Albspirit

Media/News/Publishing

Genc Pollo: Si kontrasti Guillaume/Hyseni shpjegon Shqipërine 2026

Të thuash se KM Rama duhet të dorëhiqet mbasi është ai që e emëroi Vlora Hysenin shefe të Shërbimit Informativ është si të merresh me gjurmën dhe jo me ujkun. Megjithë rrethanat e dyshimta të emërimit mbetet e vështirë në mos e pamundur të provohet synimi malinj në atë veprim.

Por Rama nuk bëri asgjë kur prej më shumë se një viti opozita e aktorë të tjerë denoncuan publikisht, probleme, shkelje madje edhe skandale nën përgjegjësinë apo me autorësinë e Vlora Hysenit; të ngjashme ose të njëjta me akuzat e djeshme të SPAKut. Një KM normal e i papërlyer do të shqyrtonte apo edhe hetonte aktivitetin e të besuarve të tij në ofiqe shtetërorë përballë fajësimeve të rënda të shprehura periodikisht në Kuvend e në media. Në rastin e ShISh-it Kryeministri madje për këto raste ka Inspektorin e Përgjithshëm të shërbimit, të cilin e emëron vetë pa kundërfirmën e Presidentit. Por Rama direkt e indirekt e mbrojti dhe e mbuloi Hysenin. Deri dje.

Sot, në çdo shtet normalo-demokratik kryeministri do të jepte jo vetëm sqarime konkrete por edhe do të ofronte dorëheqjen për të rivendosur besimin në institucionet shtetërore.

Kur policia gjermano-perëndimore arrestoi në prill 1974 si spiun gjermano-lindor Günther Guillaume, këshilltarin e ngushtë të kancelarit Willy Brandt, ky i fundit edhe pse nuk kishte ditur gjë deri kur në momentin kur shërbimet e vunë në dijeni para arrestimit, mori përgjegjësinë me pasoja personale. Në ato pak ditë midis arrestimit e dorëheqjes asnjë parti në Bundestag nuk bëri fillimisht thirrje për largmin e kancelarit por ai u fajësua për ngjarjen sidomos nga opozita; por menjëherë e me konsensus Bundestagu ngriti nje komision hetimor për këtë çështje. Brandt e kuptoi situatën dhe u dorëhoq. Sot ai kujtohet me respekt jo vetëm nga socaldemokratët e tij por nga publiku gjerë gjerman si udhëheqës me merita historike.

Në Shqipërinë e sotme që ironikisht ka hapur negociata për 30 e ca kapituj problemi më i madh nuk është skandali i Hysenit apo më herët i Gysit etj. etj.

Problemi është se, fatkeqsisht, në kushtet e regjimit autoritaro-kleptokratik janë mënjanuar në mos asgjësuar mekanizmat politikë të cilat funksionojnë në një demokraci; duke mundësuar vetëkorrigjimin sa herë lipset. Dhe kështu zgjidhja pritet e shpresohet të vijë nga rruga ose nga gjyqësori.

President i Paneuropa-Shqipëri