Ruzhdi Gole: PAGËZUAR NGA FJALA
– E di që nuk jeton, por e di që edhe jeton.
– Unë e kam njohur kur jepte mësim në Universitetin e Beershevasë. Në këtë qytet banoj unë. E urova kur botoj librin “Të njohësh…”. Nuk jeton.
– Kështu thua ti? Unë e kam parë këto ditë. Të shtunën para meje ai zbriti nga treni. Sa zbriti në stacion pa qiellin. Pas pak hodhi sytë tek horizonti e eci tej. Kaq. Unë hipa në tren në linjën tjetër Beesherva -Tel -Aviv.
– E paske parë të shtunën? Po më çudit. Ai ishte i sëmurë rëndë. U bë kohë që s’jepte mësim as në Universitet. Nuk jeton.
– Eh, çuditë nuk janë të rastësishme, Aron. Sa zbrita tek stacioni kryeqytetas kur ai më del përpara i qullur nëpër shi. Përshëndeste sa andej-këndej, ndoshta u lutej paksa njerëzve t’i hapnin rrugën.
– Përse nxitonte? Për ku?
– Mund t’i ikte treni. Do nisej për diku. Treni ka orar. Për mashinistin njësoj janë të gjithë njerëzit,
– Po, po, edhe ata që zbresin, edhe ata që hipin.
– Kam dëgjuar se para ca kohësh profesori ka qenë në Tiranë.
– Ka të njohur këtu?
Nuk janë shumë, por besoj do ta njohin edhe të tjerë.
– Në Tiranë? Në një studio TV? Ah, jo, jo lajm fluturak ky.
– Një e njohura ime e ka takuar në Tel-Aviv dhe ai për mirësjellje e ftoi në shtëpinë e tij. Kështu është.
– Profesori ka lindur në Jerusalem?
– Po atje ka lindur, një fëmijë lufte.
– Ç’do të thuash “një fëmijë lufte”? Aron. Prindërit e tij ishin ushtarakë? Shërbenin sanitarë?
– Ranë në dashuri në mes të luftës e u martuan në paqe, në gjysm’ paqe.
– Si ta kuptoj?
– Ai vend nuk ka pasur asnjëherë prehje. Ka lindur në një ditë e orë të përpiktë si gjithë fëmijtë.
– Në Shtëpinë e Lindjes afër luftës, në mes të saj. Duhet ta besoj?
Ta besosh!
– Ne, Nard i dashur nuk lindëm në luftë.
– As në paqe.
– Por si fëmijë të pa përkëdhelur nga fati.
– E deshëm njeri-tjetrin. Po pse rrugën ku banoje ti, Aron e plot të tjerë ne e quanim rruga e çifutëve?
– Nuk e di.
– Pa të keq. Gjithçka pa të keq.
– Mjeshtra rrobaqepës të gjithë burrat e asaj rruge. Nikoqire mëmat. Të bukura vajzat. Aty qëndiseshin fustane e paja nusërie, ostume dhëndërie.
– Sikur qendisej edhe ajri.
– Kaloi një jetë.
– Jo veç një…
Heshti zëri a heshtja s’ka zë? Pas pak …
– Kam dëgjuar se vite më vonë rruga ku lindi profesori mori emrin e tij.
– E ëma tij, e cila vdiq tragjikisht duke u vetvrarë, mori emrin e rrugës për të birin.
– Jeton ende në atë lagje fëminia e tij?
– Po, jeton, fëmini e vetmuar. E gjen këtë fëmijë edhe nëpër fusha duke punuar.
– Fëminia e tij jeton pak, fare pak aty?
– Ende fëmijni e trazuar e parritur.
– Ku e shohin? Si e shohin?
– E shohin në fushë. Në fushat e pambukut.
– Njëzet e pesë vjeçar profesori ka qenë tankist në luftë.
– Tankist? Po prindërit e tij i ikën luftës. Kaq shpejt u rrit fëmija i Jeruzalemit?
– Si gjithë fëmijtë. Jeruzalemi është i çdo fëmije. Lufta nuk është lojë për ta.
– Nuk është as loja e tyre.
– Fëmija ka ikur herët q’andej. Shpesh vetmimtar.
-Edhe i plagosur.
– I plagosur? Qysh fëmijë? Nga ndonjë cifël ndoshta?
– Cifla e parë: mëma. Mëma dhe vetmia e tij e gjatë, e përhershme. Cifla e dytë: lufta. Lufta e rëndë dhe e pashtershme.
– Në fushat e pambukut, në tanks, në Universitet…Si ka ecur jeta e profesorit. Kaq shpejt, si ecën jeta… përpjetë, tatëpjetë.
– Si të gjithë. Dikush ecën më shpejt se të tjerët, dikush më ngadalë.
– Ç’do të thuash?
– Njeriu jeton shumë, më pak se vitet e tij.
– Profesori gjithmonë këmbëngulte në leksionet e filozofisë me studentët se e drejta nuk i takon vetëm një bindjeje, vetëm një krahu.
– E vërtetë dhe e guximshme kjo. E kanë quajtur “tradhtar”. Ai qeshte, sikur mburrej me tradhëtinë e tij.
– Ai nuk tradhëtoi askënd.
– Paqja duhet tani. Pak a shumë kështu u drejtohej Profesori studentëve.
– Patjetër. Nuk ka paqe gjysmake. Nuk duhet të ketë popuj të përçudnuar.
– Aron, më kujtohet kur jetonim bashkë afër. Ti tek rruga e çifutëve unë tek sheshi i Kateqit.
– Si s’u grindëm njëherë. Rrugicat tona ishin vet paqja.
– Paqja e prindërve tanë na afroi ahere në si fëmijë.
– T’u bën vite që jeton në Beesherva, Aron?
– Gjysma e jetës sime. Atje jetova gjysmën tjetër gjer tani. Nesër…
– Kur e nesërmja vjen ajo bëhet sot.
– E ke njohur profesorin sikur me the.
– Po, po, ai jetonte në Arad, nja tridhjetë km. larg qytetit tim. Në të vërtetë, ai jetonte në shumë qytete. Esetë e tij niseshin para tij në qytete të tjera ku ai do të ligjëronte.
– E vërtetë kjo, e vërtetë. Mbaj mend esenë e njohur të tij “Si të zbutësh një fanatik”.
– Nuk është fanatik i zakonshëm. Është i pabindur, i ashpër, kryeneç.
– Fanatiku kryeneç është pjella e së keqes.
– Lufta lind nga fanatikët. Ide e madhe kjo e profesorit. Tani edhe profesori e mbylli jetën. Javën e kaluat gazetat vunë një shirit të zi në faqen e tyre të parë.
– Shirit të zi? Lajm fluturak edhe ky, o Aron.
– Po, po… vunë një shirit të zi edhe blu.
– Atë mbrëmje, në mos atë mbrëmje, të nesërmen profesorin e kishin parë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt.
– Të jetë e vërtetë?
– Kështu shkroi gazeta e Tel-Avivit.
– Thurr e shthurr gjithçka.
– Pas nja dy orësh një gazetë tjetër jep lajmin se profesori ishte parë në aeroportin e Tiranës. Menjëherë dy TV. të kryeqytetit e prisnin tek salla qëndrore. U zhgënjyen të gjithë.
– E di, e di. Kishte ardhur një delegacion izraelit për kulturën nga Universiteti i Beershevasë, jo Profesori.
– Ai vet po bashkëbisedonte me gazetaren e Top channell në shtëpinë e tij në Tel-Aviv. Gjithçka u transmetua në tv.
– Edhe kur profesori i dhuroi gazetares librin e tij për dritën dhe errësirën.
– Profesorin e duan të vetët, e duan edhe ata që s’e njohin.
– Si mund ta duash njeriun pa e njohur?
– Ngaqë profesori i do njerëzit e të githa besimeve, e të gjitha feve. Ai ka kundërshtarë, por jo armiq.
– Ka pasur thuaj, jo ka kundërshtarë. Ai tani ka veç një gur varri mbi krye. I vdekshëm si gjithë të tjerët.
– S’më beson akoma? Gjithandej flitet, gjithandej përhapet Fjala e tij akoma. E ftojnë në panaire, kongrese të kulturës, në përurime filmi. Ai është njeri i pagëzuar nga Fjala…
– Të të besoj?!…
– E di që nuk jeton, por edhe…jeton.