Një libër, një film i bukur dhe i plotë për jetën e shkencëtarit Hasan Tahsini
Luan Rama
Një libër, një film i bukur dhe i plotë për jetën e shkencëtarit tonë të shtrenjtë Hasan Tahsini, i cili na rivjen me përkushtimin e tij për çështjen kombëtare, shkencën dhe jetën e tij njerëzore…
Dy fjalë për “Yllin” e tij Polar
—
Në një mbrëmje të bukur pranvere vështroj qiellin, në çastin kur e kuqja e perëndimit në horizont fillon e shuhet dhe yjet shfaqen njëri pas tjetrit duke mbushur kupolën qiellore. Dhe menjëherë imagjinoj Hasan Tahsinin, duke vështruar i dehur të njëjtin qiell. Madje këtë çast shoh me sytë e bashkëpatriotit tim nga Çamëria, me ata sy që vështronin dikur « Udhën e qumështit » në vezullimin e tyre të përhershëm, konstelacionin për të cilin kishte shkruar. Po, ndiej se kam sytë e tij, vështroj qiellin dhe imagjinoj si ai lëvizjen e planetëve, dritën, atë që na vjen nga shumë larg, nga dielli. Vështroj Hënën, Yllin Polar dhe mendoj se sa shumë do të gëzohej ai nëse do të mësonte se tashmë, sot, në hartat e galaksive, një yll në univers quhet Ilirian dhe planeti që sillet rreth tij quhet Arbër, të cilët janë larg 420 vjet dritë nga Toka.
Tahsini besonte në energjinë e universit dhe lëvizjen e gjithësisë, në lëvizjen e brendshme me ligje të krijuara që në ‘Big-Bang’-un e parë të zanafillës së universitetit dhe jetës, pa ditur se si ndodhi e gjithë kjo. Teleskopët e ardhshëm gjatë këtyre dy shekujve të fundit, kanë zbuluar planetë e yje të tjerë duke hyrë gjithnjë e më thellë në enigmat e këtij universi. Edhe pse u largua nga Parisi në vitin 1869, Franca dhe shkencëtarët e saj, por edhe prekursorët e tjerë europianë mbetën për të si një referencë e përjetshme. Kjo periudhë ishte padyshim koha më e bukur e jetës së tij, më frymëzuese, e ethshme, ëndërrimtare dhe e shpresës, se drita e kësaj shkence progresive do të shndriste një ditë në horizontet e pamata të Perandorisë Osmane dhe në Ballkan e në Shqipëri. Por mjerisht, me kthimin e tij në Stamboll dhe caktimin si drejtor i Universitetit të parë të Stambollit, shpejt ëndrrat e tij nuk u realizuan. Shkenca që donte të zhvillonte ai ishte e “rrezikshme” për një perandori që po ndiente tronditjet e para të themeleve të saj.
Në një nga poemat e krijuara pas vdekjes së tij, nxënësi dhe miku i tij i vjetër Abdülhak Hamid-i në elegjinë e mëpasme për të, ndër të tjera do të shkruante:
“…. Çfarë ishte dikur dhe çfarë është tani?
Është një flakë që gëzon dhe shuhet.
Është deti i pafund i krijimit,
në këtë perde të zezë realiteti,
është një ‘hije’ që ka luajtur dhe pastaj është zhdukur.
Ai bëri bujë me të qeshura dhe vajtime!
Çfarë tingull të çuditshëm kishte!
Tani, për ne, ka kaluar në përjetësi!
A është kjo një botë tjetër që shoh në ëndërr?
Dhe kjo, o Zot, a është jeta,
a është errësira e natës në zi,
apo është ëndrra e jetës së përtejme?
Fara e dorës është transformuar,
imagjinoni një botë të tillë përsosmërie!
Sa i bukur ishte predikimi i tij!
Tani varri i tij është nën gurë!…
Tani varri i tij është nën gurë!
Ku është sot Tahsin Efendiu i djeshëm ?
Shikoni, ai është bërë një grusht pluhur!
Kështu përfundoi vetë-përsosmëria e tij…”
Jeta shkencore e Hasan Tahsinit ishte një jetë që vazhdoi në dy rrugë paralele: në atë të shkencës progresiste dhe besimit fetar, edhe pse shumë enigma ekzistonin ende në shpirtin e tij: cila ishte fillesa e kësaj jete humane? Cila ishte fillesa e kësaj gjithësie të pushtetshme dhe universale? Ç’ndodhte vallë përtej yjeve dhe nëse krijesa njerëzore do ta pikëtakonte vallë të ngjashmin e tij? Po Zoti, Profeti, ku qëndronin në gjithë këtë, të cilën ai ende nuk e kishte prekur? Kështu, midis një mjerimi të madh dhe plot enigma kaluan muajt dhe vitet e fundit të tij gjer atë ditë kur në banesën plot libra dhe instrumente shkencore, më 3 korrik 1881, ky njeri i madh pa yjet e ëndërruara të shuheshin ngadalë në heshtjen e madhe të gjithësisë.
Vështroj qiellin dhe pyes veten: si mund të rikrijohet jeta e një imami që vitet më të bukura ia kushtoi shkencës në Paris, që herë herë çallmën e ndërronte me një kapelë kashte dhe qëndronte në bujtinat parisiane si një Van Gogh me kapelën e tij të kashtës, që pinte birrë dhe respektonte kultet e feve të tjera, që adhuronte operat dhe qytetërimin perëndimor? E imagjinoj atë udhë të largët dhe të mundimshme që bëri ky njeri: nga rrugët e Ninatit të Çamërisë, në Shkodrën e zejeve e të traditave, shkollimit në Stamboll e pastaj me anije nëpër Egje e Mesdhe, tek zbarkon në Marsejë dhe niset pastaj me tren drejt Parisit, kur të nesërmen në mëngjes i shfaqen dritat e para të këtij qyteti magjik si në tablotë e Claude Monet-it. Dhe atje, pranë teleskopit të Observatorit të Parisit ai do të niste udhëtimin e tij imagjinar drejt kozmosit të pafund.
Mbi këtë afresk të madh mund të shfaqen vargjet e Abdülhak Hamid-it apo “Shekspirit turk”:
“… Ai ishte unik në atë mbretëri qiellore;
pasuria e tij ishte një bibliotekë:
një provë e pakrahasueshme e mendimit të tij,
fliste rrjedhshëm gjuhë të shumta,
ishte një person i rafinuar dhe i butë,
ishte entuziast, i mençur dhe i ditur,
ishte mishërimi i thelbit të qenies,
ishte thesari i dijes dhe burimi i mençurisë…”
Ky shkencëtar i shquar shqiptar dhe nga të parët e historisë shqiptare, ka zënë vendin e mendimtarit në historinë e mendimit turk dhe në enciklopedinë turke. Në Shqipëri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta kishte për nder ta ngrinte bustin e tij jo vetëm si patriot i madh dhe frymëzues i rilindasve të tjerë, siç e cilëson Sami Frashëri, por edhe si shkencëtar i shquar, ndër të parët shqiptarë që la pas një referencë shkencore duke sjellë një frymë europiane në shkencat e Orientit.