Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Populli

Ky popull veç sakrifikon,
Që nga punëtorë e bujq,
Sepse me djersë të tij ushqehet
Kjo lukuni me ujqër.

Ky popull është me llërëpërveshur,
Kështu i duhet vendit.
Nga puna e popullit ushqehen
Debilat e Kuvendit.

Ky popull mbjell veç për të tjerë,
Ndaj Zoti shumë e dashtë!
Me lekët e popullit ushqehen
Reklamat me bythë jashtë.

Nga populli ka ende njerëz
Që bëjnë jetë mjerane.
Me lekët e popullit ushqehen
Gjithë lehësit në ekrane.

Por është dhe popull i duruar,
Duron çdo pis e horr.
Nga mundi i popullit ushqehen
Gjyqtarë e prokurorë.

Ky popull është edhe i ndershëm,
Që nuk bën punë të pista.
Nga mundi i popullit ushqehen
Dhe ishët, dhe ministra.

Ky popull është i sakrificës,
Kështu ka qenë gjithnjë.
Me lekët e popullit ushqehen
Shoqata, OJQ.

Ky popull veç sakrifikon,
Që nga punëtorë e bujqër
Sepse me djersën e tij ushqehet
Kjo lukuni me ujqër.