Libri “Flowr of the abyss” i Arben Iliazit botohet në Amazon
Libri i Arben Iliazit, “FLOWR OF THE ABYSS” (Lulja e humnerës) u botua në Amerikë në gjuhën angleze, nga gjigandi botëror i tregut Amazon, përkthyer me mjeshtëri nga shkrimtari dhe përkthyesi i Kujtim Hajdari.
HEJZA: Arben, çfarë keni dashur të shprehni në këtë vepër?
-Në këtë vepër shpreh atë pjesë të së vërtetës që mund ta zbulojë vetëm një triller narrativ, i cili i mban lexuesit në tension, ankth dhe kureshtje të vazhdueshme. Rrëfimi është, në të vërtetë, një skenë tragjedie bashkëkohore, ku vihet në një lojë çnjerëzore fati i njeriut, dhe ku ndërthuren probleme nga më të mprehtat të karakterit politik, shoqëror e moral, ku individit i cenohet integriteti i tij njerëzor.
HEJZA: Një temë shumë e vështirë e me përgjegjësi të madhe morale. Apo jo?
– Sigurisht. Kur zjarret e ideologjisë përpiqen të na kaplojnë të gjithëve, është koha të kërkojmë arsyen. Misioni i një shkrimtari është qytetërimi. Urrejtja dhe budallallëku të shpie drejt Luftës së Fundit Botërore. Vetëm në llumin e zi të injorancës mund të zhvillohen konfliktet irracionale të ideologjive. Personazhet në këtë vepër dalin nga vrima e zezë e hutisë ideologjikë, racore dhe fetare, duke u përpjekur për të goditur në zemër njeriun, sepse njeriu, që moti, ka qenë në rrugën e arsyes. Në këtë rrëfim kam gdhendur edhe personazhe që kanë hedhur tej urrejtjet dhe frustrimet e veta dhe mundohen t’i kthehen arsyes.
HEJZA: Aftësia për të marrë mbi vete ose të pohosh qënien është me siguri forma më e lartë e virtyteve njerëzore. Mendoni se me këtë vepër keni depërtuar në dinamikën e qenies?
-Dinamikat janë shumë, si seria e rrathëve bashkëqendrorë, dhe lexohen si “shtytje drejt mbijetesës”. Në secilën dinamikë është aftësia e individit për të mbijetuar, që është vetëm një aparencë dhe vetëm një aspekt i ekzistencës. Unë kam trajtuar aftësinë e individit për të pranuar qenien.
Nuk di a kam gjetur “prerjen e artë” në këtë rrëfim, duke guxuar të rrezikoj në emër të së vërtetës, duke mos mbyllur sytë para një drame, në një pikë kulminante të qytetërimit, që buron nga trashëgimia e keqe e urrejtjes etnike dhe fetare. Urrejtja e njeriut për njeriun, në frymë raciste dhe reaksionare, është një fenomen kulturor, ku jeta e frymës humbet çdo kuptim. Ky është një problem me të cilin po ndeshemi kohët e fundit, ku spikat fobia e diskriminimit, ku kultura nuk shikohet si instrument i emnacipimit, por si një nga instancat paternaliste që e pengojnë atë.
HEJZA: Ju flisni për një rrëfim triller. Është kjo një histori hipotetike?
-Dimensioni estetik s’mund të vërtetojë një parim realiteti dhe kjo është mëse e qartë. Ashti si imagjinata që është një aftësi psikike formuese, edhe mbretëria e estetikës në thelb është “jorealiste”; ajo ruan pavarësinë nga parimi i realitetit, por duke pasur efekt mbi realitetin.
Historia që përshkruhet në këtë rrëfim është një histori që nuk ka dalë nga hiçi, por nga ngjarjet, fenomenet dhe neurozat që kanë ndjekur njëra-tjetrën në epokën tonë postmoderne, përpëlitjeve të religjozitetit historik dhe të shestimeve të mëdha paranojake, që shpesh herë janë kthyer në makth, sidomos në tri dekadat e fundit. Përherë kam qenë një vëzhgues i mprehtë e mendjeftohtë i frymës së kohës dhe mbaj mend shumë detaje, nisur dhe nga profesioni im si gazetar. Despotizmi u mposht, por jo obskurantizmi. Individët nuk i kanë këputur plotësisht vjegat që i mbajnë të lidhura me strukturat e vjetra kolektive, siç janë kishat, kastat apo rangjet, që të merren tërësisht me punën e vet, pra nuk janë ipso facto të aftë për t’u orientuar në botën që e rrethon dhe i paprekur nga paragjykimet që ushqen ajo. Kësisoj nuk kanë të siguruara liritë shpirtërore, për t’iu bindur vetëm arsyes së tyre, të aftë për ta çuar mendimin e tyre përtej këtij lëmi të ngushtë.
HEJZA: Konflikti zhvillohet një vend të përcaktuar?
-Dekori dhe personazhet e veprës janë ballkanike, por ngjarja zhvillohet në një vend të papërcaktuar, rreptësishtë konvencional, me personazhe që vijnë nga periferitë gjeografike.
HEJZA: Kur pritet botimi i kësaj vepre në gjuhën shqipe?
-Ky libër do të njohë së shpejti vetëm një botim në variantin shqip, nga një shtëpi botuese mjaft prestigjioze, të cilën po e lë surprizë. Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ata që na ndjekin!