Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: “Tradhti”, një fjalë e rëndë në një moment edhe më të rëndë

Fjala “tradhti” u përdor nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, natën e darkës së madhe GALA të AARC në Nju Jork me 25 shtator, për të përshkruar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë, të ish-Presidentit amerikan Joe Bidenit ndaj Hashim Thaçit, pas vendimit në Hagë. Rama më pas sqaroi se me “tradhti” nënkuptonte bindjen e tij se Amerika mund të kishte bërë më shumë dhe se nuk duhej lejuar që procesi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së të fillonte. (Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave⁠).

Sido që ta arsyetojë Rama, fjala “tradhti” është e rëndë në vetvete, por koha kur u shqiptua kjo fjalë, mu në zemër të Nju Jorkut, e bën atë edhe më të rëndë.  Ishte vigjilja e mbërritjes së ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt. Dhe pikërisht të nesërmen, më 26 shtator, ambasadori Wendt paraqiti kredencialet e tij Presidentit Bajram Begaj, duke nisur, zyrtarisht, misionin e tij diplomatik në Shqipëri. Presidenti Begaj theksoi me këtë rast se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i domosdoshëm për interesat kombëtare të Shqipërisë. (President⁠).

Me këtë shkrim nuk dua të them se Kryeministri i Shqipërisë duhet të heshtë për çështje që prekin Kosovën.  Përkundrazi.  Shqipëria ka të drejtë të ngrejë zërin për Kosovën dhe për fatin e drejtuesve të saj.  Por ka mënyra dhe momente për ta bërë këtë.  Por përdorimi i fjalës “tradhti” ndaj Shteteve të Bashkuara, në një darkë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork, nuk është mënyra e përshtatshme për një shprehje të tillë. Sidomos në praninë e gjeneralit Wesley Clark, dhe në prag të fillimit të detyrës së ambasadorit të ri amerikan në Tiranë. Kjo kërkon të paktën një reflektim.  Sepse marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë shumë më të mëdha se një mosmarrëveshje politike e momentit dhe shumë më të rëndësishme se një person, qoftë ai edhe Edi Rama. Unë e them këtë edhe nga përvoja ime personale.  Për gati 30 vjet në Washington kam qenë dëshmitar i qëndrimeve të forta të ish-senatorit Joe Biden dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë, në mbështetje të Kosovës, gjatë 80-ave dhe 90-ave të shekullit të kaluar. E kam parë nga afër se çfarë do të thoshte për shqiptarët e Kosovës të kishin miq si senatorin e atëhershëm Joe Bidfen në Senatin amerikan, në vitet më të vështira për Kosovën dhe për shqiptarët.

Prandaj, kur dëgjoj sot fjalën “tradhti”, nga një kryeministër shqiptar nuk mund të mos pyes: A kemi harruar kaq shpejt?  A kemi harruar se ku ishte Kosova dhe çfarë mbështetjeje kishte nevojë të merrte nga Washingtoni zyrtar, atëherë dhe sot?  A kemi harruar zërat ndër më me influencë të politikës amerikane që folën për Kosovën dhe për të drejtat e shqiptarëve kur shumë çka ende nuk ishte vendosur për fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve atje. Dhe a nuk duhej që, në atë darkë në Nju Jork, javën që kaloi, përpara se të drejtohej një akuzë kaq e rëndë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Joe Bidenit, të thuhej të paktën një fjalë për kontributin e tij të gjatë ndaj çeshtjes së Kosovës?  Sidomos në prani të gjeneralit Wesley Clark, i cili vetë u falënderua nga Rama për rolin e tij në mbështetje të Kosovës. (Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave⁠).

Miqësia nuk do të thotë të mos kritikosh.  Miqësia do të thotë edhe të dish të kujtosh.  Mund të kërkojmë drejtësi për Hashim Thaçin dhe të tjerët. Mund të kritikojmë politika amerikane. Mund të besojmë se Washingtoni mund të kishte bërë më shumë. Por nuk kemi nevojë, as të drejtë, besoj unë, të përdorim fjalën “tradhti” për të shprehur një mosmarrëveshje politike, nëse mund ta quajmë të tillë, sidomos, jo ndaj një vendi që shqiptarët e kanë konsideruar për dekada si mikun dhe aleatin e tyre më të rëndësishëm – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Dhe sidomos jo në një moment kur një diplomat i ri amerikan po mbërrinte në Tiranë për të përfaqësuar pikërisht atë vend. Çfarë pandjeshmërie politiko-diplomatike nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë!  Frank Shkreli: Amerika dhe shqiptarët, një miqësi që nuk njeh kohë | Gazeta Telegraf.   Ambasadori Eric Wendt, në dëshminë e tij para Senatit amerikan, e përshkroi marrëdhënien SHBA-Shqipëri si një partneritet të mbështetur në interesa të përbashkëta dhe në angazhimin për lirinë dhe sigurinë. (Senate Foreign Relations Committee⁠). Z. Kryeministër, ky është momenti për të ndërtuar mbi këtë partneritet, jo për ta rënduar atmosferën politiko-diplomatike midis dy kombeve tona me akuza që kërkojnë prova dhe shpjegime shumë më të forta.

Pas tri dekadash në Washington, unë kam mësuar një gjë: Amerika mund të kritikohet. Miqtë mund të kundërshtohen. Por historia nuk duhet harruar dhe mirënjohja nuk duhet sakrifikuar për politikën dhe interesat e ditës të një politikani, ose një vendi. Pra, fjala “tradhti” është e rëndë.  Dhe për mua, ajo fjalë nuk duhej të ishte përdorur në atë mënyrë, në atë vend dhe në atë moment.  Sepse ndërsa ne flasim për atë që Amerika mund të kishte bërë më shumë për Hashim Thaçin e të tjerët, duhet të kujtojmë edhe atë që Amerika ka bërë për Kosovën dhe për shqiptarët kudo dhe kurdoherë. Dhe Joe Biden ishte pjesë e kësaj historie. Sa shpejt kemi harruar!

Për mua fjalimi i Edi Ramës ishte një incident diplomatik fatkeq për të, për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, për Kosovën, por edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan. Jam dëshmitar, kur në të kaluarën, komuniteti (NAAC) organizonte darka të tilla, sidomos në shtator, me rastin e takimeve vjetore të OKB-së dhe ftonte zyrtarët e lartë shqiptarë nga të gjitha trojet. Ishte një rast i mirë për tu takuar me kolegët e tyre amerikanë dhe për të festuar së bashku miqësinë e thellë shqiptaro-amerikane. Sa i përket komunitetit shqitaro-amerikan, unë për vete do të doja të kisha dëgjuar një fjali të thjeshtë nga një prej organizatorëve të darkës Gala atë natë, si përgjigje ndaj fjalës “tradhti” të Kryeministrit Rama ndaj Joe Bidenit dhe Shteteve të Bashkuara, që të thonte, ndër të tjera se, “Ne mund të kemi mosmarrëveshje me Joe Bidenin për çështje të caktuara, por nuk harrojmë kurrë atë që ai dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë për Kosovën dhe për shqiptarët kur Kosova kishte nevojë për Amerikën.”  Vetëm kaq. Do të mjaftonte, sepse ne si shqiptaro-amerikanë me përvojë të këtij vendi, duhet të dime më mire e më shumë. Duhet të dimë se mirënjohja nuk na zvogëlon. Përkundrazi, na bën më të mëdhenj. Shumë prej të pranishëmve në atë darkë e njohin mirë kontributin e Joe Biden për Kosovën dhe për shqiptarët. Dikush duhej të fliste atë natë në mbrojtje të ish-senatorit, ish-zëvendës presdentit dhe ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara. Sepse,  një popull që nuk harron miqtë e tij është një popull që respekton veten. Shqiptarët, sidomos në Amerikë, duhet të kenë guximin të themi të vërtetat, ashtu siç i dimë  Natyrisht, se si qytetarë të lirë të këtij vendi, mund të kemi pyetje dhe kritika për politikën amerikane ndaj Hashim Thaçit e çeshtje të tjera të brendshme dhe të jashtme.  Por po aq të drejtë kemi edhe të kujtojmë se Joe Biden ka qenë për dekada një mbështetës i zëshëm i Kosovës. Këto dy gjëra nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Madje, një komunitet që e njeh historinë duhet të jetë në gjendje t’i thotë të dyja

Unë nuk shkruaj këto rreshta për të mbrojtur Joe Bidenin nga kritikat e askujt, me që se politikanët janë subjekte të debatit publik por edhe vendimet e tyre duhen gjykuar me fakte. Po shkruaj se kjo që ndodhi në Nju Jork nuk duhej të ndodhte me Shtetet e Bashkuara. Sidomos jo me njerëzit, si Joe Biden dhe para Gjeneralit Wesley Clark — Komandanti Suprem i NATO-s që ka drejtuar sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e Kosovës – që në momentet më të vështira pra për Kosovën, e ngritën zërin në Washington për vite me radhë dhe vepruan kur e donte situata, për të mbrojtur Kosovën dhe shqiptarët me forcën më të madhe morale dhe ushtarake, që kishte njohur historia e botës deri atëherë.  Prandaj, përpara se të përdoren fjalë të rënda si “tradhti”, duhet të kujtojmë historinë. Dhe kujtesa ime – pas gati më shumë se prej 30 vitesh në Washington – më thotë se nuk kemi të drejtë të harrojmë aq shpejt.

—————————————————————————-

Këshilla e Gjeneralit Wesley Clark për klasën politike shqiptare gjatë një interviste me Zërin e Amerikës, në vitin 2018 – aq aktuale edhe sot në Kosovë, Shqipëri dhe gjithandej trojeve shqiptare. Frank Shkreli: Gjenerali Wesley Clark, simbol edhe i triumfit të paqes | Gazeta Telegraf

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për kërcënimet ndaj Kosovës, Gjenerali Clark u përgjegj kështu:

“Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjesht pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një nga kuvendet fetare, ku merr para të mjaftueshme për të jetuar, por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur. Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike, sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt, por nën komunizëm njerëzit në pushtet kontrollonin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë, në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monako, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur dhe ndershmërisht. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë — krenaria për të shërbyer në sektorin publik, krenaria për sakrificën në shërbim të publikut”, ka thënë Gjenerali Wesley Clark për “Zërin e Amerikës”