore: dëshirën për të parë përsëri dritën. Dhe Nënë Zonja, me thjeshtësinë dhe urtësinë e saj, skaliti përgjithmonë në kujtesën time, një portret mëse të admirueshëm, portretin e një gruaje që, edhe kur jeta ia kishte zbehur dritën e jashtme, kishte ditur ta ruante të pashuar dritën  brenda saj. Interventi përfundoi me sukses dhe, bashkë me shikimin, në sytë e saj u kthye edhe drita. Por ajo dritë nuk mbeti vetëm në sytë e saj, ajo sikur zbriti thellë në zemër dhe e mbushi me një gëzim të papërshkrueshëm. Kur i vendosa syzet që ia kisha bërë dhuratë, fytyra iu përndriçua. Një buzëqeshje e brishtë, e përzier me habi dhe lumturi, i pushtoi portretin. U përkul e më puthi dorën, duke ma mbajtur të mbështetur në fytyrën e saj. Pastaj erdhën lotët… lotët e atij emocioni të pastër që nuk kërkon fjalë, flisnin vetë. Ishin lot që nuk tregonin dhimbje, por një jetë që po rizbulonte dritën. Nuk di se a mund  ta përshkruash atë çast. Nuk di ta vendos në fjalë, atë tablo të mrekullueshme, kur ajo pa për herë të parë qartë dhe kuptoi se bota, pas një kohe të gjatë errësire, po i shpalosej përsëri përpara syve. Në atë moment, kuptova se ndonjëherë, një dhuratë nuk është thjesht  një copëz drite, por një shpresë, një buzëqeshje. Një jetë që merr përsëri ngjyrat e saj. Dhe ajo dritë në sytë e saj…do të mbetet gjatë në kujtesën time, mbase sepse ishin vitet e para të  asaj  karriere, e cila të mbush me emocione, që vetëm humanizmi  i shpërthen…

Kështu u bëmë miq, veja e shikoja, vinte të më shikonte. Më puthte në ballë dhe më mbushte me kënaqësi, kur me vinte në dorë dy portokalle, apo dy mandarina. Kur ngrihej papërtuar e plot humor, e më bënte kafenë, që e pinim sëbashku, shoqëruar me glikon e saj, e fjalë mirënjohjeje.Kaluan disa muaj, derisa një ditë Nënë Zonja më dha lajmin që e priste me gjithë zemër: vajza e saj, Refia, do të vinte nga Messina për ta parë. Gëzimi i Nënë Zonjës nuk mund të përshkruhej me fjalë. Fytyra iu ndriçua, sytë i morën një shkëlqim të veçantë dhe dukej sikur, nga hareja, gati sa nuk fluturonte. Ardhja e Refies e ndryshoi edhe më shumë Nënë Zonjën. Në shtëpi  u derdh një tjetër dritë, një gjallëri e re, sikur pas një pritjeje të  gjatë, të  ishte  hapur  papritur  një  dritare  e re. Takimi im me Refien ishte i përzemërt dhe tejet miqësor. Ajo më falënderoi me shumë respekt dhe mirënjohje. Pastaj, si për ta ruajtur atë çast përtej kohës, na bëri një fotografi me ngjyra, foto të cilën e kam vendosur ndër këto kujtime. Në ato vite, fotografitë tona ishin ende bardh e zi; ndaj ajo fotografi e pazakontë, me ngjyra, më duket edhe  sot si  një copëz e gjallë  e  asaj  dite. Pastaj, duke iu drejtuar  Refies, Nënë Zonja i tha si me shaka: Ata të tutë shumë parla, parla. Doktori im këtu, e nxori gomarin nga balta! Për një çast, heshtëm të gjithë, pastaj shpërthyem në të qeshura. E qeshura dhe hareja mbushi dhomën dhe u përhap si një ndjenjë e ngrohtë. Kështu ishte Nënë Zonja: një grua që dinte të merrte e të jepte dritë, la gjurmën e saj tek ne, jo vetëm me fjalët, me humorin dhe me mënyrën e saj të veçantë të të qenit, por edhe me atë figurë të paharrueshme, interesante e plot jetë, që mbeti gjatë në kujtesën time. Dhe sot, kur e sjell ndër mend, më duket sikur dritë e  saj, ende  nuk  është  shuar.

                                                *   *    *

…Dhe kur fjalët më në fund heshtën, mbeti ajo; Nënë Zonja me dritën në sy. Në sytë e saj kishte një dritë që nuk vinte nga dielli, por nga thellësia e një shpirti, që kishte ditur të jepte,
të falte e të qëndronte edhe atëherë kur nata dukej e pafund.Ajo nuk ecte vetëm mes dritës;ajo e mbante dritën brenda vetes,ku  drita e syrit takonte dritën e shpirtit.Sepse disa njerëz nuk kalojnë thjesht në jetën tonë, ata lënë pas një agim…E nëse një ditë rruga na ndau, nëse koha do t’i zbehë gjurmët dhe kujtimet do të trokasin më ngadalë, unë do ta ndjej se diku, në një qoshe të përjetshme të zemrës, do të jetë ende ajo dritë. Drita e saj…dhe ndoshta ky është adhurimi më i bukur: kur dikë nuk e ke më pranë, ta ndiesh gjithmonë brenda vetes. Sepse disa njerëz bëhen kujtim, disa bëhen mall. Por ajo…ajo u bë dritë. Dhe ajo dritë, edhe kur të mbyllen sytë, shkëlqen e nuk shuhet…