Saimir Kadiu: BALLKANI, PËRTEJ FUÇISË SË BARUTIT
Për shumë kohë, bota e ka parë Ballkanin përmes hartës së luftërave, kufijve të ndryshuar dhe konflikteve; sikur kjo tokë të kishte lindur vetëm për të prodhuar histori tragjike.
Por Ballkani është shumë më tepër se “fuçia e barutit”. Është edhe një tokë që i ka dhënë botës mendje të jashtëzakonshme, artistë, shkrimtarë, muzikantë, sportistë dhe humanistë.
Nga Serbia erdhi Nikola Tesla, një nga figurat që ndryshuan përgjithmonë historinë e elektricitetit. Nga Kroacia, shpikësi dhe inxhinieri Faust Vrančić i Rilindjes dhe, shumë më vonë, një brez i tërë artistësh që e çuan emrin kroat në Europë.
Greqia i dha botës Odysseas Elytis dhe Giorgos Seferis, dy poetë që e kthyen Mesdheun në metaforë universale. Në muzikë, Mikis Theodorakis e bëri melodinë greke të dëgjohej në të gjithë botën, ndërsa Maria Callas u bë një nga zërat më të paharrueshëm të operës.
Nga Rumania erdhi George Emil Palade, laureat i Nobelit për Mjekësi, një prej themeluesve të biologjisë moderne qelizore. Constantin Brâncuși e çoi skulpturën drejt abstraksionit modern, ndërsa Eugène Ionesco e ndryshoi teatrin europian.
Bullgaria ka John Atanasoff, figurë e rëndësishme në historinë e kompjuterit, dhe Hristo Stoichkov, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit europian.
Nga Slovenia vjen Fritz Pregl, Nobelist i Kimise i vitit 1923 dhe Pogacar, nje nga ciklistet me te medhenj te historise
Nga Bosnja, Ivo Andrić e bëri urën, lumin dhe qytetin e Ballkanit një metaforë për fatin njerëzor.
Dhe Shqipëria & Kosova ? I dhane botës humanisten e madhe Nene Terezen, Ismail Kadaren shkrimtarin që e bëri historinë, mitin dhe tragjedinë shqiptare pjesë të letërsisë europiane; Ferid Murad, nobelistin e mjekësisë…Aktorin e famshem Bekim Fehmiu dhe sot kengetaret Dua Lipa dhe Rita Ora.
Por Ballkani nuk është vetëm emra të mëdhenj. Është një mënyrë e të ndierit. Është kafeja e gjatë, kënga që lind në një dasmë, poezia e shkruar në një dhomë të vogël, stadiumi që shpërthen nga gëzimi, manastiri, xhamia, kisha, teatri, universiteti dhe biblioteka.
Këtu kanë bashkëjetuar gjuhë, fe, perandori dhe kultura të ndryshme. Shpesh janë përplasur; por pikërisht nga kjo përzierje ka lindur një pasuri e jashtëzakonshme njerëzore.
Ballkani ka pasur luftërat e tij, por nuk është luftë.
Ka pasur kufijtë e tij, por nuk është kufi.
Ka pasur tragjeditë e tij, por nuk është tragjedi.
Ballkani është edhe Tesla, Callas, Brâncuși, Seferis, Andrić, Theodorakis, Palade, Iliade, Stanescu, Kadare, Murad, Bekim Fehmiu, Dua Lipa, Rita Ora, Stoichkov, Nene Teresa dhe qindra të tjerë.
Dhe ndoshta ky është portreti më i vërtetë i tij: një gadishull i vogël, shpesh i plagosur, por me një shpirt kulturor shumë më të madh se madhësia e tij në hartë.