Flamur Muhameti: Thesari mes dy botëve
(Fragmente nga libri i sapopublikuar)
Ditari i Arianit
(Pjesa e parë)
“Vetmia e ul njeriun në dy karrige njëherësh: në njërën pyet, në tjetrën përgjigjet”.
Nuk kam shkruar kurrë ditar. As nuk i kam kuptuar ndonjëherë njerëzit që mbajnë ditar.
Gjithmonë më janë dukur si biseda me veten, të njerëzve pa kujtesë të qartë. Dhe kur njeriu fillon të flasë shumë me veten, zakonisht nuk është shenjë e mirë.
Por kohët e fundit po më duket sikur nuk kam ku t’i çoj mendimet.
Pas vdekjes së nënës, shtëpia ime më duket krejt ndryshe. Heshtja u bë më e rëndë. Babai u mbyll në botën e vet, unë në timen. Është e çuditshme si dhimbja nuk i afron gjithmonë njerëzit. Ndonjëherë i largon edhe më shumë.
Ndonjëherë më duket sikur njeriu fillon të shkruajë vetëm kur nuk arrin më të shprehet siç duhet. Kur askush nuk e kupton. Kur askush nuk po e dëgjon më.
Tani që po e nis këtë bllok, po qesh me vete. M’u duk për një çast sikur po ndërtoj një shtëpizë, ku do të grumbulloj apo shkarkoj copat e mendimeve të mia.
Ndoshta, me kalimin e kohës, këto shënime do të flaken në një kosh mbeturinash. Ose do të mbeten si guralecë të vegjël në një rrugë ku dikush tjetër mund të kalojë një ditë. Një lloj harte për njerëzit që humbin brenda vetes dhe ecin pa e ditur ku po shkojnë.
Tani po kuptoj që njeriu duhet t’i shënojë gjurmët nga ka kaluar, jo destinacionin, sepse atë askush nuk e di.
Ndoshta kjo është arsyeja që e hapa këtë bllok.
15 mars 2015
Sot, ditë e diel.
Dje, shkuam në mal me babain dhe Vahidin.
U nisëm për në Kukës herët në mëngjes, drejt një mali të lartë përballë Gjalicës. Frynte një erë e ftohtë që të mpinte fytyrën. U ngjitëm lart, drejt malit, në një terren me shtigje të rrezikshme; dëbora nuk kishte shkrirë plotësisht.
Makinën e lamë në fund të rrugës, pasi ishte prishur prej dimrit; pastaj ecëm në këmbë. Babai tregoi me dorë: “Atje do shkojmë, tha, gati një orë në këmbë, ndoshta më shumë”.
Kërkonte gjurmë të vjetra, kala të vjetra, të rrënuara, që vetëm babai i dinte. Unë nuk kam kureshtje, as interes, por shkova se më pëlqen ecja në mal, natyra e paqtë, ajri i pastër, larg zhurmës së Tiranës.
Në mes të rrugës, nuk kishim ecur as dhjetë minuta, ai ndaloi. U mbështet pas një shkëmbi, zuri kraharorin me dorë dhe u zverdh në fytyrë. Nuk po ndihej mirë dhe me gjysmë zëri më tha të ktheheshim.
Në kthim, u përkeqësua përsëri. Mezi merrte frymë. Me Vahidin pothuajse e mbajtëm në krahë deri poshtë, ku kishim lënë makinën. E çuam menjëherë në spitalin e qytetit. Mjekët u mblodhën, i bënë qetësues, ndërsa ne na lanë jashtë në korridor.
Fjetëm në një hotel, të çlodheshim, pasi kishim frikë të udhëtonim natën. Të paktën aty ishim afër spitalit.
U kthyem vonë në shtëpi, të lodhur, të tronditur. Në dhomën e ndenjës një heshtje e rëndë. Ishim të dërrmuar; askush nuk foli shumë, secili fshihte frikën e vet. Kam një ndjesi të keqe se gjërat nuk po shkojnë mirë.
17 mars 2015
“Ditari të dëgjon. Nuk të ndërpret, nuk të gjykon, nuk të kërkon llogari dhe nuk të kundërshton. Prandaj, nganjëherë, një fletë letre bëhet shoqërues më besnik se shumë njerëz”.
Udhëtimi i fundit në mal më ka lënë gjurmë të rënda. Që nga ajo natë, fytin e kam të bllokuar, jam i ngjirur dhe zëri më del me vështirësi. Mbi komodinë kam një qese plot me ilaçe të shtrenjta që m’i dha doktori, por ende nuk po japin asnjë efekt.
Babai vazhdon të jetë i rënduar në shtrat. Në sytë e tij lexohet një frikë e thellë. Shikon tavanin për orë të tëra, sikur aty kërkon një përgjigje që askush nuk mund t’ia japë. Gjatë rrugës së kthimit, kur mori pak veten, më shtrëngoi fort krahun dhe më tha: “Kjo është rruga ime e fundit, Arian… s’kam më fuqi”.
Në shtëpi ka pllakosur një tension i padurueshëm. Me Erlën po keqkuptohemi gjithnjë e më shumë. Ajo nuk i beson më shpjegimeve të mia, madje duket sikur nuk më dëgjon më si dikur. Dyshon për gjithçka që them dhe më kërkon llogari për çdo gjë. Sa më shumë përpiqem të shpjegohem, aq më shumë keqkuptohem. Gjendja tani është edhe më e rëndë: gjuha po më lidhet.
Në këtë shtëpi, vetëm ky bllok më kupton. Ditari të dëgjon. Nuk të ndërpret, nuk të gjykon, nuk të kërkon llogari dhe nuk të kundërshton. Prandaj, nganjëherë, një fletë letre bëhet shoqërues më besnik se shumë njerëz.
18 mars 2015
“Duhet të shërohem sa më shpejt, që të mos humbas dashurinë”.
Telefoni nuk pushoi për dy ditë. Edhe pse isha i sëmurë, u detyrova të rikthehesha në punë. Drejtori i kompanisë më kërkoi me ngut. Duhej të firmosja një projekt tenderimi si përgjegjës i departamentit të mjedisit, pasi duhej dorëzuar urgjent në Bashki.
U ndie mungesa ime, por vetëm në punë. Askund tjetër.
Nuk qëndrova gjatë aty. Rreth orës 13:00, pas pesë ditësh pa u parë, takova Erlën.
— Ke ndryshuar, — më tha. — Je zverdhur. Je bërë tjetër njeri.
— Edhe ti, — i thashë. — Mirë unë që jam i sëmurë, po ti çfarë ke?
Iku si erë, pa më përshëndetur.
Nuk di nëse duhet të mërzitem me veten apo me të tjerët. Ndoshta me asnjë. Mbase kalon shpejt kjo situatë dhe një ditë do t’i harrojmë këto vogëlsira, thashë me vete.
U ktheva në shtëpi. Në oborr gjeta Vahidin duke biseduar me tim atë. Nuk jam mësuar t’i dëgjoj njerëzit dhe të mos ua plas të vërtetën në sy. Gjithmonë kam qenë njeri që flet drejt. Tani mezi nxjerr zë, ndaj u mbylla në dhomë.
Mesazhet me Erlën arritën rekord sot. Nuk më kupton. As më beson. Diçka ka ndryshuar tek ajo vajzë. Nuk e di kush ia mbush mendjen me këto trillime për mua, apo ndoshta i ka krijuar vetë.
Duhet të shërohem sa më shpejt, që të mos humbas dashurinë.
Forca, Arian. Ka plagë që kërkojnë kohë, por nuk duhet humbur shpresa.
20 mars 2015
“Kur mjeku nuk e gjen shkakun, nuk do të thotë se dhimbja nuk ekziston”.
Shkova për vizitë në një klinikë private.
Fyti nuk po më funksionon si më parë. Fjalët më pengohen dhe më duket sikur gjuha është shkurtuar. Edhe kur ha, mezi e gëlltis ushqimin.
Stresi po më mbyt. Ankthi dhe pasiguria po shtohen çdo ditë. Nata është bërë armik i heshtur. Futem shpesh në internet për të gjetur një diagnozë, një përgjigje, por sa më shumë lexoj, aq më tepër më rëndohet frymarrja.
Ora 12:30. Në pritje të vizitës.
Mjeku është i dëgjuar, me emër. Kam besim se do të zgjidhet ky ngërç.
Më vizitoi. Drejtoi një llambë drejt fytit tim, sikur aty brenda të fshihej ndonjë sekret. Pastaj futi një lugë metalike që më kujtoi detektorin që kërkon xhevahire nëpër shpella. Por nuk dukej asgjë që pengonte zërin tim.
E njëjta procedurë si te mjeku i lagjes. Asnjë shpjegim.
— Shurup dhe disa ilaçe, — tha, i ftohtë.
24 mars 2015
“Asgjë nuk humbet plotësisht; çdo humbje shndërrohet në një formë tjetër të ekzistencës”.
Gjashtë muaj që nga humbja e nënës. Mendova se e kalova atë dhimbje që nuk shpjegohet me fjalë, por java e fundit po bëhet e vështirë. Një javë pas ekspeditës, gjithçka po ndryshon për keq në jetën time. Babai ende nuk ka fuqi për të lëvizur. Erla nuk po ndryshon; është gjithmonë e zemëruar, pa shkak.
Shkova në varreza i vetëm. U përballa me një botë tjetër, të vdekshme, të heshtur. Aty fjalët nuk vlejnë. Nuk di nëse mungesa e fjalëve të mia e pengoi nënën të më lexonte brengat dhe shqetësimet. Por nëna i kupton shqetësimet e fëmijës, edhe kur nuk jeton më.
Vetëm ditari po më përkëdhel. Po më jep mundësinë të eksploroj fusha e lëmi të ndryshme këto ditë. Mbase ky është ligji i kompensimit: çdo humbje transformohet; nuk është absolutisht humbje.
Kjo miqësi me ditarin po sjell rezultate. Një krijim i orëve të vona ma dëshmoi këtë:
Zemër nëne — dritë hëne, shpresë, shërim për dhimbjen tënde…!
Këngët për nënën nuk kanë autorësi, sepse çdo fëmijë është poet, bën muzikë dhe këndon për nënën e tij. Në fakt, edhe kur je i rritur, quhesh fëmijë për nënën. Edhe kur nuk jeton, ajo është me ty.
27 mars 2015
“Kur dhimbja bëhet e padurueshme, mendja nis të kërkojë mrekulli edhe në errësirë”.
Sot kam për të shkruar për shumë gjëra që më kanë ndodhur, të cilat po lënë gjurmë tek unë.
Në punë, kam pasur shumë keqkuptime dhe probleme me kolegët. Kam vite që punoj aty dhe kurrë nuk kam pasur mosmarrëveshje me asnjë. Ka pasur sjellje dhe qasje të tjera këto ditët e fundit. Dje ndodhi një episod që nuk harrohet lehtë. Drejtori më bëri vërejtje, pa takt fare, në sy të të gjithëve: “Arian, po bëhesh pengesë; nëse nuk ndjek ritmin, duhet t’ja lësh atë karrige dikujt tjetër”.
I kërkova takim Erlës dhe ajo erdhi te vendi ku rrimë. Sot, po më shihte me keqardhje dhe folëm për shëndetin tim. Më tha të kërkojmë shërbim të specializuar jashtë. Ishte interesuar për disa klinika në Austri, Gjermani, Francë, Itali…
I thashë që të presim edhe pak, mbase bëhem më mirë.
-Jo, duhet të lëvizësh, nuk ke çfarë pret, tha e vendosur.
Më trembi qëndrimi i saj; diçka di dhe nuk më tregon, mendova.
Pas këmbënguljes time, më tregoi një sekret të vogël.
-Arian, duhet të shkojmë diku, mos më kundërshto, m’u përgjërua. Lidhja jonë shtatëvjeçare është në rrezik, shëndeti yt po ashtu. Ka diçka që nuk shkon këtu, përtej mjekësisë, më tha e vendosur.
Po, pranova pa hezitim, thjesht për të mos e mërzitur Erlën, pa e ditur se ku do shkonim. “Do shkojmë te një grua, tha, për të parë nëse ka ndodhur ndonjë gjë e keqe mes nesh, si dhe për shëndetin tënd. Ajo i gjen të gjitha; kam shkuar tre herë dhe kam mbetur pa mend”.
Unë dëgjoja, por kisha ngrirë në tavolinë, ndërsa Erla vazhdonte të fliste. U shokova! Kjo grua e paska trullosur, sepse vetëm broçkulla po flet javët e fundit.
Kur pa heshtjen time, që nuk po reagoja, ajo u ngrit dhe po bërtiste: – Ose shkojmë te Andrra, të të shikojë, ose merr fund; ndahen rrugët tona. Unë mezi rezervova orarin, të tjerët gjejnë mik ta takojnë.
-Po, shkojmë, i thashë, ashtu i mpirë; nuk doja ta humbisja Erlën, do shkoja kudo që të më çonte.
Shkuam menjëherë te ajo grua e shumëkërkuar, Andrra e quanin. Shikonte fatin dhe më tha: “Je në errësirë, lufto të shpëtosh lidhjen, se vajzë si kjo nuk gjen dot”.
Erla po qante, ndërsa unë isha në shok; edhe të doja të flisja, nuk më dilnin fjalët.
Për fytin më tha që do ta shëroj unë. Më dha një shishe të vogël me vaj temjani dhe më tha se duhet ta lyesh fytin tre herë.
U ndamë me Erlën; iku në shtëpi më e qetë. Sot e kuptova pse ishte kaq e shqetësuar: këto strofkulla të errëta parashikimi e kishin helmuar. Nuk e dhashë veten, se rrezikoja.
Babai po priste i shqetësuar; përditë e më shumë rëndohej gjendja e tij.
Ditari paska qenë vetëm për lajme jo të këndshme, lajme që njerëzit refuzojnë të të dëgjojnë ose bëjnë sikur të dëgjojnë. Tani po bindem dita-ditës.
29 mars 2015
“Pafuqia e njeriut është dhimbja më e rëndë: të jesh pranë atij që do dhe të mos mund të bësh asgjë për ta shpëtuar”.
Mbas dy javësh, në gjendje të rëndë, babait i ra të fikët. Erdhi ambulanca dhe e mori, ndodhet në reanimacion. Doktorët ngritën supet, duke më dhënë përgjigje të tërthorta.
Nuk jam mjek, por e kuptova: shanset nuk janë në anën e tim eti.
I njoftova njerëzit e tij. Nuk kishte më shumë për të thënë. Gjendja ishte serioze.
Vahidi erdhi dhe më takoi, i shqetësuar. Janë shokë prej pesëdhjetë vitesh, pa u ndarë.
Nuk e di pse, por po më ndodhin pikërisht gjërat që kam pasur frikë.
Asgjë nuk varet më nga unë.
5 prill 2015
“Ditari im nuk është kronikë e ngjarjeve, por pasqyrë e plagëve të padukshme”.
Kam shumë për të thënë. Nuk di nga të nis. Ka një dyndje mendimesh e ndjenjash që nguten për t’u futur në këto fletë. Nuk ka rregull këtu brenda. Vetëm rrëmujë.
Humbja e babait, më 31 mars, nuk përshkruhet me dy fjalë. Sot jam i mpirë. Vdekja e tij la një boshllëk që peshon më shumë se çdo fjalë që kemi thënë.
Dorëheqja nga puna ishte zgjidhja e duhur. Më mirë se të më hiqnin. Të paktën fundin e zgjodha vetë. Ishte i vetmi moment ku munda të kisha diçka në dorë, përpara se gjithçka tjetër të shembej.
Këto që më ndodhën kaq shpejt, nuk shpjegohen. Ngjarjet të godasin pa paralajmërim dhe ty të mbetet vetëm të mbledhësh mbetjet e kujtimeve në një bllok. Nuk më ka mbetur zgjedhje: vetëm të pranoj atë që vjen.
Zëri ende nuk më bindet. Qëndron i bllokuar në fyt, si kjo heshtja e Erlës që më rrethon nga të gjitha anët.
25 prill 2015
“…kjo heshtje e tmerrshme”.
Lexova letrën që Kafka i shkruante Felice Bauer më 27 maj 1913. Njerëzit e quajnë letër dashurie. Unë shoh aty një proces gjyqësor, ku i dënuari puth dorën e xhelatit.
“Përse kjo heshtje e tmerrshme”? pyeste ai. Kam tri ditë që i bëj vetes të njëjtën pyetje për Erlën.
Erla nuk ka nevojë të ngrejë mure me gurë, mjafton mospërgjigjja e saj. Heshtja e saj është autonome, e ftohtë. Kur njeriu që do hesht, dhoma nuk zbrazet nga zëri, por mbushet me një zhurmë tjetërsuese. Truri fillon të shpërbëhet, saktësisht siç shkruante Kafka. Ndonjëherë mendoj se sa më shumë i afrohem, aq më i padurueshëm i bëhem asaj, sikur prania ime t’i kujtonte diçka që ajo kërkon ta harrojë.
Ajo që më tmerron te Kafka nuk është dashuria, por mënyra si dorëzohet në fund: “Mos më shkruaj më… unë të përkas, sot dhe gjithmonë”.
Kjo është sëmundja jonë. Erla e di se ka këtë pushtet mbi mua. Ajo mund të mos shkruajë për ditë të tëra, mund të zhduket në distanca të gjata dhe unë prapë mbetem aty, në stacionin e paqartësisë së saj. Dashuria nuk më sjell qetësi; është një ndëshkim që e pranoj me vetëdije, një katastrofë e brendshme ku humbas dritën e arsyes, ndërsa ajo mbetet thjesht një dëshmitare e heshtur.
Sot nuk do t’i shkruaj. Do të bëj si Kafka. Do t’i bindem heshtjes së saj, duke shpresuar se ky dorëzim është fitorja ime e fundit e parëndësishme.
“Ti ike, heshtjen pas më le,
si plagë ma fale peshqesh.
Ditën shfaqesh si një hije,
netëve si Hënëz, mes resh”.
***