Artan Shkreli: Imazhi i parë i mbretëreshës ilire, Teuta


Imazhi i parë i Teutës na vjen prej një gravure të realizuar nga humanisti europian Antonio Salamanca, në gjysmën e parë të shek XVI (pas vitit 1510).
Bëhet fjalë për një fletë me katër medaljone femrash ndër më të shquarat në histori apo mitologji, paraqitur me helmeta (Vier vrouwenkoppen), ku shkruhet: “Vier vrouwenkoppen Penthesilea Amazon/ Zenobia Orientis Domina/ Tevca Illyrica/ Fulvia Mantonii Uxor”, pra:
– Penthesilea, mbretëreshë e Amazonave
– Zenobia, zotneshë e Palmirës
– Teuta, regjente Illire
– Fulvia, bashkëshorte e Mark Antonit.
Koreografia e Teutës shfaqet ne çelës klasik, tipike e Rilindjes Europiane e cila atë kohë ishte në kulmin e saj; dmth veshje gjenerali, helmetë me krahë (simbol i fitoreje), një sfinks nën krifë (që evokon origjinën tebane të Kadmit – atë mitik i eponimit të ilirëve) dhe kokën e Meduzës në gjoks (simbol universal klasik mbrojtës).
Origjinali i kësaj gravure ruhet në muzeun kombëtar të Holandës, Rijksmuseum në Amsterdam (nr inv RP-P-H-H-249).
Në varësi të shqiptimit grafematik, latin a grek, emri i Teutës del edhe si Teuca ose Tevta (kjo e fundit në shqip ka dhënë emrin “Tefta”).