Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: NEFIZE HOXHA – MODELI I MËSUESIT TË RI
(Mirënjohje për mësuesit që na dhanë dritën e dijes dhe të jetës)
Na edukuan me sjelljen e tyre…
Në klasën e dytë të shkollës 7-vjeçare “Sadik Zotaj”, në Ramicë, pata fatin të kem mësuese Nefize Hoxhën (Muçaj). Ajo sapo kishte përfunduar Shkollën Pedagogjike në Elbasan dhe, si bijë e kësaj treve, ishte emëruar në shkollën e fshatit. Për mua, ardhja e saj lidhet me një kujtim të veçantë, sepse ajo vinte pas një mësuesi që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme te brezi ynë: Gani Gollo, të cilin e kujtoj si një nga figurat më të spikatura të mësuesisë së Vlorës, një mësues me shpirt rilindësi. Në klasën e parë, Ganiu na kishte mësuar jo vetëm të lexonim e të shkruanim, por edhe si të qëndronim përballë dijes dhe jetës. Ishte i qetë në mësim, fliste ngadalë e bukur, përdorte një gjuhë të pastër shqipe dhe çdo fjalë e tij kishte peshë. Kur shpjegonte, fytyra i ndriçonte nga gëzimi dhe dashuria për nxënësit. Edhe mënyra se si na mësonte të mbanim penën është një kujtim që nuk është fshirë. Na thoshte: “Shtrëngojeni fort penën me gishtërinj, që të mos ju ikë nga dora.”
Pastaj e lidhte atë veprim të vogël me një mësim shumë më të madh: pena do të na çonte te dija, te historia e lashtë arbërore, te kultura dhe te aftësia për t’u bërë të zotët e vetes, të familjes dhe të Atdheut. Kështu, nga mësuesi i brezit të vjetër, i formuar në frymën e Rilindjes, ne kaluam në klasën e dytë te mësuesja e re, e përgatitur në shkollën shqiptare, që sillte me vete një kulturë të re pedagogjike, një energji të re dhe dëshirën për t’i shërbyer brezit që po rritej.
Nefize Hoxha e pati më të lehtë punën me ne, sepse Gani Gollo na kishte mësuar rregullin, qetësinë dhe respektin për mësuesin. Por ajo solli diçka të sajën: vrullin e mësuesit të ri, dëshirën për të shpjeguar, për të komunikuar dhe për të na afruar me dijen. Ajo ishte e re në moshë, por e pjekur në sjellje. Në tërë vitin që na dha mësim, nuk e kujtoj të ketë ngritur ndonjëherë zërin. Qetësia ishte pjesë e autoritetit të saj. Fjalët e saj ishin të matura, të qarta dhe të kuptueshme. Në vend të frikës, ajo krijonte respekt; në vend të zhurmës, sillte përqendrim. Kjo është një nga cilësitë më të mëdha të mësuesit: të edukojë pa bërtitur dhe të fitojë autoritet pa e imponuar atë.
Mësuesi që mbetet në kujtesë
Shpesh mendoj se çfarë mbetet nga mësuesit tanë pas shumë dekadash. Mund të harrojmë një orë mësimi, një faqe libri apo një detyrë shtëpie, por nuk harrojmë mënyrën se si mësuesi na ka bërë të ndihemi. Nuk harrojmë zërin e tij, shikimin, këshillën, mënyrën si na mësoi të mbajmë penën, të sillemi me shokun, të duam dijen dhe të besojmë te vetja.
Prandaj Gani Gollo dhe Nefize Hoxha mbetën në kujtesën time jo thjesht si dy mësuesit e mi të parë, por si dy etapa të formimit tim: njëri që vinte nga tradita e mësuesisë së Rilindjes dhe tjetra që përfaqësonte brezin e ri të mësuesve shqiptarë. Ne u larguam nga Ramica për të vazhduar shkollat. Morëm profesione e zanate të ndryshme dhe shërbyem në vende të ndryshme të Atdheut. Por, kudo që shkuam, me vete morëm edhe diçka nga ata njerëz që na hapën derën e parë të dijes.
Nga nxënësi te parathënia e librit të mësueses
Jeta ka kthesa të bukura dhe të papritura. Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se një ditë, pasi kisha qenë nxënës i Nefize Hoxhës, do të më jepej rasti të shkruaja parathënien e një libri të saj.
Kur Prof. Bardhosh Gaçe më dërgoi dorëshkrimin e librit për ta lexuar, përjetova një emocion të veçantë. Tashmë nuk po shihja më vetëm shkrimin e një autoreje. Në çdo faqe më dukej sikur dëgjoja përsëri zërin e mësueses sime të klasës së dytë: të qetë, të matur, të qartë dhe të kuptueshëm. Ajo që dikur na mësonte të shkruanim bukur në fletore, tani kishte marrë penën për të shkruar për gruan shqiptare, për gruan labe dhe për figurat e saj të shquara. Libri “Gra që i bëjnë dritë Shqipërisë”, i Nefize Hoxhës, është një përpjekje me vlerë për të sjellë në vëmendje kontributin e gruas në jetën shqiptare përgjatë shekujve.
Mësuesi i vërtetë nuk largohet kurrë nga detyra e edukimit
Duke lexuar librin e saj, kuptova se Nefize Hoxha kishte vazhduar të ishte mësuese edhe pasi kishte lënë klasën. Dikur na edukonte përmes mësimit të drejtpërdrejtë. Sot edukon përmes shkrimit. Dikur na mësonte të mbanim penën në dorë. Sot ajo vetë e përdor penën për të nxjerrë nga harresa gra që kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën tonë. Kjo është vazhdimësia më e bukur e mësuesisë. Edhe kur nuk është më përpara dërrasës së zezë, ai vazhdon të mësojë përmes shembullit, fjalës dhe veprës së tij. Prandaj, mësuese Nefize, ky shkrim është njëkohësisht një mirënjohje për ju dhe për të gjithë mësuesit që na dhanë dritën e parë të dijes. Uroj që pena juaj të vazhdojë të shkruajë për gratë shqiptare, për gratë labe, për gratë e Smokthinës dhe për të gjitha ato nëna e bijë që, edhe pa zhurmë, kanë qenë pjesë e historisë sonë.
Sepse një popull që nderon mësuesit e tij dhe ruan kujtesën për gratë që e kanë ndërtuar e mbajtur gjallë, nderon vetveten. Dhe ndoshta ky është edhe mësimi më i bukur që mund të marrim nga një mësuese që, shumë vite më parë, hyri në klasën tonë si një mësuese e re dhe mbeti në kujtesën tonë si një njeri i mirë, një edukatore e qetë dhe një grua që vazhdoi t’i shërbejë dijes edhe me penë.