Ruzhdi Gole: TRIKO VERE, KËMISHË DIMRI
Tregim
– Si ndjehesh?
– Me ca pickime…
– Të pickojnë bletët? – bëri shaka gjatoshi.
Tjetri, edhe më gjatosh, ia ktheu:
– Tani më pickove ti.
– Paske ftohtë?
– Ndonjëherë.
– Edhe në korrik?
– Triko sikur të vesh nuk ngrohem. Ti e di.
– Po, po, e di. Unë me këmishë të trashë e me pullovër kaloj gjysmën e dimrit.
– Sportist ti. Mundës rekordesh. Por…
Më gjatoshi donte t’i kujtonte pak të shkuarën mundësit… Heshti.
– Ç’do më thuash?- e pyeti gjatoshi përkrah.
Heshtja iu çarmatos më gjatoshit.
– Sportist ti, mundës rekordesh. Mos u vish vetëm me triko këtë dimër. Kalove në teh.
– Fat jeta, fat! Faleminderit prej teje! Shpëtuam të gjithë mama, vajza, gruaja, unë. Shpëtuam prej teje.
– Mos e thuaj këtë, mos e thuaj. Fati juaj! Mjekja, barnat, ai lart…
– Eh, sa ikën… Sa ikën? Turmë fatkeqësh!
– E di ç’mendoja atëhere kur kthehesha në shtëpi? Po sikur të zija unë shtratin kush do t’ju rrinte afër? Ç’do të ndodhte me ju?
Asnjëherë më gjatoshi dhe gjatoshi nuk kishin prishur qejf. Kur njeri prej tyre, përshembull, më pak gjatoshi nxehej, tjetri ulte zërin dhe ia kthente me të qeshur: – ke të drejtë, ke të drejtë! (Edhe kur s’ke të drejtë, o gjatosh – përtypte në heshtje fjalët e veta i urti).
– E bëre vizitën tek kardiologu?- e pyeti më gjatoshi gjatoshin.
– Po, e bëra. Edhe biçikletën. Jam fryrë ca nga shëndeti.
– Lëre duhanin, lëri pijet!
– O, ooo, edhe ti, ler’, lër’… Mjaft, s’të dëgjoj dot. Veç këshilla ti, gruaja ime, vajza.
Si t’i përgjigjej gjatoshit më gjatoshi?
Më gjatoshi ishte ca vite më i madh. Por kur e pyesnin se kush ishte më kërcyer në moshë mes të dyve ai i gjegjej të tjerëve:
– Sportisti.
Këtë e besonin të gjithë veç atyre të dyve dhe familjarëve të tyre. I bëshëm sportisti, me mjekër, tipare të theksuara, herë – herë i ngrysur. Tjetri hollak, rruar e kruar çdo ditë.
Më gjatoshi i kthehej shpesh të shkuarës së. tyre. Gjatoshi mbaroi të mesmen profesionale dhe nisi të punonte axhustator tek ofiçina e sektorit të naftës në Gorisht. Ngrihej herët, mëngjesin ia kishte bërë gati e ëma, ngritur shumë më herët se ai. Ajo punonte infermiere në spital tek reparti i pediatrisë. Punonte me tre turne e dhembshura mëmë aq sa dukej sikur ajo vinte në shtëpi sa të shihte fëmijtë e burrin gjithë huqe. U bënte për të ngrënë, ua lante me dorë gjithë teshat, ua hekuroste dhe vrap vrapit fillonte punën në ndërresën tjeter.në spital. Nga natëmesnata e së dielës në mëngjesin e së hënës gjer në pasmesditë gjashtëmbëdhjetë orë rrumbullak në këmbë… punë.
Me tre fëmijë dhe burrin nopran, me mizën nën kësulë, e kreu që e kreu të mesmen për infermiere. Rrallë u bënte gjilpërat fëmijve, më shumë lante bythkat e tyre. E shihnin me bisht të syrit. Edhe nëse here pas here ia hanin hakun e punës duke ia përme ndur shkarazi si në tym emrin për të palodhur, vet ndershmëria i afrohej përhera e pastër dhe mirënjohëse. Pediatria ështe, si të thuash, agu i spitalit. Dritë prej fëmijve. Doktor Kauri, u rrinte larg infermiereve edhe sanitareve, fliste pak me to. Sa hynte tek reparti i pediatrisë vishte përparsen e mjekut dhe drejt e tek të vegjëlit. Të pinte e zeza nga ai nëse s’ishin larë e ndërruar fëmijtë. E zeza e bardhë. E Bardha e qetë, e urtë. U mirrte erë toptheve të jashtëqitjes së tyre. Nuk i rëndej e as i përzihej stomaku. I përziheshin nervat. Sa nxehej ai. Nuk jepte këshilla. Shembëlltyra e tij ishte këshilla më e mirë. Floriri i shpirtit!
Fatkeqja mëmë u gëzohej veç fëmijve dhe jo fatit bashkëshortor. Fëmijtë e shihnin në dritë të syrit perëndinë e tyre. I biri i saj, gjatoshi punonte gjer në mesditë dhe kthehej nga sektorit i naftës me makina të rastit. Atletikën e donte shumë, përpiqej të arrinte më të mirën në hedhjen e diskut e të gjyles. I vunë nofkën “kokëgjyle” gjatoshit.
Po edhe më gjatoshi dinte ç’të rrëfente nga e shkuara e vet ku fëminia e gjatë dhe e rrëmbyeshme, asnjëherë fajtore, shpesh e penduar dhe po aq e papenduar të ngacmon. Fëmini e lirë dhe e penguar. Një e shkuar që mua më duke e imët, trupvogël, trrallisëse, e trazuar, e ndjeshme. Më se e ndjeshme sot. Ajo e shkuar jo vetëm dukej por edhe shprehej, ndonjëherë e plotë, ndonjëherë gjysma, ndonjëherë e shpejtë, e përmbajtur. Dëgjoheshin plot bëma asokohe. Veshi i dëgjonte të plota të gjitha, po herë-herë dhe kjo ndodhte herazi, veshi i majtë e mbyllte si me thënë, e kyçte timpanin e tij.
Me se e kyçte?- më pyeste habia, – Si u mbyllka veshi? Me dyll? Me rrëshirë? Me tul buke? Me top zbukurimesh dhe rrenash?
Jo, or jo, veshët kyçeshin me heshtje, me një heshtje aq të thellë sa edhe ata vet, ndonëse dëgjonin të dy njësoj, të nesërmen dëgjonin secili ndryshe, secili për hesap të vet. Njeri vesh dëgjonte më shpejt e më shumë se tjetri. Si moti : shiu bie për të gjithë njësoj por jo të gjithë e dëgjojnë në të njëjtën kohë e me të dyja veshët. Shiu, babashiu, s’i lag të gjithë njësoj. Njerit i lag kokën, tjetrit hundën. Dikujt prapanicat.
O fyell, o skërfyell – ia ndërpreu këtë ligjëratë me vesh e me daulle, me shi e me dylltulebukerrëshirë, top zbukurimesh e rrenash heshtja: – Ti sikur do na rrëfenje? Të iku filli a t’u këput?
Ah, po, po – iu gjegj heshtjes falja, mirësjellja dhe pendesa e afërme e njeriut.
(Fëmini, fëmijë ahere… Po ecja në rrugë me motrën e vogël katër vjeçe. Ktheheshim nga kopshti motër e vëlla. Motra bufalaqe, veshur me pantallona të shkurtra me rripa, me një triko të thurrur nga mëma jonë. Bënte vapë. Ndala me motrën t’ia hiqja trikon. Ia hoqa. Bluza kishte dalë nga pantollat dhe unë u hutova një hop. S’dija ç’të bëja. Me një dorë mbaja trikon dhe çantëzën, me tjetrën përpiqesha t’i rregulloja bluzën motrës.
Kur… kur në vrap e sipër një çunak si unë a paksa më i madh ma rrëmbeu trikon nga duart dhe ia mbathi. Oo, të qarat e mia, ooo, të qarat e motrës, vu-vu, fshij lotët tona e sytë e njeri-tjetrit. Ajo triko mua më ka mbetur në sy gjatë për shumë kohë. Herë më bëhej sikur e shihja akoma duke u thurrur nga gishtat e mëmës, nga gishtat se shtizat nuk ia shihja noke nënokes. Herë e shihja trikon sikur edhe ajo rritej bashkë me motrën time dhe i shkonin bukuri vërsnike njeratjetrës.E pashë edhe disa herë atë çunakun grabitës. Fjala “çunak” është shumë ledhatuese e u shkon për shtat fëmijve ëngjëllorë dhe jo të këqinjve.
Për të grabitur duhet guxim, çartje, kokëkrisje, moskokëçarje? Hovje, dredhi, kërcim këmbalec? Ndjekje, përndjekje ballaz, këmbadoras?
***
– Vajzat, gjatosh janë si Pinat e detit. Nuk njihen të mbyllura. Kur i sheh shpejt duken të bukura.
– Për mua, çdo vajzë është e bukur. Jo çdo vajzë, jo, por ajo që pëlqejnë sytë e mi. Nuk e di pse jam kaq i ndrojtur.
– Pina ka guackë të fortë, o gjatosh. Përhera ajo është e bukur vezullim ujor.
– Mua, vajzat më duken si të mbështjella me guackë. Prandaj kam frikë t’u afrohem.
– Vajzat duhen zbuluar si pinat, o gjatosh. Mos ki droje! Je mashkull.
Më gjatoshi e ngacmonte gjatoshin me i nxjerr nga vetja e tij drojen, frikën.
– A ke dëgjuar ti, gjatosh për mëndafshin e detit ?
– Hiç – iu gjegj ftohtë tjetri më gjatoshit. S’kam parë gjer më sot asnjë pinë.
– Ke për të parë pina, ke për të parë…
Sa e kuptoj gjatoshi më gjatoshin? Pina rri në shkëmbinj. Herë-herë në thellësi të detit.
– Ke për të parë, o djalosh- i përsëdyti fjalët e tij më gjatoshi. Vajzat janë pinat e tokës.
– Ooo, ooo… – u gëzua e u skuq paksa gjatoshi se tani e kuptoj ç’është në të vërtetë Pina e tokës. Ai në tokë jetonte, por ende s’u afrohej pinave vajzërore.
– Prit, prit, o gjatosh! S’është aq e lehtë. të shohësh pina. Duhet të kridhesh në Porto Palermo ose më mirë unë them në Ksamil. Të mos të të lodhen këmbët e as shpatullat. Mos të të djegin sytë nga kripa. E mbi të gjitha mos të të bubullojë shpejt zemra. Më kuptove, o djalosh?
– Diç – iu gjegj tjetri. – diç…
Pina lëngëzon disa fije, fije të forta. Me to kapet pas shkëmbinjve. Ç’të them unë me të dëgjuar e kam nga Lin peshkatari. Ai rri gjatë në det me gjet’ ndonjë pinë – thonë dynjaja.- Por në det rrallë, shumë rrallë sot mund të gjej ndonjë pinë veç peshkatari i rregjur.
– Të jetë e vërtetë kjo? – u habit gjatoshi.
Nga fijet e lëngëta që lëshojnë pinat, ata që merren me k’si punësh, nuk e di se ku, në laborator, në ndonjë punishte prodhojnë një pëlhurë të rrallë dhe shumë të shtrenjtë. Quhet Mëndafshi i Detit.
– E ke parë ndonjëherë ti këtë pëlhurë?- e pyeti gjatoshi më gjatoshin.
Askund – iu gjegj tjetri prerazi. – Po, po e kam parë-hovi përpjetë më gjatoshi plot frymezim. – Vajzat janë Mëndafshi i Detit në Ksamil. I detit dhe i tokës.
Gjatoshi qeshi, ngriti gishtrinjtë e të dy duarve lart, shihte buzëdetin dhe gazmoi:
– O vajza, o Mëndafshe ku jeni?
Secili prej nesh shihte një pamje Një pamje të ngrohtë, një pamje fluturake që ngjitej, mbrrinte përkrah pamjeve të tjera.
Një ditë, thëllim bore, gjatoshi do nisej ushtar. Ushtar në Shishtavec. E përcolli vet më gjatoshi tek dega ushtarake. Mëma e tyre vrapvrapit për në spital tek reparti i pediatrisë, ati i tyre… nuk dihej kur kthehej në shtëpi. Ku rrafsha mos u vrafsha! Kthehej vet ne shtëpi ati i tyre a e sillnin të tjerët duke e mbajtur prej krahu çakërqejf?
Sportisti ushtar ia kalonte gjithkujt në vrap, ngjitjezbritje. Shtrihej e fërkohej me borë cingërime.
Ia këputën në mes fatin atletik. Talent ai. Do ta rekrutonin ushtar në kryeqytet. E thirri një klub i njohur. Shkoi aty qeros nja dy javë, afro dyvjavë, por në çastin e fundit… Më pas, përhera ka një çast dhe jo vetëm një për t’u kthyer atje… në Shishtavec.
Aty desh e pësoi. Nuk e ftohu dimri. Ra në dashuri. Në kufi dashuria kishte kufi, kishte cak. Sportisti nuk i dinte këto. Nuk i dinte a nuk donte t’i besonte? Asnjëherë nuk erdhi me leje. Edhe kur i ndërroi jetë noke nënokja. E këqyrnin gjithandej me dylbi e binokël.
Sportisti u kthye shëndosh e mirë nga ushtria me një dashuri lënë pas. I hyri prapë punës si njëdizaj.
Përtesa është stërkëmbësh – thoshte shpesh gjyshi.
– Është uloke. E pangopur.
Hovte sportisti sa andej-këndej. I pashëm, i turpshëm përreth vajzërive. Nuk i ngjau të atit, i cili guxoi shpejt t’ia rrëmbente zemrën mëmës së vet tetëmbëdhjetë vjeçare e shpejt t’ia plagoste, gjithhera. Gjatoshi zer një punë, ler’ atë e fluturo tek tjetra, ngulu këtu, shkulu nga këtu e ngulu më tutje, kërkonte të fitonte sa më shumë veç me mundin e vet. Nuk ishte i pangopur, por i pashtershëm prej mendjes e prej krahëve. Pak nga pak i papërtuari njeri po zinte vend në truallin që i duhej, në atë truall që e mbante më të fortë e më të sigurt. Ky truall nuk rrëshqiste asnjëherë. Trualli vullnet, vullneti këmbëngulje. Shumë besim. Bleu një torno me ca hua, hapi një repart të vogël mekanik sa për vete. Punë gjithë ditën e lume gjer në mbrëmjen e vonë. Mjeshtër në torno. Sikur hyri në ujë pasi la mundjen. U mpak e u fry, i ranë flokët, nisi t’i mbahej ca goja.I ntrashej gjuha nga të pirët fundjavave. Fitonte shumë. I rrëshqisnin të hollat nga duart. Njëherë shpëtoi paqtë. Desh preu gishtat. Nuk vonoi e ra brenda. Në burg?
Jo, jo, më keq se në burg. Ra në borxhe. Në borxhe të mëdhaja. U krodh në borxhe a ia drodhën të pacipët dhe e futën në kurth? Shiti tornon për pesë lekë. Aty e pashë për herë të dytë të lotonte pas vdekjes së babait mote të shkuara. Nuk i hiqte gishtat nga tornoja gjersa erdhën dhe ia morën. Nuk ia morën. Ia përlanë. Për kokë të vet. Për kokë të një pijaneci. Kurrë nuk ia fal dehjen, kurrë!
Shumë u zgjata. Shoh sportistin e dikurshëm tani, gjatoshin. Tjetër njeri. Mendje tjetër. Më shumë e kthjellët, më pak e nxituar. Megjithatë edhe mendja e tij ndonjëherë mjegullohet nga turbullira. E shkurtër kjo turbullirë, I afrohet veç një cak. Gjatoshi po aq zemërpastër e i papërtuar. Pi me raste e k’cen def gazi. Duhan dredh ende shumë.Të dëgjon me sytë ngulur tek sytë e tu. Ndonjëherë e humbet vemendjen. Përhera duhet të bësh kujdes me gjatoshin. Puhizë e gaca ai edhe sot. Mirë a keq? Keq e mirë. Asnjëherë ai i njëtrajtshëm, asnjëherë pellg. Gurgullon, prehet, nxehet, qetohet, të buzëqesh me pendesë. Ngjarjet janë brumi i njeriut- m’u përsoll në mëndje kjo thënie e gjyshit tim dhe e gjatoshit.
– O gjysh, a më dëgjon atje ku je?
Mendja jote nuk është e shkuar. Mendja jote është e shkuar… në të tashmen.
Po veten a e shoh unë? Akoma mua më djegin pëllëmbët. Fëmijve të mi a u djegin edhe sot shuplakat e mia? Nuk e di s’e si, por mua përhera do të më djegin pëllëmbët…
***
Buzëdet gushti.
– Nga jeni?- e pyeti gjatoshin një njeri afër tij mes valëve teksa notonin në det
Gjatoshi iu gjegj: – Nga Vlora.
– Nga Vlora? – u habit ai që pyeti.
– Po ju nga jeni?
– Nga Kurbneshi- iu gjegj tjetri.
– A e njihni Roland Degën nga Vlora?- pyeti kurbneshasi. Ka qenë inxhinier në fabrikë. Unë asokohe isha kaldaist.
– Po, po, e njoh – iu gjegj vlonjati. – Është djali i mamasë sime.
Tjetri u hutua. Sikur s’kuptoi asgjë.
– Edhe djali i babait tim – i tha vlonjati.
Hutimi dhe të qeshurat sikur iu hodhën në krahë njera-tjetrës…
…S’po zgjatem më. Unë, si më gjatoshi, i hap përhera rrugë gjatoshit me mjekër, i cili vesh një këmishë e triko në dimër.
Vëllai im, bëshëm i madh, thotë se unë përhera jam streha e tij. Së fundmi, ne jemi më shumë se vëllezër. Jemi shokë…