Ruzhdi Gole: ZERO E HËNËS
Tregim
1.
– A ke lexuar ti, babë ndonjë libër… të rëndomtë?
– Po, kam lexuar bir.
– Të kujt autori? Cili është titulli i librit?
– Autori i librit jam unë, babai yt Lavdërim Lojëza. Titulli i librit tim është “Maja”. Ende s’e kam botuar.
– Për ç’maja shkruan ti, babë, në këtë libër veç Korabit?
– Shkruaj për majën e penës! Si përhera për alpinizmin.
– Për majën e penës dhe majën e malit?
– Për të dyja majat njëher’sh dhe për secilën veç e veç.
– Si u shkruaka njëher’sh për të dyja majat. Të humbet filli.
– Filli edhe humbet, bir, por gishtat aty janë. Tek gishtat janë sytë.
– Sytë tek gishtat? – e ndërpreu çudie i biri. – Po veshët ç’dëgjojnë?
– Veshët dëgjojnë njëherë mëndjen e kokës së tyre dhe…
– Hhe pastaj ç’dëgjojnë? – pyeti sëdyti habie i biri.
– Ç’thotë mendja e të tjerëve.
– Gjithë këto rrëfenja qe ke shkruar për majat ku je ngjitur, ooo.
– Tani do i botoj në një libër.
– Sikur e humbasin fillin kaq shumë rrëfenja. Unë mbaj mend kur u ngjitëm bashkë në Himalaje. Duhet te merrnim çmim nga Shoqata e Alpinizmit.
– E di juria.
– Juria e ditur, juria e ndershme – qesëndisi djali.
– E ndershme. Ndonjëherë dhe e dyshimtë.
– Diç kam ndigjue, diç.
– Çmimet ndahen sipas alfabetit?
– Ndahen sipas majave, sipas tymit dhe baltës. Sipas borës e të nxehtit – iu gjegj me të qeshur i ati. – Dëgjomë mua, dëgjomë, bir: Një libër me alpinistë që ngjiten në Vermosh, në Malin e Bardhë, në Himalaje në palcë të acarit e të rrezikut, në djegore të të nxehtit marrin si kupë majën e malit që ngjitën.
– Po një libër për natën hënore lakuriq merr çmim më të vyer, o babë.
– Shije, shije leximi, o djalë.
– Natyrisht, këndonjësi do ritëm, zbulime të reja tek nata hënore. Gjithçka: gji, buzë e… më fal o babë, buzë e kafshuar. Kjo është rrëfenjë, babë, kjo.
– Shije leximi, o djalë – përsëdyti i ati.
– Unë mbaj mend Himalajet. Para se të shkonim atje i nxehëm gjymtyrët sa në Korab, sa në Vermosh dhe… – e ndërpreu ligjërimin e tij Eno. – Mua, më falni, se po dal nga currilat. Mbrëmje për datëlindje sonte.
– Kalofshi mirë!
Djali përshëndeti mëmën, e cila veç dëgjoi deri tani, dhe të atin. Doli.
– E dëgjove djalin, grua? Atij i pëlqen rrëfenja rrëmujë.Të lëpij buzët. T’i shkumbojnë shalët.
E NESËRME:
– Lavdërimi im i lëvduar, akoma me majat ti? Lëri njëherë e mirë majat!
– Si the moj grua? I Iëvduar e i lënduar jam përhera prej teje.
– I lëvduar e i lënduar bashkë. Me moshë gjithçka, o burrë.
– Me moshë e me hise, o grua, kjo jetë. Mua më ra hisja e alpinistit. Mali më frymëzoi. Më frymëzon për të rr’fyer ngjitjen e njeriut sa më lart. Rrëfenjë alpinisti… edhe në shtrat.
– A u shofsh, o Lavdo, s’u ngope njëherë. – iu gjegj gruaja ngaqë ia kuptoj se për çka foli.
– Unë përhera jam alpinist. Ngjitem e zbres.
– Sa herë e ke mbërritur majën ti, ouuu…
– Alpinist i rrahur me ngjitjet në alpe. Përhera mbrrija majën. Jo i vetëm. Dhe jo përhera i pari.
– Eh, ndizeshe fluturues atëhere ti.
– Edhe jam. Nga maja në majë. S’ka dy vite që ngjita Malin e Bardhë.
– Mundim i madh. I rrezikshëm.
– Rreziku i duhet alpinistit. Ngjitja është fuqi e vërtetë e mendjes dhe e muskujve. Ta kam thënë prej kohësh grua: nëse sot po shkruaj një libër për brezin tim prej alpinistësh i falem alpinistit në të njëzetat e mia.
– Në të njëzetat po, por jo tani në të tatëpjetat.
– Në Vermosh unë edhe tani mund të ngjitem.
– Me krahë dylli po – e qesëndisi gruaja.
– Asnjëherë me krahë. Por edhe krahët të ngjisin në majë.
– Po ma trallis mëndjen.
– Mos u trallis. Alpinisti i rrëfenjës ngjitet e ngjitet. Hunda i zë kore ngrice. Rreziqe ka plot.
– Mbahu, burrë se more malin.
– Unë, o grua si alpinist kam guxuar përhera. Dhe përhera kam pasur frikë. Kam parë keq kur iu ngjita Himalajeve me Enon. Kemi parë njerëz të ngrirë. Djalit iu përzie, villte, djersinte. O Zot, beso në Zot!
– Frikë mbi frikërat ajo. Ju, at e bir, iu ngjiten Himalajeve, ndërsa unë sa nuk u çmenda ahere.
– Gjallë … fati ynë.
– Nuk ishte guxim, po çmenduri.
– Stërmundim po e po, po jo çmenduri. Ndoshta dhe çmenduri. Ajo rrëfenjë është udhë për një rrëfenjë më të gjatë.
– E kush do të dëgjoj sot rrëfenja me acar, o burrë. E dëgjove djalin?
– Nata hënore është kryevepër, grua. E di. Kuq’lon gjithçka, ofshan, ngopet e nuk ngopet.
– Mbahu burrë se prapë more malin – përsëdyti gruaja.
– Rrefenja ndjek rrëfenjën. Si gjurma gjurmën. Vajza me Luisin po ecin këto ditë nëpër male për në Machu Picchu.
– Nuk janë alpinista ata. Do lodhen shumë.
– Janë të stërvitur grua. Kanë një vit që ngjisin majat rreth e rreth Nurenbergut. Ti e di, i ke parë vet. Kanë marr pjesë në tri maratona. Nuk janë pak për të ecur për në Manchu Pinchu.
– Eh, o burrë, eh, tjetër meraku im, tjetër yti.
– Mbi të githa, o grua, Zaira dhe Luisi janë të dashuruar.
– Iu shtoftë dashuria atyre!
– Kjo është rrëfenjë e vërtetë, grua. Kjo nuk është rrëfenjë, por një e vërtetë për t’u rr’fyer. Rroftë dashuria!
2.
At e Bir prej vitesh jetojnë bashkë. Në një ngrehinë të rrënuar dy katëshe. Poshtë hauri, sipër frymorët. Rrënimi duket qysh së largëti prej rrugicës mbushur me kallama dhe gugatje bretkosash. Burrit tetëdhjetë e pesë vjeçar, i ka vdekur gruaja në Asturia. Birit i ka vdek’ mëma. Jetuan ca kohë atje ngaqë ati i atit, gjyshi i birit të atit, një jetë të tejme e ngriti tutje. Në minierën e San Nikolas në Asturia. La të holla dhe një shtëpi për t’u rehatuar. At e bir, zonja-grua e mëma-zemër shkuan të tre para kusur vjetësh në qytetin ku kishte jetuar e ngrysur jetë babai i tetëdhjetë e pesë vjeçarit, gjysh për të birin e tij e vjehërr për zonjën-grua e mëmën-zonjë. Punuan çka t’u sillte dita, nuk ia përtonin punës, por shtëpisë ku jetonin nisën t’i krisnin kockat e t’i fuste ujë dyshemeja. Sëmundja e pashërueshme e gruas, spitalet sikur ua rrëshqitën tokën nën këmbë.
E lanë Spanjën. U kthyen.
E ndjera u varros në Shqipëri, në qytetin e lindjes në Cërrik. Atje e çoi më shumë amaneti i saj sesa detyrimi i të shoqit dhe dhemshuria e të birit.
At e bir u kthyen në vendlindje.
Ati unjur, unjur kohë të gjatë në karrike. Lëviz pak, fare pak tani. Çuditërisht zërin e ka të kthjellët çka është e rrallë, shumë e rrallë për moshën e tij.
I biri klarinetist luan në orkestrën e qytetit. Jep ca orë solfezh në shkollë.
Të dy janë bashkë vetëm në mbrëmje. Tetëdhjetë e pesë vjeçari jeton gjithë ditën vetmimtar. Dy nga unazat e shtyllës kurrizore i ka të krisura. Të krisura nuk janë por… të shohim çdo thotë mjeku …përsëri ato që ka thënë për operacion apo asgjë të re. Asgjëja është frika nga e panjohura, nga e njohura e papërballueshme.
– Ç’jetë kjo…- psherëtiu i moshuari. – kush isha ahere? S’më zinte këmba dhe. As në tokë dhe as në det. Në vrap ma kalonte vetëm deti. Deti i të marrëve e i marrive. Sa shumë rrija në tokë. Me të ndriturën time. Sa pak sot me të ndjerën.
I mbylli sytë, lëvizi në ajër krahun sikur do të prekte fytyrën e dashur, që sa e kujtoi. Asgjë. As zë, as frymë. Po a jeton njeriu pa frymë e pa zë? Njeriu është vetja natyrisht, por njeriu është edhe tjetri. Fryma dhe zëri i njohur. Të jetosh vetëm me zeron? Zero kjo vetmi, zero kjo bukë që përtypim unë dhe im bir. Shijon hidhur, zero.
Pak kujtohen për djalin dhe më pak për mua. Ooo, si ngjitesha ahere në Kaninë. Në Kaninë e në Shashicë. Këmbët në kurriz e fluturimthi në majë. I gjithi në ecje. Duke ecur isha kur më lajmëruan se gruaja nxituar po shkonte në Shtëpinë e lindjes. Lindi vajzën. Fëmija i dytë.
Po përsillej në mendime kujtese. Ndërkohë, dikush trokiti.
– Hyrë, hyrë, – iu gjegj i moshuarit trokitjes dhe zgjati dorën e djathtë përpara sikur përpiqej t’ia hapte derën një të sapombrrituri aty. Për vete nuk mbante çelës. E çeli dhe e mbylli derën e shtëpisë për të fundit herë kur u kthye nga varrimi i gruas. Ajo derë ishte mbyllur për të njëherë e mirë me zemër. E hapnin i biri dhe…
Një krokëllimë u dëgjua pak, u hap dera dhe brenda hyri Lavdërimi.
– Eja, eja vëllaçko – i qeshi paksa të sapoardhurit i zoti i shtëpisë. U përpoq të ngrihej, nuk mundi. Ndjeu dhimbje, lëshoi një zë të mbytur. Menjëherë u plas tek karrikja.
– Më mirë më dukesh Bekim, më mirë.
– Eh, e mira ime. E mira ime e zezë.
– Mos e lësho veten. Jetojmë.
– Jetoj në karrike, – iu gjegj Bekimi vëllamit të vet me të cilin kishte pirë gjak qysh së vogëlthi.
– Nesër ime motër, e ndjera gruaja jote ka datëlindjen. Do t’ia festojmë?!
I moshuari i hodhi një vështrim mëdyshës të sapoardhurit vëllaçko siç e thërriste një jetë.
– Nesër, ose pasnesër unë do të vdes, unë vdes. Kur do të më përcillni mua ? Në datëlindjen e gruas.?
-Lëri parandjenjat Bekim, o vëllaçko! Asnjë nuk vdes në datëlindjen e vet dhe të askujt tjetri.
– Ndonjëherë edhe mundet, Lavdo. Unë dua të rroj me këmbë e me dorë. Të eci, të dal, të pi një kafe… dhe .. I moshuari zëdrithëruar heshti.
– Jetë qeni kjo, jetë ku unë nuk dëgjoj as të lehura qeni e asnjë mjaullimë maceje.
– Bekim, mjaft të lutem. Mbaje veten! Eja të dalim.
– Të dalim? Mua s’më mbajnë as kurrizi dhe as këmbët. Lermë të lutem, lermë! Unë jetoj në arkivol. Tani më ka mbetur të ul veç kapakun. Ta ul kapakun me duart e mia.
– Mos, vëllaçko, mos! M’i ngule mua gozhdët. M’i ngule keq… pa të keq.
– Do çuditen të gjithë k’saj bote: të festosh datëlindjen e një të ndjere. Tani dhe datëlindjet tona pse duhet t’i kujtojmë?
– Eja të dalim. Tani vjen dhe Eno. Besoj se i ka dalë gjumi të pagjumit.
Edhe gjumë, edhe i pagjumë- qesëndisi tetëdhjetë e pesë vjeçari.
Një xixë drite ia mbushi sytë. Kjo xixë jetonte në të dyja retinat e tij. Jo aq e qartë, jo aq e fshehtë. Sa herë sillte ndërmend hënën.
Sa herë e shihte Bekimi hënën (dhe gruan) duke ecur e vrapuar në tokë. Në tokë e në det. Në të përpjetën e Kaninës dhe kupën diellore mbi Shashicë.
Lavdërimi u afrua tek vëllami i tij, i vuri dorën në sup.
– Pas pak do dalim. Sapo pashë nga dritarja Enon. Po vjen këtu.
NDËRKOHË… PAS
Jugu nuk është dimëror, por ndonjëherë e ka dimrin në palcë. Nja dy-tri ditë sa për t’i nxitur njerëzit të ndezin oxhaqet tek shtëpitë e tyre të hershme dhe sobat me dru.
Bekimi po hiqej çdo ditë nga shëndeti. Kurrizi i dhimbte shpesh. Po të përkulej i bëhej e vështirë të qëndronte drejt pa një ofshamë.
I biri i tij priste t’i vinin drutë nga shërbimi qytetas. Prit, s’ka, s’ka…mos prit, çartu…Po ku ? Ç’drurë të shkulësh? Drurë për të ngrënë shuplaka e shkelma nga roja e ullishtes, për të shkuar pastaj në polici?
E rehatoi të atin në shtrat pasi hëngrën sëbashku mëngjesin. Mëngjesin me pak mëngjes.
– Baba, rri shtrirë, të lutem! Të mbështolla mirë e mirë. Do vonohem paksa se…do vonohem. Ti mos u bëj merak. Koncerti i Vitit të ri është sonte. Jam në orkestër me provën e fundit.
– Mirë, o bir shko, shko…Do bëj si do bëj edhe vetëm sa të vish ti. U veshe mire? Ftohtë sot.
– Më ftohtë se përhera. Shoh xhamat me brymë. S’duket asgjë përjashta.
– S’na erdhën as drutë. Bëëëërr..
Njeriu përpiqej t’i largohej dimrit a dimri i afrohej njeriut? Dimri donte të ngrohej tek njeriu a njeriu donte t’ia përzinte dimrit ftohmën nga pëqinjtë e tij?
Do bëjmë si do bëjmë, o shtylla ime – i tha me gojën plot i biri të atit.- Mos u mërzit. Nesër besoj do vijnë drutë.
– Ç’është kjo fjalë? Ti mbete në këmbë. Gjithçka kryen për mua, më lan mua edhe … mban gjithë shtëpinë. Shtëpinë dhe klarinetën, o bir. Bjeri fort sonte klarinetës ta dëgjoj dhe unë.
I biri doli. Mori sëpatën mbështetur tek guri përdhesë tek oborri, mbështolli thesin e i qarkoj një spango të trashë. I hipi biçikletës dhe nisi të ec e të rend për atje ku ëndërronte e fantazonte qysh mbrëmë : në hënë. Në henë? Jo,jo … poshtë henës në malin e Shashicës atje ku drurët paksa të mpakur e të rregjur nuk bënin më përpjetë ndonse akoma përpjetë zgjoheshin-ngryseshin, ngryseshin – zgjoheshin kokëposhtë.
Do të bënte dru për një a dy netë. Të ngrohej i ati, ky at aq i fortë e aq i k’putun, aq i papërtuar dhe tashma…
***
A e festuan datëlindjen e së ndjerës të vetët : bashkëshorti, i biri, i vëllai, nipi, kunata…
Të rrish e të vdesësh nën hënë qënka pritja më e paqtë paçka se të përcjellin të nesërmen në mëngjes, në mesditë ose mbasdite pa perënduar ende hisja e kuqe e diellit për njeriun dhe qytetin, pa dalë ende hëna. Se i ndjeri po e pa hënën do ta marr me vete tëposhtë. Por po e mori ai hënën tëposhtë me ç’dritë do ta shohim ne natën, natën e të gjallëve dhe të të vdekurve që aty presin e përcjellin njëri – tjetrin?