Albspirit

Media/News/Publishing

Naum Prifti: Kujdes me kë ulesh në klub

Bardhok Sulejmanin e njoha në fillim të viteve ’70, gjatë takimeve zonale të grupeve amatore të teatrit ose estradës. Në atë kohë ai ishte Drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Rrëshen dhe natyrisht e kishte për detyrë të shoqëronte grupet artistike të rrethit në takimet zonale dhe aktivitetet kombëtare, ndërsa unë shkoja si anëtar jurie.  Më pas ai shkroi dramën “Themele të forta“, e cila u vu në skenë nga grupi amator i Rrëshenit, madje fitoi edhe një çmim në konkurrimin zonal. Drama u bë shkak të afroheshim edhe më shumë me njeri-tjetrin dhe të miqësoheshim. Kjo ngjau atëhere kur Bardhoku ia dërgoi veprën Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri“, për ta botuar si libër më vete në kolanën e dramave. Fare rastësisht redaksia përkatëse ma dha për reçension. Drama kishte nevojë të redaktohej me kujdes që të arrinte nivelin e botimit, mirëpo sipas rregullores së Shtëpisë Botuese, recenzenti nuk mund të ishte njëkohësisht edhe redaktor. Atëhere iu luta Perikli Jorgonit, redaktorit përkatës në seksionin e poezisë dhe të dramës, ta redaktoja me dëshirën time, pa kërkuar shpërblim dhe pastaj le t’ia jepte dikujt tjetër për redaktim, sikurse ishte procedura normale. Sapo përfundova redaktimin, e thirra Bardhokun të shihte ndryshimet që të mos i binin të papritura kur të botohej. Duke i mbetur besnik tekstit, u kujdesa t’u jepja dialogjeve dhe replikave ngjyrime më ekspresive. Bardhoku mbeti i kënaqur si nga shtesat, si nga shkurtimet dhe i miratoi ndryshimet duke më falenderuar përzemërsisht. Perikliu, pasi pa faqet e redaktuara, e gjykoi të panevojshme t’ia jepte dikujt tjetër, se sikurse tha ai “s’ka çfarë t’i bëjë më“. Drama u botua dhe Bardhoku hyri në radhën e dramaturgëve. Sa herë takoheshim më shprehte mirënjohjen e vet për ndihmën shoqërore. Gjatë jetës njeriut i takon të njihet me shumë njerëz, por natyrisht nuk miqësohet me të gjithë, mbasi njohja dhe shoqëria janë dy gjëra të ndryshme. Gjithmonë më kujtohet sentenca e një filozofi të Greqisë së Lashtë, të cilën na e përsëriste mësuesi i shkollës fillore, Kiço Prifti: “Të njohur shumë, miq pak, shok asnjë“!

Autoritetet e rrethit e donin dhe e vlerësonin Bardhokun, jo vetëm se ia kishin nevojën për sferën e propagandës dhe të kulturës për aktivitetet artistike, por veçanërisht për karakterin e tij të butë dhe të shkueshëm.

SULEJMANËT KATOLIKË

Nga mbiemri, gjithkush Bardhokun e pandeh mysliman, ashtu sikurse edhe unë, ndaj befasohet kur mëson se i përket besimit katolik. Për mua që në radhë të parë çmoj vetitë e karakterit, përkatësia fetare nuk ka patur vlerë dhe as më ka shërbyer si kriter për të zgjedhur miqtë dhe shokët. Mbiemrat muslimanë te katolikët janë dukuri më e rrallë, sesa mbiemrat e krishterë te myslimanët dhe kjo ka arsyet e njohura nga etnologët. Besoj se historia e mbiemrit të tij paraqet interes antropologjik, prandaj po e tregoj hollësisht.

Nagjerja ka ndodhur në kohën e islamizimit të vonshëm në fshatrat rreth Perlatit të Epërm. Një familje e sapokthyer në fenë islame, që e kishte fejuar vajzën me një djalë katolik nga Perlati, nuk e prishi fejesën. Sipas besimit popullor, fati i parë duhet ruajtur. Veç kësaj besëtytnie pagane, familja e vajzës do kishte pasoja të pakëndshme po qe se e shkartiste fejesën, sikurse përlyerja si e lëshuar nga i fejuari, detyrimi për të kthyer të hollat që kishte marrë, pagesë dëmshpërblimi e ndofta edhe gjakmarrje. Martesat mikste pranoheshin pa kurrfarë problemesh nga familjet e sapo konventuara islame, për shkak se lidhjet krushqërore ishin kryer kur të dy palët i përkisnin të njëtit besim. Ndërkohë, famija e burrit të saj katolik ishte në gjak me një familje tjetër po katolike. Gjakmarrja ia shkurtoi jetën dhëndrit të ri, në kohën që nusja e tij sihte shtazanë. E mbetur pa përkrahje dhe pa mjete jetese, ajo u detyrua të kthehej në gjiri, te prindërit e saj. Djalit të sapolindur, dajallarët ia vunë emrin Sulejman, sikurse e donin normat e fesë myslimane që kishin përqafuar. Në Mirditë djemtë konsideroheshin të rritur dhe të pjekur për veprime të pavarura kur mbushnin gjashtëmbëdhjetë vjet, pra kur fitonin të drejtën të mbanin armë. Me të arritur atë moshë, fisi i tij nga ana e babait kërkoi që Sulejmani të kthehej në gjirin e tyre, në lisin e gjakut. Dajallarët muslimanë nuk pranonin ta lëshonin nipin. Fisi katolik nga ana e babës kërkoi që çështjen ta zgjidhnin pleqtë sipas Kanunit. Cila anë kishte të drejtë? Gjobarët e zgjuar e ndanë sherrin duke e lënë në dorën e djalit të zgjidhte midis “lisit të gjakut dhe lisit të tamlit“. Sulejmani vendosi të kthehej te kulla e babës në Perlat, ku rimori fenë katolike, por ndërkohë emri i mbeti ashtu siç e kishte, Sulejman. Fëmijtë e tij njiheshin “djemtë e Sulejmanit“ dhe fëmijët e fëmijëve nipat dhe mbesat e Sulejmanit. Me emrin zuri fill rrënja e fisit të ri. Që atëhere kanë kaluar shtatë a tetë breza, çka na lejon të besojmë se ngjarja i përket mesit të shekullit të kaluar.

Çdo nëpunës që shkon me shërbim në një qytet tjetër, vrapin e mban te sporteli i hotelit për të siguruar vendin e fjetjes. Kriza e hoteleve tani është shtrirë edhe në qytetet e vogla. Prenotimet nuk praktikohen, as nuk vlejnë, për shkak se sportelistët duan të zhvatin ndonjë ryshfet të vogël nga çdo klient. Shtrati parapaguhet me para në dorë çdo natë. Mirëpo në Rrëshen druhem të zë vend në hotel, mbasi e di se edhe po të parapaguaj, Bardhoku s’më lë të fle atje. Njëherë u regjistrova, pagova dhe shtrati mbeti bosh. Apartamenti i tij ka standardin tonë të përkorë, dy dhoma e një kuzhinë. Aty banon bashkëshortja, katër fëmijët e tyre, prindërit e tij dhe një mbesë, vajza e motrës, e cila vazhdon shkollën e mesme. Për hatërin tij, që të flija në dhomë më vete, ata u ngushtuan asaj nate te e ndara tjetër dhe në kuzhinë. Duhet të kesh zemër të gjerë të ftosh miq në ato kushte. Ndoshta në kohën e sotme, vetëm mirditorët që çmojnë traditat e lashta, bëjnë sakrifica të tilla për mikun.

KUJDES

Ndërsa po shkonim nga Shtëpia e Kulturës te kafe-klubi i qytetit, më i preferuari, ku pinë kafe edhe autoritetet lokale, Bardhoku më porositi në mënyrë të përmbajtur dhe konfidenciale: “Dëgjomë një çast. Mos u ul në kafe me N.N.“, buzëqeshi paksa si për të më kërkuar ndjesë që po më jepte një urdhër kaq kategorik. “Disa javë më parë, i arrestuan të atin për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit“. Pra, tani familja e tij u damkos dhe unë duhet t’i mënjanohesha djalit të tij. Kush qe ai? Emri nuk më zgjoi asnjë qelizë kujtese dhe ndoshta atë person nuk e kisha takuar kurrë. As tani nuk ia kujtoj emrin ose mbiemrin. “Nuk e njoh“, u mbrojta unë, mirëpo Bardhoku ma priti: “Po mbase të njeh ai dhe të fton për një kafe“. Si mund të më ftonte pa më njohur, nuk e kuptoja. Ndërkohë Bardhoku vazhdoi me paralajmërimet e tij dashamirëse. “As me Gjok Becin mos rri, se puna e tij nuk është sqaruar ende plotësisht. Më kupton? S’ke pse të vihesh në pozitë“. E dija se autoritetet e rrethit e morën me këmbët e para poetin Gjok Beci, sapo dëgjuan se ai e kishte cilësuar Stalinin “satrap“ a “gomar“, në një tryezë klubi. Dikush nga shokët e tij e denoncoi në Komitet të Partisë dhe aq u desh: Gjokës i hoqën të drejtën e botimit dhe po e përplasnin nga një skaj i Mirditës në tjetrin me detyra të dorës së fundit. Historinë e tij të dhimbshme ma kishte treguar në mirëbesim po vetë Bardhoku. Nuk kisha patur ndonjë lloj shoqërie me Gjokën, por e dija mirë se kishte shpirt fisnik dhe kurrë nuk i vinte në pozitë dashamirët e vet. “As me atë arsimtarin e fizikës, mos u shoqëro“, vazhdoi Bardhoku. “Këtë duhet ta njohësh se e ke nga Tirana; ai vetë është djalë i mirë, veçse ia prishi biografinë xhaxhai“. E njihja, madje kisha qenë për vizitë në familjen e tij. Spiroja ishte djali i Filipit, vëllait të Koço Theodhosit, ish -anëtar i Byrosë Politike, Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, ministër i Industrisë. Koçoja u kritikua nga partia që nuk mundi të nxirrte aq naftë sa ishte planifikuar, u akuzua për sabotim, e përjashtuan nga Byroja Politike, pastaj e shkarkuan nga funksionet e ministrit dhe së fundi e emëruar drejtor të fabrikës së pasurimit të bakrit në Kurbnesh. I vetmi nga anëtarët e Byrosë Politike që vinte nga “shtresa e lartë“, i vetmi që përqafoi lëvizjen komuniste jo nga urrejtja për të pasurit, as nga synimi për t’u rrëmbyer pasurinë, por për idealet që besonte. Gjithë pasurinë e tij e shkriu për komunistët qysh në kohën e luftës, ndërsa pas lufte, inxhinieri i ri, gjithë energjitë shkencore ia kushtoi ndërtimit socialist. Nuk dihej nëse emërimi (internimi) në Kurbnesh ishte shkallarja e fundit, apo do të vazhdonte e tatëpjeta edhe më tej. Nga frika se mos gabonte, drejtori druhej të merrte vendime dhe çdo çështje ia linte në dorë Dedës, sekretarit të organizatës bazë, kushëri i Bardhokut. “Si të thuash ti Dedë, si të duash ti Dedë“! Këto qenë fjalët e ish-anëtarit të Byrosë Politike për t’u shpëtuar telasheve dhe akuzave të mundshme, mirëpo as aty nuk e lanë gjatë. Një natë erdhi furgoni i Degës së Brendshme të Tiranës dhe idealistin e hershëm komunist, e prangosën dhe e rasën brenda tij. Pasi e burgosën, e akuzuan si pjesëtar të grupit të ashtuquajtur sabotatorë në fushën e ekonomisë dhe gjykata e dënoi me vdekje. Kësisoj komunisti veteran u pushkatua si armik. Ku e si u zhvillua gjyqi, si u motivua dënimi që iu dha, në ç’vend u pushkatua, ku u varros – të gjitha u mbështollën me fshehtësi të padepërtueshme nga Sigurimi i Shtetit.

Baxhanaku im, Petër Karamitri, e kishte dajë Koço Theodhosin, vëllain e nënës. Disa kohë pasi Koçon e shpallën armik, Petrin e shkarkuan nga posti i kryeinxhinierit të Uzinës së telave dhe kabllove, me preteksin se gjasme kishte importuar një makinë telash që nuk po e arrinte kapacitetin. Pas pak e përjashtuan edhe nga partia, pavarësisht se babain e kishte dëshmor. Në sytë e dogmatikëve daja peshonte më shumë se i ati i tij, dr. Jorgji Karamitri, “mjeku i partisë”, i masakruar nga gjermanët, emrin e të cilit e mban spitali i Shkodrës dhe një rrugë e qytetit. Disa muaj më vonë, ndërsa ndodhesha për vizitë te shtëpia e tyre në Shkodër, Julia, nëna e Petrit, shprehu dhimbje të sinqertë për vëllain e saj: “Po pse me pushkatim”? pyeti. “Ç’rrezik mund t’u vinte nga një plak? Jo deri këtu, jo”! Dhe pastaj heshti, sepse e dinte  ku e kë qëllonte ajo bisedë.

Sipas traditave të lashta, Bardhoku më ka marrë nën mbrojtje, si mikun e tij, natyrisht pa e përdorur fjalën “ndorje“, a besë. Në një qytet të vogël si Rrësheni, me një shesh kaldrëmi në mes sa një fushë basketbolli, çdo i ardhur bie në sy, shihet me kë shoqërohet, ku e pi kafenë, madje edhe me cilin takohet. Këshillat e tij synojnë të më ruajnë nga përgojimet e syshqiponjave, apo nga letrat denoncuese që mund të më ndjekin pas. Bardhoku e njeh mirë mendësinë e provincës, sidomos të rrethit të Mirditës. Natyrisht në të gjitha rrethet e njëjta psikologji zotëron. “Rri vetëm me Zefin“, më porositi Bardhoku pas pak. Zef Nikollën e njihja qyshkur qe student i degës së dramës në Institutin e Arteve. Pasi u diplomua aktor ëndërronte të zinte vend në ndonjë trupë profesioniste, por Ministria e emëroi regjisor të Shtëpisë së Kulturës në Rrëshen. Tani puna e tij kufizohet me amatorët, me organizimin e ndonjë aktiviteti për punëtorët e dalluar e rutinat e tjera. I duhet të presë sa të kujtohet ndonjë regjisor filmi ta marrë në ndonjë rol episodik, që të shkëputet sado pak nga ky mjedis. Gjithmonë e më shumë studentë që kryejnë Institutin e Lartë të Arteve për aktorë, këngëtarë ose instrumentistë, emërohen jashtë profileve të tyre.

Porositë mirëdashëse të Bardhokut më trishtuan. E pamundur të orientohesh me këtë lloj lufte klasash që zhvillohet në vendin tonë sot. Vazhdimisht ngjasin ngatërresa, denoncime, qortime për mungesë vigjilence, akuza për oportunizëm me armikun e klasës, për qëndrime sentimentale dhe rrallë herë për sektarizëm, aq sa kuadrot e ulta nuk dinë nga t’ia mbajnë. Tërmeti i Lezhës, veç dëmtimeve të rënda, shkaktoi mjaft viktima në njerëz. Qëlloi të vinte një udhëheqës nga Tirana për vizitë në fshatin ku kishte patur më shumë viktima dhe shkatërrime. Sekretari i organizatës bazë dhe kryetari i këshillit popullor i raportuan me krenari se askush nga fshati nuk shkeli për ngushëllim në familjen e një të deklasuari ku ishte vrarë kryefamiljari dhe një fëmijë. “As në varreza nuk i përcolli kush kufomat e tyre“, i kumtuan ata, duke pritur t’i lavdëronte, t’u rrihte shpatullat që ishin treguar parimorë, kurse udhëheqësi u tha se në rastet e fatkeqësive natyrore, tërmet, përmbytje, partia duhet t’u qëndojë afër njerëzve. Edhe atyre do t’ua rindërtonin shtëpinë falas, sipas vendimit të qeverisë. Mirëpo kush mund ta siguronte sekretarin e organizatës bazë dhe kryetarin e këshillit, se nuk do t’i akuzonin për mungesë vigjilence dhe për shfaqje sentimentale, po të kishin vepruar ndryshe. Pak anëtarë partie janë qortuar si sentimentalë, si oportunistë, sa herë kanë përcjellë në varreza ndonjë të afërm të deklasuar? Asnjëherë partia nuk e ka thënë qartë se çka lejohet e çka ndalohet. “Urdhër-kundërurdhër, baraz anarki”, ka thën Musolini.

Le ta shohim nga një aspekt tjetër. Nipin e Koço THeodhosit shteti e ka emëruar arsimtar, duke i besuar edukimin e brezit të ri, sipas kritereve tona; po atëhere pse duhet trajtuar si leproz, pse duhet izoluar prej shoqërisë? Dhimitër Lulën e kam shok qysh nga shkolla unike dhe e çmoj për cilësitë e karakterit dhe zgjuarsinë. Ai ka “fatkeqësinë” të jetë vëllai i Anastas Lulës, komunistit të orëv të para, pushkatuar po nga shokët e tij komunistë, për idetë që shfaqi si pjestar i “Grupit të të Rinjve”. Dhimitri është nga arsimtarët më të mirë të rrethit, i këndshëm në bisedë, me humor, njeri që nuk ngacmon, nuk provokon, atëhere ç’kuptim ka të shpërfillet nga shoqëria brenda së cilës jeton? Sa herë vete në Ersekë, e takoj shoqërisht, madje një herë shkova edhe për drekë në shtëpinë e tyre, pa u bërë merak se ç’do të thoshin të tjerët. Kritika haptazi nuk kam dëgjuar, po prapa krahëve komentet kanë qenë të hidhura dhe dnoshta janë dërguar edhe letra anonime në Tiranë. E di që ka patur letra me denoncime kundër meje, me shpifje, me gjysmë të vërteta apo me të vërteta të interpretuar së prapi. Këtë fakt e kam mësuar prej Ilo Kodrës, sekretar i Ramiz Alisë për një çerek shekulli. Ai një ditë, ma tha hapur se kundër meje vinin mjaft letra nga Kolonja. Nuk mora vesh nëse deshi të pohonte se zyra e tyre më ka mbrojtur, apo të më paralajmëronte se isha në zgrip.

Si do të kishte reaguar Bardhoku sikur t’i kisha shfaqur dëshirën të takoja Musine Kokalarin? Do të ishte skandalizuar dhe do më këshillonte të mos I afrohesha fshesares së internuar në Rrëshen pas burgimit të gjatë. Në fakt nuk e dija se Musineja ndodhej në Rrëshen dhe punonte në komunale. Një herë më ngjan se dikush e përmendi emrin e saj, por në Rrëshen e mbanin si psikopate, si të çmendur. Ky lloj etiketimi u sajua nga Sigurimi, për të diskretituar intelektualen e shquar të socialdemokracisë shqiptare. Isha kureshtar të njihja autoren e vëllimit me tregimeve “Siç më thoshte nënua plakë“ dhe ta falenderoja për kënaqësinë që më kishte dhënë leximi, por nuk dija si do të pritej propozimi im prej saj. Vëllimi më kishte pëlqyer për koloritin gjirokastrit dhe për sinqeritetin e mendimeve të një vajze të emancipuar në një mjedis konservator.

***

Sa pa shkeluar vendin, më dukej sikur Mirdita ishte tejet larg e skajshme, në zonat e thella të Veriut, kurse tani më ngjan si periferi e kryeqytetit, një zonë që mund të arrihet brenda dy orësh me makinë. Tani kam më shumë miq e të njohur në Rrëshen. Këtë e vura re edhe nga ftesat që pata kësaj here për të vizituar familjet e tyre. Një darkë të këndshme mes një atmosphere letrare, e kalova te Ndueja, i cili sapo ka botuar tregimet e para.

KULLA MIRDITORE

Iu luta Bardhokut të vizitonim ndonjë kullë të banuar. Gjatë jetës sime si gazetar, kisha parë kulla së largu, vetëm nga jashtë. Disa vite të shkuara, arsimtarët e shkollës së Fanit më ftuan për një takim letrar me nxënësit. Si shkollë shërbente gjysma e kullës së bajraktarit, ndërsa në pjesën tjetër banonin pasardhësit e familjes së tij, tani anëtarë të kooperativës bujqësore. Oborri prerë në mes me një gardh të shëmtuar dhe marrëdhëniet midis personelit mësimor dhe pronarëve mjaft të acaruara. Shkaku: arsimtarët donin të përzinin pasardhësit e bajraktarit për të zgjeruar klasat, ndërsa pronarët e shtëpisë kërkonin të largohej shkolla, sepse ishin shtuar kurorët dhe s’kishin ku vërtiteshin. Boll qenë ngushtuar vite me radhë për hatër të shkollës. Kulla, një ndërtesë me dy kate, me gurë të gdhendur, të vendosur me sërë, punë prej mjeshtrash, nga jashtë e kishte një farë bukurie, kurse brenda qe e shëmtuar dhe jo funksionale. Nuk ishte as vilë, as kullë tradicionale. “Poshtë shkallëve ndodhet biruca, të cilën bajraktari e përdorte si burg”, më tha një arsimtar. Sapo e pashë, u binda se nuk ishte veçse një depo, të cilën e ka çdo shtëpi për të futur rrangullimat. Ndërkohë kam dëgjuar edhe legjenda të tjera për burgje të nëndheshëm të sarajeve të feudalëve. Brezi i ri e zmadhon forcën reale të bajraktarëve dhe ka të ngjarë të mos e dijë, se në kohë paqeje, ata nuk kishin kurrfarë pushteti mbi të tjerët.

Menduam të vizitonim zonën e thellë të Fanit, por plani dështoi për shkak se Franin, vëllain e Bardhokut, nuk e lejoi parku të ndryshonte destinacionin. Ai duhet të shkonte në Prosek dhe u nisëm tok me të. Në kabinën katërvendshme të Skodës shytë (kush e shpiku këtë cilësor kaq të bukur?), hipi edhe një e re mirditore. Gjeologeje e mesme po shkonte në Perlat, te qendra e saj e punës.

Në faqen e malit sondat e shpimit zhurmojnë ditë e natë. Flitet se u zbulua një shtresë e pasur bakri. Të tilla njoftime, apo “sihariqe“ po përsëriten vazhdimisht këto vitet e fundit, sa më nuk i beson njeri. Ato janë si pilula për të na mbajtur me kurajo. Frani tregon historinë e një gjeologu italian të ardhur para lufte. Ai mblidhte gurët ngjatas rrjedhave të përrenjve dhe i fuste në çantë. Shoqëruesi, fshatar nga ato anë, vriste mendjen të gjente ç’i duheshin ata lloj gurësh të huajit, pse i mblidhte dhe për çka mund t’i përdorte, mirëpo nga frika se mos humbte punën, druhej ta pyeste. Derisa italiani e paguante, do ta mbante në kurriz çantën me gurë. Një ditë gjeologu i tha udhërrëfyesit: “ky vend do të përparojë shpejt, se ka pasuri minerare“. Dhe i rrëfeu gurët, duke i thënë se po të shkriheshin, ktheheshin në bakër. Doemos fshatari nuk e besoi, por disa vite më vonë u ngrit një shkritore bakri në Rubik. Qarkulllojnë fjalë sikur aty nxirret edhe ar, por sa është sasia e ti dhe ku shkon, mbahet sekret.

Minierës së vetme të bakrit në rrethin e Mirditësi iu shtuan mjaft të tjera pas lufte. Bardhoku pjesëton numrin e punëtorëve nëpër miniera me familjet e rrethit. Rezulton se çdo familje e ka një pjestar të familjes me rrogë. Mirditasit e kanë dashur arsimin, falë traditive që krijuan misionarët katolikë dhe Abacia e Oroshit. Qindra djem kanë zbritur në qytet nga kullat e vetmuara dhe pas disa vitesh janë kthyer inxhinierë, kimistë, gjeologë, mjekë. Gjakmarrja, plaga më e dhimbshme, duket e shuar. Nëna e Bardhokut rrëfen  se 364 ditë në vit rronin me frikë në zemër mos u ndodhte ndonjë kob nga plumbi i hasmit, vetëm ditën e “Natës së Korpit“ (Corpus Cristi), të Premten e Madhe ishin të qetë. Atë ditë zotëronte armëpushim i përgjithshëm për gjaqet, i diktuar nga feja katolike, që vdekja simbolike e Krishtit të mos rëndohej me vdekje të tjera.

Proseku nuk ka kulla karakteristike vertikale, prandaj më duket sikur nuk jam në Mirditë. Shtëpitë e ulta me dritare të mëdha dhe me ndërtesat social-kulturore në qendër, janë të kohës sonë.

Më pëlqen të shkoj në zonat e thella, në vende që nuk i kam shkelur, kurse qendrat e rretheve të cilat i kam parë dhe stërparë nuk më ngjallin më emocione. Ëndërroj të vizitoj brenda një kohe të shkurtër Shpatin, Mokrën, Kurveleshin, Kelmendin, të  takoj sa më shumë njerëz, të njoh psikologjinë e tyre, ndryshimet që kanë ndodhur dhe sidomos të përftoj mbresa të vërteta nga jeta.

Kula me tre kate e Bardhokut ngjan akoma më e lartë nga ultësira që e shohim. Në intimitet Bardhoku më thotë se familja e tyre ka qenë në gjendje të mirë ekonomike, çka sot mund ta dëgjosh vetëm në konfidencë, sepse zakonisht të gjithë mburren me varfërinë e dikurshme. A mund të krenohet njeriu me varfërinë? Nuk më duket se varfëria në vetvete përbën ndonjë virtyt. E kombinuar me rrethana të tjera, varfëria përdhos cilësitë e karakterit të njeriut dhe pjell degjenerim moral.

Familja e Bardhokut ishte patriarkale, si gjithë familjet e Mirditës, me disa kurora brenda se vëllezërit nuk ndaheshin as kur martoheshin, as kur shtoheshin me fëmijë. Jetonin të gjithë nën një kulm të vetëm. Në katin përdhes të kullës mbaheshin kafshët, në katin e mesëm flenin çiftet bashkëshortore, secili në këndin e vet, me fëmijët pranë, tip i banesës primitive me një mjedis. Bashkëshortët nuk veçoheshin nga çiftet e tjerë, qoftë edhe me një paravan. Në katin e sipërm ndodhej dhoma e kryefamiljarit, zotit të kullës, ku priteshin dhe miqtë.

***

Shiu na zë papritur në rrugë dhe rrebeshit i shpëtojmë duke u kthyer te një shtëpi e ulët mbanë rrugës. Oborri me verandë nga pjergullat ku skuqin verigat e rrushit, i jep hijeshi të veçantë ndërtesës një katëshe, me dy dhoma dhe një sallon në mes.

Mirditasit e quajnë “kullë“ shtëpinë sido që të jetë, e madhe apo e vogël, e lartë ose e ulët, vilë apo kasolle. Frroku gëzohet nga vizita e papritur e Bardhokut, megjithëse nuk jam i sigurt nëse do të ktheheshim aty, po të mos kishte filluar rrebeshi. Nga biseda marr vesh se Bardhoku po shkel për herë të parë pragun e kullës së tij disavjeçare. Frroku ruan bagëtitë e imta, tufëzat e famshme që u krijuan disa muaj më parë. Si shpërblim merr gjysmë dite pune (50 pikë) në muaj për çdo kokë, kurse blegtori i gjedheve merr tre ditë pune për krye. Tufëzat u reklamuan si reformë eknomike për të ndihmuar fshatarësinë kooperativiste, por deri tani nuk duket kurrfarë perspektive. Madje as Frroku vetë nuk mund të mbahet me të ardhurat nga puna si blegtor i tufëzës, se ato mezi arrijnë dy mijë lekë të vjetra në muaj.

Axha Frrok para një jave festoi fejesën e djalit duke shtruar darkë të madhe dhe përjetimet i kishte ende të forta. Na rrëfeu peripecitë e fejesës së fjalit, – inxhinier në minierën e Spaçit, – dhe na kënaqi, pasi axha Frrok dinte ta kripte ngjarjen me doza humori dhe gjeste aktori. Qe tregimtar i shkëlqyer popullor. E dëgjova me interes rrëfimin ku plekseshin traditat e vjetra me normat e reja morale dhe se si ato vazhdojnë të jetojnë pranë e pranë. Disa muja përpara Frroku u sëmur dhe sipas zakonit miqtë dhe të njohurit shkuan ta vizitonin. Sapo pa te dera një mik të largët, të cilin Frroku e njihte si mbles, nisi të lëshonte duhma psherëtimash më të forta. Miku u mundua ta qetësonte duke i thënë se s’kishte rrezik jete dhe do të shërohej shumë shpejt, Frroku ia ktheu se nuk po rënkonte nga dhimbjet, por nga halli që e kishte zënë.  “Çfarë halli”? – u intersua miku. “Po më mbetet djali pa martuar… Inxhineri, ti e di“. “Ata me shkollë të lartë, i gjejnë nuset vetë, nuk pranojnë të martohen me mblesëri”, vërejti miku. “Atje ku punon ai, nuk ka as pula, jo femra“, ia ktheu Frroku. Po ta kishte gjetur vetë, ose po të ishte i zoti t’ia gjeja unë, nuk do t‘i lutesha kurrkujt“. I premtoi se do ta shpërblente, veç t’i gjente nuse për djalin. Pas disa javësh miku u rikthye dhe i rrëfeu fshatin dhe derën ku duhet të trokiste. I tha se ata pranuan t’ia jepnin vajzën Frrokut për djalin e tij, kurse për hollësitë e tjera duhet të merreshin vesh midis tyre. Me aq mblesi e quajti të kryer punën e vet dhe pasi e ngrohu xhepin me paret që i dha Frroku si shpërblim, u tërhoq mënjanë. “Hollësitë e tjera”, zënia e dorës, shkëmbimi i nishaneve, të hollat që duhet t’ jepte familjes së vajzës, prerja e ditës së martesës, ishin të njohura për Frrokun, mirëpo e brente meraku i gjendjes politike të familjes së krushkut. Mblesi i kishte thënë se ishte “e pa njollë”, se ashtu i leverdiste, mirëpo Frroku donte të informohej që të mos hsklte në lug të keq. Kush mund ta ndihmonte, derisa prej atij fshati nuk njihte kërkënd? Nyjen mund ta zgjidhte me ndihmën e sekretarit të organizatës bazë. E takoi dhe iu lut të shkonin bashkë deri në fshatin N. për të hetuar me rrugë partie gjendjen politike të krushkut të ardhshëm. Ai e mirëpriti kujdesin politik që po tregonte Frroku për pastërtinë e krushqisë së projektuar. Një ditë prej ditësh ata u nisën drejt fshatit N. Pasi të dy sekretarët e organizatave bazë biseduan kokë më kokë, Frroku u sigurua se krushku ishte qelibar nga ana politike. Atëhere ia mësyni kullës së tij tok me sekretarin. Erdhi çasti delikat që Frroku t’ia jepte të hollat krushkut në dorë, mirëpo nuk donte ta shihte sekretari, se do të dukej sikur ishte edne peng i zakoneve prapanike. Si të vepronte? Sekretari ulur pranë oxhakut, s’kishte ndër mend të luante prej andej pa rrëkëllyer disa gota dhe pa e mbushur stomakun. Që të mos e vinte në pozitë të keqe as sekretarin, as veten, Frroku i dha shenjë babait të vajzës dhe të dy u hoqën mënjanë, përfund derës. Frroku i ktheu kurrizin sekretarit dhe e pyeti krushkun: “Sa”? Dihej se fjala qe për paret që duhet të derdhte. “Jep sa të duash“, ia kishte kthyer ai me zemërgjerësi, sikur çmimi të mos kishte asnjë rëndësi. Frroku kishte ndarë mënjanë njëzet e pëse mijë lekë të thata, palosur në shami. “I nxorra prej xhepit dhe ia numërova krushkut njëzet mijëshe mbi pëllëmbë. Ai s’po e mblidhte dorën. Shtova edhe pesë mijë të tjera mbi to duke shpresuar se me aq do të mbetej i kënaqur, kurse ai, kuku, vazhdonte të mbante dorën nderur nga unë dhe kokën në anën tjetër. Që të ulej ajo dorë duhej rënduar me disa mijshe të tjera. Obobo, ç’më gjeti me këtë. Keq t’ia jap, ca më keq të mos ia jap. ‘Po ti a më the sa të duash’? e pyeta me të qeshur, por edhe me mllef. ‘Hajt, hajt, se ti e di pazarin;, ma preu shkurt. Bubrrova nëpër xhepat, nxora dhe pesë mijë të tjera dhe vetëm atëhere e mblodhi dorën“.

Pra familja e djalit vazhdon të paguaj mënjanë njerëzve të partisë dhe të pushtetit, të cilët hiqen sikur s’dijnë se ç’po ngjet, kurse gjasat janë se edhe vetë ata paguajnë ose paguhen, sipas rastit.

Fejesa e djalit ia kishte tharë rezervat e rakisë Frrokut. Na kërkoi të falur që nuk i ndodhej qoftë edhe një shishe raki në shtëpi, por megjithatë ngulmoi të na mbante për drekë dhe na mbajti. “Me këto që na u ndodhën“, tha duke na shtruar në sofër speca të pjekur, sallatë me domate e kastraveca, (pa vaj ulliri, sepse fshati nuk furnizohet me këtë artikull), vezë të fërguara dhe një shishe konjak. Edhe pse qe operuar prej stomakut, piu disa gota për nderin tonë duke na nxitur edhe ne të pinim konjak me sallatë. Nuk kisha dëgjuar të shoqërohej konjaku me sallatë., po aty për çudi na shijoi. Disa paragjykime për pijet alkoolike se çfarë shkon në disa lloj mezeje e çfarë nuk shkon janë krejt të kota. Konjak me sallatë domatesh qe e veçanta e asaj dreke dhe ne u kënaqëm. Frroku na solli edhe një pjatancë me rrush të bardhë e të kuq, të cilët sapo i këputi në verandë. Mbi kokrrat e rrushit shndërrisnin ende bulëzat e shiut me bukuri të rrallë, por në gojë kokrrat e forta mezi shtypeshin dhe shijen e kishin paksa të athët. Sipas Frrokut rrushi donte edhe nja dy-tre javë sa të arrinte pjekjen e plotë.

Nuset mirditore vazhdojnë ta ruajnë veshjen karakteristike, e cila ndryshon nga veshjet e festave. Tani ato marrin në pajë kostume prej stofi, pra veshje qytetare dhe ato tradicionale. Të gjitha paguhen nga familja e dhëndrrit. Petinatura e nuseve ruan karakter të veçantë dhe origjinal, me gërsheta sipër veshëve, ndërsa plakat i mbajnë flokët lëshuar dhe kurdoherë kokën e lidhin me shami të zezë.

****

Shkojmë për vizitë te axha i mirëfilltë i Bardhokut. Mauzeri gjerman varur në mur, lë të kuptohet se ai gëzon besimin e organeve të Punëve të Brendshme për të mbajtur armë. Pushkët gjermane të mbetura trofe nga Lufta e Dytë Botërore shërbejnë për armatosjen e vullnetarëve të brezit kufitar dhe të rojeve civile të depove. I zoti i kullës është roje nate në ekspeditën gjeologjike, prandaj i kanë dhënë armë. Dy fëmijë kryejnë detyrat e shtëpisë mbi dyshemenë e dritares. Më i vogli imcak, me kokë të madhe e vështrim të mekur duket se ka vuajtur nga sëmundje të ndryshme fëmijërie, kurse i madhi qe i shëndetshëm. E zonja e shtëpisë ishte sëmurur nga verdhëza, gjurmët e së cilës i dalloheshin ende në fytyrë. Pasi na uroi mirëseardhjen, doli në kopësht dhe pas pak u kthye me një tufë misrash të njomë. I theu kallëpet dhe nisi t’i pjekë. Duke kthyer misrat në prushin e vatrës, rrëfen: “Kemi vuajtur boll, se këtu nuk rritej asgjë; ngordhte pula për një pikë ujë. Ujin për të pirë e kishim tepër larg dhe e sillnim me krahë, ose me kafshë. Tani që ujin e marrim prej rezervuarit, na duket se shpëtuam”. Rezervuari i Malajt shërben për të vaditur tokat e disa fshatrave, por ndoshta lehtësimin më të madh ua solli amvisave duke u siguruar ujë për pastrimin e shtëpive dhe larjen e teshave. Tok me dritën elektrike ai quhet simbol i jetës së re në Mirditë.

Shtëpia e axhës nuk paraqet ndonjë interes etnologjik. E lus sërish Bardhokun të vizitojmë kullën e tij, kurse ai ngurron. E marr me mend se vizita e papritur përmban rrezikun ta gjejmë kullën rrëmujë dhe si pasojë të afërmit mund t’i zemërohen Bardhokut. Për fat atje erdhi edhe axha tjetër, zotërues i kullës stërgjyshore. E vërtita bisedën rreth mënyrës së jetesës në kullat tipike, por ai bën veshin e shurdhët dhe druhet të më ftojë. Atëherë i rashë shkurt e drejt duke thënë se dëshiroja të shihja kullën e Bardhokut nga brenda. Axha i hedh nipit disa vështrime të rrepta pyetëse e njëkohësisht qortuese se ç’kuptim ka kjo vizitë e mikut, por megjithatë niset para nesh. Respekti për mikun e detyron të bëjë lëshime. Ecim ngadalë pas tij që t’i japim kohë të heqë ndonjë rrangullimë. As tani që shkruaj mbresat, nuk e di pse u drojt, por ndoshta ngaqë kushdo që hyn brenda kullës nuk mund të përcillet pa ngrënë dy kafshata bukë. Te dera e kullës na pret një vargan fëmijësh. Me vete mendoja se ndoshta ky ishte shkaku i hezitimit për vizitën time. Shtimi i shpejtë demografik kishte ulur mjaft të ardhurat mesatare për kokë dhe krenariaa e malësorit ndeshej me varfërinë torturuese.

BRENDËSIA E NJË KULLE

Në vend të dritareve kulla ka disa frëngji të ngushta e të gjata në mur, sa për të nxjerrë grykën e pushkës. Sa dritë mund të futej nga ato frëngji, si kanë jetuar me aq pak dritë? Nga kati i sipërm, tamam mbi portën e kullës, dilte shemshemi, një farë ballkoni krejt i mbyllur, me disa vrima në dysheme. Ato mazgalla shërbenin për të shtënë ujë të valuar mbi ata që do të guxonin të shkallmonin portën prej druri, pikën më të dobët të kullës. Axha na flet për reformën në kohën e Turqisë, kur qeveria urdhëroi të hapej së paku një dritare me përmasa normale në çdo kullë. Mirditorët që iu bindën urdhërit, e hapën të vogël sa një kamare dhe e quajtën “penxherja e Dovletit”. Pranë oxhakut, në katin e sipërm ishte lugu prej guri, një farë muslluku, ku derdhnin ujët e filxhanëve që lanin, ose zhevzetë me mbeturinat e kafesë. Në Mirditë kokrrat e kafesë i pjekin pak, sa marrin ngjyrë arre, pastaj i kthejnë në një tabaka druri që të ftohen. Tabakaja e sheshtë përfundon e ngushtë si lug, që kokrrat të derdhen lehtësisht në mullirin e kafesë. Kafen e ziejnë fort në zhevze të mëdha, e lënë të kullojë dhe pastaj e pinë thuajse si gjysmë ekspres, me sheqer përjashta. Gjithmonë servirin dy, tre ose më shumë kafe. Qe traditë që gjygimi (gjymi), me ujë të valonte kurdoherë në zjarr.

Historia e ndërtimit të kullës ngjan si legjendë. Ngaqë ishin në gjak, ditën u ruheshin plumbave të hasmit, prandaj gurët dhe lëndën për ndërtimin e kullës Sulejmanët i mbartnin natën. Edhe ndërtimi i mureve të kullës u krye natën, ndërkohë që perimetri i saj ruhej nga Sulejmanë të armatosur.

Duke rrotulluar mullirin për të pjekur kafen e bluar taze, e zonja e shtëpisë më tha: “Na i morën dhëntë”! Si timbri i zërit, ashtu edhe sytë e saj shprehnin pikëllim të thellë që vatha u kishte mbetur krejt e shkretë. E kishte fjalën për tufëzimin e dhenve, kryer disa kohë përpara si një masë e re revolucionare. Bardhoku e quajti gabim shprehjen e saj “na i morën“, prandaj e korigjoi me takt, ashtu si ia donte detyra. “Nuk ua mori njeri, tuajat janë sërish”. Mirëpo ky argument nuk e bindi axheshën, sepse aty-për aty ia ktheu: “Kur s’i kam në katua, nuk mund t’i numëroj të miat. Tani qumështin e dhenve të mia duhet ta ble me pare duke shkuar një orë larg”. Tufëzimi e goditi rëndë fshatarësinë dhe propaganda jonë e fsheh qëllimin e vërtetë të kësaj mase. Tufëzimi synon zhdukjen e pronës private edhe në fshat, të cilën e sheh si pengesën kryesor për mbarëvajtjen e kooperativave. Qëllimi final: prona personale duhet të rrudhet deri sa të zhduket në favor të pronës kolektive. U dashka të varfërohemi krejt për të fituar ndërgjegjësim më të lartë.

Në fakt qysh tani shteti e trajton tokën dhe pasurinë kolektive, pa asnjë të drejtë, si pronë shtetërore, derisa u planifikon kooperativave llojet e kullotave dhe sasinë e hektarëve që duhet të mbjellin, pa përfilluar traditat, klimën dhe interesat e tyre. Shteti është sot çifligari i vetëm dhe i plotfuqishëm, për shkak se e zhduku kufirin midis pronës shoqërore dhe asaj të grupit. Fshatarët e ndjejnë që s’kanë asnjë të drejtë mbi tokën e tyre, prandaj janë gati t’ia dhurojnë shtetit me kusht që të paguhen si punëtorë bujqësorë, mirëpo shteti nuk pranon, sepse zgjidhja që ka gjetur i leverdis më shumë. Tokën, ujërat, kullotat i trajton si shtetërore, kurse pagesën ua le mbi kurriz kooperativave bujqësore. Asnjë nga ekonomistët tanë marksistë nuk e ka ngritur zërin kundër këtij mashtrimi që shkakton gjithmonë konflikte dhe ngatërresa. Politika financiare që zbaton shteti pengon përparimin e kooperativave me kufizime nga më të ndryshmet. Sa për ilustrim po sjell vetëm një shembull. Kooperativa e Divjakës një vit siguron të ardhura të larta dhe vendosi t’u ndante anëtarëve 220 lekë të vjetra për ditë pune. Të gjithëve u buzëqeshte fytyra dhe po prisnin me padurim fundin e vitit. Mirëpo gëzimi i tyre u pre, sapo nga rrethi erdhi urdhëri të mos jepeshin më shumë se 150 lekë, se gjoja “krijohehsin diferenca të mëdha me kooperativat e tjera”. Pse duhet të ndërhynte partia dhe ç’punë kishin divjakasit me zonat e tjera, kur të ardhurat i kishin siguruar me mundin dhe djersën e tyre? Tavani që vuri partia për shpërblimet e ditëpunës, i frenoi kooperativat dhe shkatërroi zellin për të ecur përpara. Sot dëgjohen plot marrëzira të thëna nga zyrtarët e vegjël, se fshatarët po na “borgjezohen”. Shprehja e ka burimin nga sferat e larta të udhëheqjes, të cilët kohë pas kohe lëshojnë tollumbace të tilla teorike. Si u borgjezokan fshatarët që nuk marrin më shumë se pesë mijë lekë në muaj, katër fish më pak se anëtarët e Byrosë Politike, pa llogaritur favoret e pasosura që ka nomenklatura? Shpërblimi i fshatarësisë për punën e kryer është më i ulti nga gjithë kategoritë e punës.

Axhesha e ndiente ndryshimin e thellë midis jetës së fshatit dhe qytetit, prandaj vazhdoi të shprehte dufet e saj, duke ia trokitur në sy Bardhokut, që të dëgjoja unë, i ardhuri nga Tirana, “njeriu i qeverisë”. Çdo familje kooperativiste në Perlat duhej të mblidhte dhe të dorëzonte në shtet 150 kilogram shqeme. “Po veç me plasë”, tha nusja e axhës, “se jo 150, por as 15 kile shqeme nuk gjnden ma kurrkund këtu tek ne. Ata bërtasin gjejini ku të doni. Po kur s’ka, ku me i gjetë? Le të vijnë të na tregojnë ku ndodhen, së paku, mirëpo nuk dëgjojnë”. Pas një heshtje vazhdoi: “I jam lutur motrës të mbledhë nja 50 kile dhe t’i dorëzojë në emrin tim, që të na bien veshët rehat” Motra e saj banonte në një fshat tjetër, ku shkurrja e kërkuar nga eksporti për industrinë ushqimore kishte përhapje më të shpeshtë. I shoqi e dëgjonte pa barë asnjë koment. Nga përvoja që kam me shokët dhe kushërinjtë në fshatin tim, e di se çfarë mendon. Sa herë shkoj atje, ata më thonë hapur: “për fshatarin u bë keq. Shpëtuat ju që shkuat me kohë në qytet”, që do të thotë se ata janë gati të ikin, sikur të mos i ndalonte pasaportizimi. Largohemi nga kulla e Bardhokajve, ndërsa axha na lutet të qëndrojmë së paku një natë. Nuk do të ishte e udhës t’ua shtojmë edhe më telashet që përballojnë.

Mirditorët njihnin pak lloje zarzavatesh. “Kur skuqeshin domatet ne i quanim të prishura”, më ka thënë një mirditor. “Ato i përdornim vetëm për turshi, prandaj i donim jeshile”. Këto fjalë m’u kujtuan sapo pashë një arë me kastraveca të pavjelë, në ngjyrë të verdhë, të mbetur rehen ngaqë tregu nuk i tërhiqte. As grurë nuk mbillnin. “Vetëm Lufaj e njohte këtë kulturë“, thotë Baftjari, dikur shef i seksionit të bujqësisë së rrethit. “Fshatarët e tjerë merrnin grurë vetëm në raste të rralla, kur u duhej me doemos, duke këmbyer misrin dy për një. E mbaj mend se si kundërshtonin pas çlirimit kur planifikohej të mbillnin grurë, ndërsa Lufaj kërkonte t’i rritej plani, meqë gruri kërkon më pak punë se misri“.

Baftjari e ka patur shok Bardhok Bibën, Sekretarin e Partisë për rrethin, të cilët e vranë diversantët më 1946. Tani shumëkush përpiqet të theksojë shoqërinë e tij me të, për të fituar kredi nga ana politike, por si ka qenë e vërteta, këtë e dinë vetëm bashkëkohësit. Jeta e xha Baftit ka kaluar mes dramash të forta familjare.  Gruaja e parë i vdiq e re. Pas çlirimit, me ndërmjetësimin e Bardhok Bibës, u martua me një vajzë nga fisi i Markagjonajve, mirëpo ata nuk e honepsën martesën e saj me një mysliman, prandaj e vranë nusen e re me anë të diversantëve. Martesa e tretë qe fatlume dhe me një rreth fëmijësh. Disa vite më parë djali i Baftit e rrëmbeu nusen, se prindërit e saj në Përmet, nuk pranuan t’ia jepnin për grua. Kishin edhe arsye të tjera. Vajza e madhe martuar në Tropojë, e dytë në Rrëshen, të tretën donin ta kishin pranë shtëpisë. Mirëpo nuk qe e thënë. Ardhja e vajzes së vogël për vizitë te motra në Rrëshen, i përmbysi planet e tyre. Aty ajo u njoh me një mekanik të ri, djalin e Baftajrit dhe vendosi të martohej me të. U deshën disa muaj që prindërve të vajzës t’u binte inati dhe të pajtoheshin me faktin se vajza u rrëmbye me dëshirën e saj. Baftjari sapo ishte kthyer nga vizita në Përmet, ku prindërit konfirmuan lidhjen martesore që kryen të rinjtë. Kësisoj urat e miqësisë u vendosën dhe tani nusja e djalit ndihej e qetë.

Shpesh pyes veten si ngjau që diversantët, të njohur si mbrojtësit më të flaktë të kanunit, qëlluan me armë kundër grave dhe vajzave, deri sa ky veprim binte ndesh me traditat shekullore? Baftjari jep një shpjegim skematik me formulën e njohur marksiste, se shtresat reaksionare, përdorin terrorin të egërsuar ngaqë e ndienin se po u vinte fundi. Mirëpo me ato veprim a nuk do të përfitonin urrejtjen edhe të asaj popullsie që nuk prirej ndaj idealeve komuniste? Ka të ngjarë të jenë pleksur edhe motive të tjera më pak të njohura.

****

BUFETIERI MODELOR

Kthehemi te një klub anës rrugës, me shpresë të gjejmë ndonjë automjet të rastit për në Rrëshen. Bufetieri, sa vëren dy të panjohur, menjëherë vesh bluzën e bardhë sipër xhaketës dhe vjen të pastrojë mbulesën e tryezës. Mirësjellja nuk është aspak e zakonshme për punonjësit tanë të tregtisë socialiste dhe na habit paksa kujdesi i tij. Pret në këmbë porositë tona. Pasi servir kafetë, kërkon leje të ulet dy minuta, sa për shoqëri. Duket se e ka një hall.  Pa ia kërkuar kush, na kumton se prej njëzet e një vitesh që punon në tregti, – një jetë e tërë, – kurrë s’ka dalë më shumë se 3 lekë e 80 qindarka deficit dhe 7.90 lekë suficit Këto shuma të vogla, krejt të papërfillshme, qenë ekstremet e luhatjeve të tij financiare. Midis të tjerash na tha se meqë ishte nga punonjësit më të ndershëm, ndërmarrja e tregtisë prej vitesh nuk e thërriste as në mbledhjet tremujore. Kjo stononte paksa me praktikën e mbledhjeve tona, sepse po të qe vërtet shembullor, duhet ta thërrisnin për ta lavdëruar para kolektivit. Tha se e mbante klubin hapur 12-18 orë në ditë, mirëpo edhe për këtë orar të zgjatur, me zor arrinte të plotësonte xhiron prej 400 lekësh të reja.

Me Bardhokun ishim të një mendimi se ai po na shiste të trasha. Sot bufetierët e zgjuar vjedhin klientët, sepse ato s’ka revizor t’i zbulojë, sado i aftë të jetë. Qëkurse ekspedita gjeologjike hapi klubin e saj, xhiroja ditore ka pësuar rënie të ndieshme, prandaj bufetieri kërkon t’i lajë duart nga ky lokal. Larg e larg nuhat nëse mund ta ndihmojmë. Nuk i premtojmë. Rastësia është mbret i të papriturave. Sapo zbritëm në Rrëshen, takuam shefin e Seksionitt të Tregtisë së rrethit. E pyetëm nëse bufetieri Z. qe model i punonjësit të tregtisë socialiste. Opinioni t tij për të ishte shkrumb i zi dhe nuk ngurroi të shprehej hapur: “Burrë më i poshtër s’mund të gjendet në atë faqe mali”, tha me mllef. “Gënjeshtar dhe hajdut, aq sa meriton të pushohet në vend, po duhet të presim sat ë gjejmë një tjetër për ta zëvendësuar”. Kategoria e punonjësve të tregtisë socialiste është më e favorizuara sot. Ata janë privatët e sistemit socialist, shesin mall shtetëror, nuk paguajnë asnjë lloj takes, ndërsa fitimet ia hedhin xhepit.

****

Disa muaj pas vizitës sime në Rrëshen e takova Bardhokun në Tiranë. Që nga fytyra dukej se kishte një hall të madh. E ftova në shtëpi, por tha se duhet të shkonte urgjentisht te familja e vëllait në Shijak. Vëllain e Bardhokut e kishin dënuar katër muaj burg për shpërdorim fondesh. Ai ishte oficer me detyrë kryellogaritar në një repart ushtarak në Shijak. Me urdhër të komandantit të repartit, u shtrua një darkë e pasur për oficerët eprorë dhe llogaria nxorri fondet e nevojshme. Darka kaloi për bukuri, të ftuarit mbetën të kënaqur, mirëpo sikurse ndodh rëndom, dikush nga oficerët që nuk u ftua te ajo tryezë, apo nga mëria për të groposur ndonjë epror, i raportoi Mehmet Shehut se reparti ushtarak shpërdoronte fondet për dreka dhe darka të kota. Kryeministri, që në atë kohë kryente edhe funksionet e Ministrit të Mbrojtjes, mendoi ta shfrytëzonte rastin për t’u prerë rrugën banketeve të tilla, prandaj urdhëroi çmobilizimin dhe dënimin shembullor të kryellogaritarit që kishte firmosur urdhërpagesën. Prokurori ushtarak dhe gjyqtarët, edhe pse kishin ngrënë qyl kushedi sa dreka e darka të tilla, e dënuan oficer Sulejmanin me zhdëmtim, çmobilizim dhe katër muaj burg, sipas dispozitave të kodit penal ushtarak. Ky qe varianti që tha Bardhoku dhe vërtetësia e ngjarjes nuk mund të vihej në dyshim. Bardhoku, tashti Kryetar i Frontit të rrethit, e kishte një vëlla të burgosur, pra iu prish biografia e pastër. M’u kujtuan këshillat e tij gjatë vizitës time të fundit në Rrëshen dhe qesha me vete, sepse po t’i respektoja pikë për pikë, unë s’duhet të ulesha me të qoftë për të pirë edhe një kafe. As më parë, as më pas nuk iu isha përmbajtur kufizimeve pa kuptim, prandaj u futa me Bardhokun në një rostiçeri, ku drekosëm bashkë dhe mbetëm miq si kurdoherë.

Shtator 1978.            

(Marrë nga libri “Midis dy kohëve” të Naum Priftit, botimet Buzuku, 2005)