Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: Përmes qytetit tim

Ja, erdha prapë si miturak,
Të zbraz një shpirt plot mallëngjim,
Ku udhët vijnë e mblidhen qark
Si dej përmes qytetit tim.

Në gurë gdhendur dy sorkadhe,
Më presin gjithë dashuri.
Nga ç’pyje zbritën vallë, nga ç’male?
Syngrirat nëpër gurët gri?

Më josh një qoshk në trotuar
Të prek kujtimet një nga një,
Më tej.. një pishë halash tharë
Më zë përdore e s’më lë.

Mbi gjarpërushen, tek dihas,
Një shkallëz shkëmbi gjer mbi re,
Patjetër nis me një parajsë
Qytezë, shpezë.. në fole.

Përtej gjallon i qetë një lumë
Që s’vjen e s’rrjedh si gjithë të tjerë,
I vetëm, shekujsh gdhend me zhurmë,
Të tijin shtrat nëpër humnerë.

Si miturak, ja erdha prapë
Të zbraz një shpirt plot mallëngjim
Ku udhët vijnë e mblidhen qark,
Si dej përmes qytetit tim.