Luan Rama: Adonis, poet i mërgimeve
Ashtu me trupin e tij të vogël dhe shallin e kuq që i varej gjer tek gjunjët, me mirësinë e tij proverbiale ai ishte rrethuar mes poetësh, Pierre Morris, Serge Pey, Laure Cambau, Luc Vidal, një poet amerikan e plot të tjerë. Ishte poeti Adonis, në « Marché de la Poésie », në veprimtarinë e madhe poetike ku pikëtakohen poetët dhe botuesit e tyre, ku lexohen poezi në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, ku poezia tingëllon bukur në sheshin Saint-Sulpice, në oborrin e asaj kishe ku fëmija Charles Baudelaire do të pagëzohej dikur në praninë e prindërve të tij. Simbolika është e veçantë për një vend si ky dhe biseda me Adonis, atje ku dhe unë prezantoj librin tim « Territoret e shpirtit » është tejet e këndshme, sikur të njiheshim prej vitesh. Merr librin tim, më përgëzon dhe shpreh gëzimin që poezitë e tij janë përkthyer tashmë dhe në shqip, përkthyer nga Visar Zhiti. Para dy vjetësh kisha përkthyer një cikël të poezive të tij dhe ai habitet që poezia e tij është kaq e pëlqyer në Shqipëri. Ka dëshirë të vijë, dhe padyshim, shpejt do të vijë, edhe pse atë e kërkojnë nëpër veprimtari poetike në të gjithë botën. Pastaj ai më fton në darkë me poetin tjetër Serge Pey, një poet mjaft i njohur francez dhe mik i vjetër i tij, Pey, me gruan e tij Chiara, një sardenjase, plasticiene dhe videoaste, sëbashku me të dhe piktori e skulptori sirian Kazem, i cili do të na dhurojë gjatë asaj darke nga një vizatim të bërë në çast.
Mbrëmja është nga më të këndshmet, pasi në tavolinë të pihet verë e kuqe, flitet për poezinë dhe dashurinë, për aventurat e tyre rinore dhe historinë e një gruaje me mustaqe që çuditërisht kishte dalë biseksuale. Serge kujton udhëtimin e tyre në Mont Segur, në malet e vendit të katarëve përtej Carcassone-s dhe atë ditë kur me kostumin e tij blu, Adonis ngjitej drejt malit me borë në kujtim të katarëve të zhdukur nga katolikët francezë. Përshkrimi i tij është një poezi më vete pasi ai flet për një engjëll që ngjitej drejt malit.
Piktorin sirian Kazem e kisha përballë, i qeshur por dhe i heshtur në atë mbrëmje plot tregime nostalgjike dhe poezi. Nuk e dija se isha përballë një piktori virtuoz. Para se të ngriheshim nga tavolina, qetësisht, ky piktor që jetonte tashmë në periferinë parisiane, pranë shtëpisë që dikur kishte banuar Lenini (çka e tregonte duke qeshur), na u drejtua duke thënë : Dy minuta ju lutem ! – dhe i kërkoi kamarierit dy letra të mëdha nga ato që mbulojnë tavolinat.
Brenda dy minutash, jo më shumë, ai mbaroi një « croquis » të cilën ia tregoi mikut në krah, poetit Serge Pey, i cili mbeti i mahnitur. Adonis qeshte, se e dinte virtuozitetin e mikut të tij të hershëm sirian. Pastaj shtroi letrën tjetër dhe me lapsin e tij të trashë (karboni) për dy minuta, me lëvizjet e tij të shpejta, krijoi një « croquis » tjetër. Kësaj rradhe ma tregoi mua dhe të tjerëve, meqë ma dhuronte në shënjë miqësie.
I habitshëm ky virtuozitet, kjo metafizikë e pashpjegueshme. Nuk ishte dora, ishte thjesht një gjë jo materiale që e shtynte dorën e tij drejt krijimit. Në ato çaste ai i ishte dorëzuar shpirtit të tij…
Vonë, kur rrugët boshatisen ngadalë, ne dalim nga restoranti « L’Acropole » në Rue de l’Ecole de la Médicine dhe ndahemi në bulevardin Saint-Michel për tu takuar sërish të nesërmen. Kthehesha në shtëpi në krahët e poezisë, duke kujtuar vargjet e Adonis dhe atë ç’kisha shkruar për të…
Nobelisti i ardhshëm!
Shumica e kritikëve dhe letrarëve të botës mendonin para disa kohêsh se Nobeli i rradhës do të ishte poeti siriano-libanez, Adonis. Por nga sa pamë, ai do të jetë me sa duket Nobeli i ardhshëm i letërsisë. Dhe Adonis e meriton një «palmë» të tillë: si poet dhe si një qytetar i botës arabe e universale njëkohësisht, pasi Adonis nuk është vetëm poet i Sirisë, ku u përkund gjer në rininë e hershme të tij, as libanez, ku i bë shtatas i tij dhe përjetoi luftrat civile, të cilat e detyruan të mërgojë sërish dhe të vendoset në Francë. Adonis është poet i botës, një poet i shtegtimeve dhe i shumë horizonteve, i dramës njerëzore dhe i dashurisë, një poet i brengave të mëdha dhe i mërgimeve të dhimbshme që lënë gjurmë të pashlyeshme, nga ku lindin vaje. Poet që na kujton Nerudën, Lorkën apo Ricosin.
Kur lindi në Kasabine, pranë Latakies, në agun e parë të janarit të vitit 1930, ai quhej Ali Ahmad Said. Që fëmijë punoi tokën si një bujk i vërtetë dhe në tokën që shkeli këmbëzbathur thurri vargjet e para. Kështu u lidh pas poezisë dhe deshi të bashkohej me bardët dhe poetët e kombit të vet. Studjoi në një lice francez dhe meqë poezitë e tij nuk i botonin revistat e kohës, vendosi ta quajë veten Adonis, duke na kujtuar kështu mitologjinë greke. Rastësisht kishte lexuar diku legjendën mitike të Adonisit të dashuruar pas Afërditës, por që më së fundi, derrat e egër e coptuan atë. Mallkimi do ta ndiqte dhe atë, pasi poeti i ri do të burgosej shpejt nga Partia Nacionaliste në fuqi që kërkonte një Siri të madhe. Pas një viti burg, mundi të largohej drejt Libanit, duke krijuar atje revistat e para letrare dhe duke iu kushtuar poezisë. Tashmë përkthente nga frëngjishtja në arabisht poezitë e Baudelaire, St. J. Perse, Henri Michaux, etj. Nga vëllimet e para poetike Toka tha apo Gjethe në erë, botoi Këngët e Mihyar dhe Damascene, duke vazhduar me Kujtesa e erës, Kënga e qyteteve apo Pylli i dashurisë brenda nesh, të botuara në shumë gjuhë të botës. Mërgimi ishte përvoja e tij jetësore dhe e vazhdoi atë në tokën e fjalëve, duke u bërë përcjellës i kulturave dhe një mesazher i poezisë duke shkruar se «Poezia e bën jetën mbi tokë më të bukur, më pak efemere, më pak të mjerë. Ndërsa lufta e çon njeriun mbrapa, drejt barbarisë dhe fundit të njerëzimit». Dhe këtë luftë ai e pa në Bejrutin e djegur dhe të copëtuar, e pa në Ballkan apo në Lindjen e Mesme, Irak e Afganistan, e shikon sot në vendin e tij të origjinës, Siri, ku bashkë me lirinë vritet dhe fjala e poezia e lirisë. Dhe poeti nuk nguron të godasë përmes fjalës së tij, përmes poezive të tij. «Njeriu është në qendër të universit dhe jo Zoti!» – deklaron ai, duke shtuar se «shamia në kokën e gruas nuk mbulon vetëm fytyrën por dhe trurin e saj». Ja pse shpesh poezitë dhe librat e tij janë ndaluar dhe çenzuruar në vendet arabe, dhe vargjet për dashurinë dhe gruan, janë konsideruar si herezi. Vëllimi poetik Lutja dhe shpata është vizioni i tij për kulturën e lashtë arabe, duke u ngritur kundër vizionit kuranik dhe duke kërkuar riorganizimin e vlerave dhe të «cité»-së muslimane: «Jeta është viktima ime /dhe unë nuk di si të vdes/ koha më është fshehur/ është poshtë syve të mi…/
Por mbi të gjitha, tek ky poet mistik dhe filozof, të cilit i pëlqen aq shumë dhe bota pikturale, në krijimtarinë e tij mbizotëron një lirizëm i thellë, një humanizëm i skajshëm dhe misteri i kujtesës, pasi siç shkruan diku «era ka kujtesë», meqë dhe jeta e tij personale është ngjizur nga malli, nostalgjia dhe mungesa, duke e detyruar të shtegtojë gjithnjë larg, aty rrahin erërat e furtunat. Malli për të, në moshën 96 vjeçare sot, është mungesë dhe aty siç duket kujtesa merr të tjera vlera dhe kthehet në buronjë poetike.
Pylli i dashurisë është brenda nesh
Thirrjes tënde nuk i përgjigjem, diell
mos më ngrej tani. Jo,
jastekët janë ende të dehur
nga shkëlqimi i trupave tanë
dhe shtrati është mall…
Gjumi ynë është udhëtim në galaksinë e pasioneve
gjumi ynë është dielli ynë.
* * *
Shtrati u përshkëndrit dhe nata ime rri zgjuar
në këmbët e saj që dritaren bëjnë të dridhet
jo, nuk dua mbulesë
nuk dua të mbuloj shkëlqimin e hireve të tua
yjet e dashurisë sonë natën e kanë larë
me qerpikët e tyre
ne përjetojmë lumturi, ngrihemi, biem
dhe depërtojmë brënda njëri-tjetrit
Midis syve të tu dhe të mi
Kur vështrimi im zhytet në sytë e tu
shoh agun e thellë
shoh të djeshmen e lashtë
shoh atë që nuk njoh
dhe ndjej se midis syve të tu dhe të mi
ecën universi
Ura e lotëve
Një urë lotësh shtegëton me mua
thyhet nën qepallat e mia
në lëkurën time porcelani
një kalorës fëmijërie
lidh kuajt me litarët e erës
nën hijen e degëve
dhe me zë profetik na këndon:
O erëra, o fëmijëri!
ura lotësh të thyera
pas qepallave
Vetëtima
Një rrufe më bëri shënjë
ajo qau dhe u përgjum
në pyllin e parandjenjave
ajo nuk e di kush jam unë
nuk e di që jam Zot i errësirave
një rrufe më bëri shënjë
ajo qau dhe u përgjum mbi dorën time
sapo pa sytë e mi
Adami
Adami më pëshpëriti me një zë të mbytur
midis heshtjeve e rënkimeve
unë nuk jam ati i botës
parajsën kurrë nuk e kam parë
Mermë drejt Zotit
Guri
E dua këtë gur të paqtë
në vijëzimet e tij pashë fytyrën time
mashë aty poezinë time të humbur
Udhëtim
Do të udhëtoj në harkun e një dallge
të një krahu
do të vizitoj kohët e mia që kam lënë pas
dhe shtatë galaksitë
do të vizitoj buzët
sytë e rëndë të akullt
tehun xixëllues në ferrin hyjnor
do të zhdukem
me gjoksin rrethuar nga erërat
duke lënë hapat e mi në kryqëzimin e udhëve
larg
në shkretëtirë
Udhëtari
Lashë fytyrën time, udhëtar,
në xhamin e fenerit tim
harta ime e botës është një tokë pa krijues
refuzimi është ungjilli im.
Ndoshta atdheu im
Ja tek po i ngjitem mëngjesit të atdheut tim
duke kacavjerrë rrënojat dhe majat e tij
dhe ja ku u çlirova nga pesha e vdekjes së tij
duke iu larguar për ta vështruar më mirë
ndoshta nesër ky vend do të jetë i imi
Sizifit
U betova të shkruaj për ujin
u betova të ndihmoj Sizifin që të mbaj gurin e tij
u betova të qëndroj me të
të duroj ethen, dhe në përshkëndritje
Të kërkoj në orbitat e verbëta
një penë të fundme.
Për tokën time
Për tokën time i pres këto vena të mallkuara
midis plagëve të mia për të kam fshehur
të nesërmet dhe erërat e mia
toka ime profete dhe hajmali
toka ime e dehur!
Supet e saj janë dy princa perlash
dhe një krim
Tokë e mungesës
Ja toka e dhimbjes
tokë pa të nesërme
që asnjë erë nuk e ndriçon
çfarë lajmi do të vijë
O, të dashurit e mi
në këtë tokë të mungesës?