Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Bardhosh Gaçe: Kristo Çipa dhe festivali folklorik i Pilurit

Kultura është bazë e një kombi, ajo krijon afrimitet mes njerëzve, nxit talentet e reja dhe riaktivizon ato të vjetrat, krijon një atmosferë të tillë, e cila ribashkon zemrat dhe impulson dëshirat për projekte të vjetra të lënë në harresë dhe të rejat si dëshirë e proceseve krijuese.
Edhe pse Shqipëria ndodhet në një tranzicion të gjatë, ku kultura mbetet “vrima e fundit e kavallit”, ku politika dhe shoqëria është e zënë me punëra të tjera, në shumicën e rasteve pa produktivitet dhe pa korrur frytet e duhura të një mendimi të kotë, kultura ende i gjen disa mundësi përmes njerëzve pasionantë, të cilët sakrifikojnë dhe e sjellin një rast të këndshëm në riafirmimin e vlerave të artit. Kultura është bazë e një kombi, ajo krijon afrimitet mes njerëzve, nxit talentet e reja dhe riaktivizon ato të vjetrat, krijon një atmosferë të tillë, e cila ribashkon zemrat dhe impulson dëshirat për projekte të vjetra të lënë në harresë dhe të rejat si dëshirë e proceseve krijuese.

M’u desh ta bëja këtë parahyrje të shkrimit si nisje për të shprehur konsideratën për poetin, prozatorin dhe studiuesin piluriot, Kristo Çipa, i cili ishte promotori organizativ i Festivalit të Polifonisë Labe “Netët e Bejkës së Bardhë” në Pilur, në këto ditë dhe netë të verës, ku u përfshinë 23 grupe dhe 250 këngëtarë e instrumentistë. Që kur ishte gjallë poeti i madh Lefter Çipa, ky projekt nisi me një emërtim poetik dhe mjaft të njohur: “Netët e Bejkës së Bardhë”, prandaj emri i Lefterit është në fillesë të këtij aktiviteti, ashtu si dhe vargjet e tij “strehohen” e marrin frymë në mjaft këngë të polifonisë së Bregut të Detit dhe në tërë Labërinë.

Kënga e ka vetë zjarrin në indet e notave muzikore, në zërat e mrekullueshëm të polifonisë, çështja është që këtë zjarr të mos e lejosh të shuhet dhe ta nxjerrësh nga shpirti “i fjetur” i njerëzve për të ngrohur dhe ndriçuar edhe të tjerët me ngrohtësinë dhe dritën e tij. Të gjendesh në sofrën e këngës labe në Pilur, në këtë manifestim madhështor, me këngëtarë, valltarë, instrumentistë, burra e gra simpatike e të veshur si për festë, e sidomos, me grupet e fëmijëve- artistë, ndjen një ripërtëritje të kësaj tradite, që tashmë është pasuri e UNESKO-s, por, përmes kësaj ripërtëritje, kupton se arti i popullit ende gjallon dhe mbetet i freskët, emocionues e me vlera të shumëfishta. Çështja është se si këtë art ta bëjmë sa më të pranishëm dhe t’ia shtojmë hijeshinë e tij përmes një manifestimi të tillë jo vetëm para shqiptarëve, por edhe përpara të huajve, sepse Bregu kësaj vere ishte plot me turistë të huaj, të cilët e ndoqën me interes dhe me kënaqësi këtë veprimtari artistike, madje, edhe duke u shprehur të mrekulluar për këtë.

Por, le të kthehemi te Festivali Folklorik. Grupe të tilla polifonike si ai i Delvinës, Bençës, Tepelenës, Sarandës, Hormovës, Zagories, Gumenicës, Dukaj i Tepelenës, Gjormit, Velçës, Sevasterit, Vajzës, Mallakastrës, Kuçit, Vranishtit e mjaft të tjerë, krijuan një atmosferë përndezëse dhe, kur u ngjitën secila sipas radhës në skenë, i dhanë Pilurit përfytyrimin e një amfiteatri madhështor në prehër të maleve të Vetëtimës, dhe jehonat e këngës përhapeshin brigjeve të Jonit, duke u shtuar jo vetëm njerëzve, por edhe detit disa valë të kënaqësisë nëse përdorim këtu një figurë letrare. Një pasuri e tërë folklorike me këngë për Çelo Picarin, Zenel Gjolekën, Rrapo Hekalin, Ali Pashë Tepelenën, Hodo Nivicën, Jaho Çininë, nuk ishte e tillë thjeshtë si larmi, por edhe si fuqi dhe ëmbëlsi e zërave polifonikë, duke shkrepëtirë mbi malet e Labërisë, me një epikë të mrekullueshme. Zërat e veçantë dhe melodiozë u dhanë teksteve të këngëve, vërtet të bukura dhe ato, një përcjellje përmes realizimit artistik të tyre, që jeton gjatë në ndjesitë e njeriut që e do këngën.
Artisti i famshëm i grupit të Bençës, Golik Jaupi, i cili ka 50 vjet që është këngëtar i polifonisë, shpërtheu me këngën e tij “Ngarkuar supet me këngë” dhe sidomos me këngën kushtuar Lefter Çipës: “Ngrehu edhe një herë në këngë”. Pranë tij qëndronte këngëtari Xheladin Beqiri me zërin si shkrepëtimë, që elektrizoi njerëzit, e sidomos turistët e huaj nga Spanja, Anglia, Franca, Italia, Hollanda, Austria të shumtë pjesëmarrës aty. Një grup tjetër virtuoz ishte ai i “Kaonëve” të Delvinës, ku mjeshtri Ajeta Duka i këndonte Janinës dhe Ismail Lesko Progonatit, si dhe luftërave të përmendura për mbrojtjen e trojeve amtare.

Grupi i të rinjve të Gjormit, ashtu si, në vallen e tyre epike, edhe në këngë të tjera tradicionale, dukeshin sikur ishin vazhdim i traditës polifonike të Kuçit, me ngjarje e bëma të kapedanëve të Labërisë, tashmë ngritur e lartësuar në këngë.
Grupi polifonik i Gumenicës me mjaft elementë të rinj, e kishte ringjallur veten me këngën e shtruar për vendlindjen, njerëzit dhe emigrimin si fat dramatik i kohërave të reja i këtyre trevave.

Mjaft përshtypje bëri grupi polifonik i Zagorisë me këngëtaren virtuoze Drita Ballaj, e cila ka një jetë të tërë që nuk i është ndarë këngës dhe sot e performon atë sikur të ishte e re me një interpretim e zë origjinal. Artdashësit dhe sidomos turistët e ardhur nga Spanja, Franca, Italia, Austria, Anglia, Greqia etj, u mahnitën nga grupi polifonik i Himarës dhe e quajtën “magji” këngëtaren – mjeshtre Katina Bejleri, si dhe shokët e saj të këngës Themistokli Polo e Alqi Koçi, dhe i cilësuan me këtë fjalë kuptimplote.

Një zë i veçantë në këtë sofër të këngës labe ishte edhe grupi i djemve të Bogonicës, të cilët i drejtonte poetja e talentuar Shqiponja Pazaj Veshaj. Duhet thënë se ky grup ruan traditën e mëparshme të kësaj treve, por edhe e pasuron më tej këngën labe jo vetëm me këngë të reja, por edhe me një interpretim të shkëlqyer që realizohet nga këngëtari Ergys Limaj, i cili, brenda këtij grupi, është një zë gjëmues dhe elokuent.

Grupi polifonik i Mallakastrës me mjeshtrat: Guri Rrokaj, Muharrem Ramaj dhe Fatmir Tahiraj, krahas këngës epike për Rrapo Hekalin, ashtu si Golik Jaupi i Bençës, kishte thurur vargje të spikatura e të ndjera për poetin Lefter Çipa.
Një risi në këtë festival ishin edhe ninullat, vajtimet, logatjet, këngëtare të tilla si: Elisabeta Gjoka, Myrvete Beqaj, Drita Bello, erdhën me interpretime të këndshme e me intonacione të mrekullueshme, të cilat i ngritën peshë spektatorët-artdashës. Të veçanta ishin edhe ninullat e kënduara të grupit të Velçës, që u sollën mjeshtërisht nga këngëtarja Bejushe Bajramaj. Organizimi i festivalit folklorik “Bejkë e Bardhë” jo vetëm shënon një ngjarje të rëndësishme në kulturën dhe artin shqiptar, por ai nëpërmjet manifestimit të vlerave të këngës labe, shpreh se cilat janë mundësitë e artit dhe ndikimi i tij te njerëzit, gjë e njohur kjo, por që shpesh harrohet për t’u riaktivizuar si koncept në raste të tilla. Tekstet, interpretimet, e sidomos shtrati polifonik i këngëve dhe i valleve, shënuan një vlerë të re në pasurimin e këngës dhe të muzikës shqiptare, sidomos asaj të Jugut. Por, siç e cekëm edhe më lart, duhet thënë se arti trashëgohet si përvojë, si burim frymëzimi dhe vjen si vazhdimësi e pandërprerë me gjithë periudhat apatike që e shoqërojnë nganjëherë atë. Kështu, për herë të parë pas kaq vitesh, nga Festivali i Gjirokastrës, në skenën e “Bejkës së Bardhë” u shfaqën edhe grupet polifonike të fëmijëve, siç ishte grupi i Vllahinës i Vlorës përgatitur nga mjeshtri Viron Llaci. Nuk mund të harrohet këtu, si një kurorëzim i këtij informimi, grupi i Pilurit, vendit organizator.
Ky ansambël polifonik, me mjeshtrin e madh Kristo Çipa, kohët e fundit ka realizuar edhe një film dokumentar mbi polifoninë shqiptare, nën kujdesin e Këshillit të Evropës dhe ky film është shfaqur edhe në Bruksel. Në këtë madhështi të folklorit shqiptar, mund të themi se këto grupe ishin bartëse dhe tejçuese të një tradite të vjetër të polifonisë labe, duke e pasuruar atë me krijime këngësh dhe melodish të reja, por gjithmonë pa e deformuar hijeshinë dhe profilin shekullor të këtij krijimi artistik të mrekullueshëm.
Ky grup e mban emrin “Bejkë e Bardhë” dhe është një magji më vete, një lartësim i kuptimit të dëshirueshëm dhe të realizueshëm mbi vlerat e polifonisë, ku poeti dhe folkloristi Kristo Çipa, e ka ngritur në lartësi të reja. Midis këngëtarëve dhe valltarëve të rinj, këngëtarja e “Bejkës së Bardhë” Vasillo Lapa, si dhe fyelltari Milto Gjiçali, (ky i fundit fitues i disa çmimeve kombëtare), spikatën fort dhe i dhanë një kënaqësi të madhe publikut, i cili e ndoqi me ëndje të madhe këtë paraqitje artistike të këtij grupi, duke duartrokitur nxehtësisht. Ky ansambël polifonik, me mjeshtrin e madh Kristo Çipa, kohët e fundit ka realizuar edhe një film dokumentar mbi polifoninë shqiptare, nën kujdesin e Këshillit të Evropës dhe ky film është shfaqur edhe në Bruksel. Në këtë madhështi të folklorit shqiptar, mund të themi se këto grupe ishin bartëse dhe tejçuese të një tradite të vjetër të polifonisë labe, duke e pasuruar atë me krijime këngësh dhe melodish të reja, por gjithmonë pa e deformuar hijeshinë dhe profilin shekullor të këtij krijimi artistik të mrekullueshëm.
Në këtë ngjarje të madhe kulturore-artistike, poetët, këngëtarët, instrumentistët përcollën me virtuozitet kolonat zanore, ritmikën dhe harmoninë e polifonisë, duke mbajtur gjallë këtë traditë e duke e pasuruar atë me krijime të reja. Edicioni i shtatë i Netëve të “Bejkës së Bardhë” evokoi mjaft figura që nuk janë më dhe kanë kaluar në përjetësi qoftë me këngë kushtuar atyre, qoftë me këngë të thurura prej tyre, siç është rasti i poetit të shquar të Pilurit, Lefter Çipa e të mjaft virtuozëve të tjerë të këngës popullore si: Maliq Lila, Kujtim Mici, Nertesi Asllani, Feti Brahimi, Selim Hasani, Xhebro Gjika etj.

Siç u tha në fjalën përshëndetëse: “Kënga labe është si lum i lashtë që buron nga thellësia e kohës dhe vazhdon të rrjedhë drejt së ardhmes me madhështinë e saj” dhe kjo është një e vërtetë shekujsh, ashtu edhe ky aktivitet shënoi një vazhdimësi të pandërprerë të kësaj këngë, duke e afruar më pranë njerëzve në një veprimtari të përgatitur mirë edhe nga ana regjisoriale, në brigjet e Jonit, në këtë sezon turistik. E veçantë tjetër e këtij aktiviteti artistik ishte se aty u prezantuan kostumet, ritet dhe zakonet e zonave të ndryshme të Labërisë, sepse dihet që folklori ka karakter sinkretik, duke dëshmuar vlerën e padiskutueshme etnografike të lashtë të popullit tonë, një pasuri tjetër më vete e harmonizuar me këngët. Llojshmëria e këngëve, nga ato epike me tekst e timbër burrëror deri tek ato lirike elegjiake e logatjet, sollën gjithashtu një larmi dhe e pasuron repertorin e zhanreve dhe të tematikës së krijimeve popullore.

Poeti Delo Isufaj, duke ndjekur festivalin thotë: “E rëndësishme është që është ruajtur dhe pasuruar më tej shtrati polifonik, duke fituar vlera të reja”. E veçanta e këtij festivali ishte pjesëmarrja e këngëtarëve të rinj duke dëshmuar vlerën artistike, fuqinë tërheqëse të këtyre këngëve, traditën dhe modernitetin që paraqesin ato, çka tregon se folklori nuk i përket më së kaluarës si një traditë e konservuar në aspekt historik, përderisa ai ka ndjekësit e tij, krijuesit dhe adhuruesit e këngës popullore, sidomos te brezi i ri. Mund të sjellim këtu rastin e këngëtares Gloria Rukaj, vetëm 12 vjeç, që ishte zëri më i njomë i Ansamblit “Djemtë e Bogonicës”, si një gonxhe e çelur midis zërave të Labërisë. Autenticiteti i këtyre këngëve dhe bukuria artistike që ato manifestojnë na bën të mendojmë se nuk duhet organizuar vetëm një festival i përvitshëm, i cili tashmë ka marrë një vlerë organizative e realizuese në Pilur në sajë të organizatorit të palodhur, folkloristit Kristo Çipa e të Bashkisë Himarë, por mund të gjenden fonde e mundësi mbështetëse për veprimtari të ndërmjetme vjetore në muaj të veçantë, sepse mundësitë janë, mjafton dëshira e mirë. Vlerë tjetër ky festival pati se ai u organizua në kohën e sezonit turistik dhe ishte një rast i mirë i volitshëm dhe praktik, që krahas publikut shqiptar, këtë event artistik të mrekullueshëm ta shijonin edhe turistët e huaj. Dhe kjo është një paraqitje dinjitoze e vlerave kulturore-artistike të kombit shqiptar në kontakt me botën.