Toninë Hido: Guidë e rrallë turistike në pëllëmbën e dorës
Vlerësim për librin “Portat e kujtesës” me autor Vasil Muka
Ka qenë viti 2000, kur z. Banush Mezini dhe znj. Elvira Shapllo fituan konkursin e parë “Guidë turistike – për Gjirokastrën”.
Ishte një vlerë e shtuar për jetën qytetare, sepse ishin dhënë bukur, me dashuri e ngrohtësi bukuritë e Gjirokastrës, por libri në fjalë i Vasil Mukës, është i veçantë, sepse veç një “bir i dashur” si Baçi mund të shkruante për vlerën e Gjirokastrës, me detaje plot ngrohtësi.
Të dhënat historike, si ato të kultivuara, herë si akte në vendngjarje, të skuqura me gjak të rënësh në luftrat e shekujve, kanë shërbyer dhe vazhdojnë si tregues i kënaqshëm për të rinjtë e ata që shërbejnë si ciceronë të një guide.
Në “Muzeun e armëve” të Kalasë së Argjiros ka fakte që flasin/ gjëmojnë për madhështinë e qytetit të gurtë. Mirënjohje të gjithëve, sidomos banorëve të Gjirokastrës që mishërojnë dhe sendërzojnë realitetin e guidës turistike, të cilat, duhet thënë, pasurohen dita ditës me të dhëna të vlefshme. E nesërmja është më e mirë se e sotmja, kështu rriten vlerat e vendlindjes sonë, si pasuri e krenari jona dhe në UNESCO.
Me të gjitha bashkë, do të shohim një dritë të re në një Guidë enciklopedike kaq origjinale, shumë emocionuese: për nga përmbajtja, për nga ndërtimi i një godine shpirtërore, për nga “autorët e panumërt që gëzojnë kënaqshëm sipas moshës, profesioneve, lidhjeve familjare; gjitonie, përmes një së folmeje “krejt të rrallë por aq të kuptueshme”.
Autori V. Muka nuk bën asgjë për t’u dukur, përkundrazi, vetë, gjithë jeta e tij e bëjnë të përveçëm, në dashurinë e pakufishme; e bëjnë të pakushtëzuar për familjen biologjike, mirënjohës dhe plot detyrime së cilës ia shlyen me bindjen se të jesh një “Cile i ri”, nip i Papavangjelajve, kapitalistë të parë në Gjirokastër, s’është e lehtë.
Këtë, na e mundëson: “një ditar” interesant i autorit me datë, bile dhe me orë. Fillimisht me besimin në Zot, të cilit i është lutur që fëmijë në Mitropolinë pranë shtëpisë; në vazhdim me dashurinë dhe miqësinë e çiltër që lidh familja e tij, edhe me emra të njohur, njerëz të çdo rangu apo studiues shoqërorë, që autori përmend me të njëjtën vlerë, pavarësisht se ç’besimi i takojnë. Sipas autorit, kjo lidhje shpirtërore, që s’njeh kufij, sërë, nivel financiar apo (mos o Zot), siç ndodh sot e kësaj dite në qeverinë lokale apo qendrore. Dhimbja e gëzimi i tij është me të gjithë ata e ato që ndiejnë në pulsin e tyre të rrahë dhe zemra e Vasil Mukës, Baçit.
Është kjo arsyeja e vetëdijes së shkrimtarit “të ri”, Vasil Muka që takon shokë të vjetër e miq të rinj, pa dallim përkatësie partiake, fetare, profesioni.
Është e pamundur të sjellësh në këtë “bisedë”, të shkruash për të gjithë personazhet, sepse libri “Portat e kujtesës” të huton, ato rrinë hapur ditë-natë; me emra të ndryshëm, me profesione të ndryshme, me ngjarje të rëndësishme, por edhe të zakonshme familjare, që zënë vend të veçantë, si plagë të së kaluarës, ndaj të cilave s’duhet të heshtësh te “Portat” e Pazarit të Vjetër, por mbarë Gjirokastrës, qytetit, i cili s’është vetëm i banorëve të hershëm, por edhe i të ardhurve, të cilët ndjehen si në shtëpinë e tyre, kur jetojnë me “kanonet e rregullat” e vendasve.
Rreshtimi i takimeve me data, festive ose jo, tregon sa për zemër e ka Vasil Muka qytetin e lindjes, i cili buron dashuri për ngjarje, kujtime, me zemër të hapur për të gjithë. Nderimi u përket atyre që prijnë për ruajtjen e traditave më të mira, gërshetuar me prurjet e reja nga shërbimi në zona të ndryshme të Shqipërisë, qoftë si emigrant jashtë atdheut. Kuptohet qartë në mesazhin: “Shqipëria është një e pandarë”, që s’ka nevojë për sqarime, sepse mesazhi del i qartë në çdo faqe, në çdo rresht; këto matin ndjeshëmërinë e autorit për çështjet më themelore të godinës shpirtërore të qytetarëve gjirokastritë, por dhe në lidhje me gjithë Shqipërinë, cep më cep.
Sa e mora librin, për të cilin e çmoj dhe falënderoj përzemërsisht, si nderim të ndërsjelltë, nga “pesha” si libër, hapa “kuturu” disa faqe dhe u shtanga; emra të njohur, të gjallë e që s’janë më, bekimi për të dhe familjarët, për miq e shokë, pa le pastaj “Fjalë të rralla të së folmes gjirokastrite, qëndronin tej e mbanë në 545 faqet e këtij ditari, “me dorë në zemër”. Mendimet e shumta, në kohë të jetës sime si mësuese, më çuan në vitet e jetës aktive në Kabinetin Pedagogjik, Seksionin e Arsim Kulturës, gjithë kolektivat e shkollave që punonin me gjithë zemër, (dhe pse shumica dërmuese, mbi 89% nuk qenë anëtarë të Partisë diktatoriale).
I paharruari Hasan Sazani, për temën e doktoraturës së tij, kishte zgjedhur “Fjalë e fraza të së folmes gjirokastrite” , për të cilën u angazhuan të gjithë, mësues, drejtorë, n”ënës, personeli shërbyes, mjedisi shoqëror në lagjet e vjetra të qytetit, sepse, qe bërë zakon, kthyer në traditë, që me z.Viktor Terpo e në vazhdim më të thjeshtin e palodhur në shërbim të çështjes së mësimit dhe edukimit Hasan Sazani, që gjithçka të “pleqërohej” dhe “të vendosej” bashkërisht. Kjo bënte që Gjirokastra, Saranda (me të cilën kishim garë të përvitshme për arsimin), të qenë pararojë…
Botimi i librit, me autor Hasan Sazanin, ” Mësues i popullit”, është më i gjallë se kurrë, ishte sukses i vërtetë, na dhuroi me fjalët e thjeshta të nderimit e n”itjes siç dinte veçmas ai, Hasani. U kënaqëm, e përkthyem këtë libër si arritje të të gjithëve, punonjës e dashamirës të shkollës, të historisë sonë lokale e kombëtare.
…Tani me librin e ri të V. Mukës “Portat e kujtesës” ndjehem, çiltër, siç flasim gjithmonë me kolegët e qytetarë të nderuar të Gjirokastrës “e befasuar”, “e mahnitur”.
Në libër hyjnë në një “guidë” që lëviz, që ecën, që flet, jo vetëm për turistët vendas a të huaj, por “pulson” për gjithë qytetin. Është një “magazinë” mbushur me vlera të prekshme, ku sejcil; të gjithë bashkë, gjejmë veten tonë.
Pa u zgjatur për pavionin e biografisë familjare, që më duket se autori, jo pa qëllim, hyn “me vend e pa vend” jep bekimin e parë, që dashuria, përgjegjësia, bekimi për sejcilin është “rrënja”. Këtë e gjejmë në çdo pasazh mes nesh për vehten, shoqërinë, të njohurit e shumtë me urimin “Zoti na bekoftë të gjithëve”! shpjegon shumë, jo vetëm prania e besimit në Zot në Kishën pranë, por edhe porosia e jetësuar e Pashko Vasës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Në “qetësi e paqe” ku ndjehen plot kërshëri vizitorët, s’ka nevojë të pyesësh, “pse quhet e tillë”: Në libër na tregon drejtimet në kryqëzimin e madh, me emrat e njerëzve që “lëvizin të gjallë” në dyqanet e tyre dhe pse nuk jetojnë më.
Në “bajpasin e ri” që ngriti në këmbë specialistë, qytetarë, njerëz nga “ana e anës” fitoi mendimi më i vyer, “pleqëruar” bashkërisht, jo me urdhër nga lart.
Pa u zgjatur në të dhënat e shumta, dua të shfaq mendimin tim për vlerat gjuhësore të librit “Portat e kujtesës”.
Pyetja e parë që i drejtova V.Mukës, në falënderim për librin, qe : A ke titull shkencor për studimin Tënd? Jo – më tha , por pyetja qe tepër e çiltër, sepse, për çudi sapo kisha ndjekur përsëritjen e një komentatori, kushtuar Dr.Pr. Bahri Beci, ” Fjalori enciklopedik i së folmes shkodrane”, bashkë student në gjimnazin e Shkodrës, “28 Nëntori” na mbush me krenari, si gjithë shkodranët, si vetë fisi “Beci” me kontribute të sinqerta atdhedashurie, shërbimi. Pyetja është e kuptueshme; sepse po, dr. Bahri Beci, njihet tanimë jo vetëm në Shkodrën tonë, në Shqipërinë e diturisë, por dhe jashtë kufijve me miq, shkodranë dhe shkencëtarë të njohur në gjithë botën. Fjalori i Tij është vlerë e rrallë.
Po me Vasil Mukën tonë, në Gjirokastër, ç’duhet të bëjmë, ç’duhet të themi?! Veç falënderimeve dhe vlerësimeve personale libri i tij, sipas meje është “thelbi ” i njohjes së gjuhës lokale që flitet dhe sot, në mjedise “të ngushta ” ose dhe të gjera, si ” malli- dashuria për vendlindjen”. S’jam e aftë të shpreh aq ndjeshëm brendinë e fjalës ” mall e dashuri” por le të lidhen ato me theksin e brendshëm të zemrës , në të cilën shprehen aq bukur në parathënien e Pr. Dr. Mimoza Kore Karagjozi, e cila, si dhe në librat e tjerë shkencorë të saj, spikat me përgjegjësi qytetare, intelektuale, shkencore, ku ndjehet dashuria përjetësisht me detyrimin për qytetin e lindjes.
Pa anashkaluar aspak mjediset në çdo cep të qytetit, më duhet të ndalem posaçërisht n’atë që më duket “e veçantë” e këtij libri, si titull për një studim “shkencor” mbi “Fjalët dhe të folmen e vjetër, “por që ruhet edhe sot në biseda gjirokastritësh të mirëfilltë. Prandaj; në ” magazinën” e kujtimeve, dendur me mijra, ngjarje, sipas një ” ditari” me data, regjistruar në jetën e njeriut” jo të zakonshëm” do të thoja që Vasil Muka është ” një rojtar tepër besnik” që me dashuri, çiltërsi shkruan “historinë e bukur” të jetës sonë; ku turistët mahniten me kalldrëmin që zbret nga Qafa e Pazarit. Autori jep me emra ” endësit” e kësaj mrekullie, bile, ndonjëherë “me veshë e hundë më të madhe se zakonisht,” me tepsinë në duar shket në gurët e bardhë, në qëndizmën e kësaj mrekullie. Personazhet i ndjek gjer në Tiranë, Amerikë e Kanada, po deshe.
I dashur n”ënës, që më bëhesh “mësues” i mirë gjetkë nisem e gjetkë sosem, nga që materialet e shkruara me shumë dashuri dhe çiltërsi të ndalojnë për shumëçka.
“”hepi” më i pasur është ” “hepi” i fjalës së rrallë, shprehjeve të vjetra popullore, në mjedise miqsh a shokësh, të cilët rijetojnë kur i mbledh rasti, në vitet e jetës së tyre.
“Xhepi” ka ndarjet e veta: 1. Shprehje dhe fjalë të vjetra urimesh. 2. Fjalë e shprehje të veçanta mallkimesh. 3. Shprehje e fjalë të rralla vlerësimesh e zhvlerësimesh për njerëz e tema të veçanta të jetës së paskajshme. 4. Emërtime rrugësh, sokaqesh, mjedisesh në lagje, sipas asaj që përfaqësojnë. 5. Fjalë e shprehje për vegla pune, mjete udhëtimi, sipas kohës, sendit të përdorimit. 6. “Xhepi”, i veçantë, për “fjalë, emra, metafora, komunikime të fshehta të qetësimit, etj. Këtu dua të them se autori meriton një “pikturë” të rrallë, jo vetëm se është i lidhur me titullin e merituar “VIP i Rostiçerisë së Cile Mukës”, por sepse, me dashurinë për të gjithë sivëllezërit e tij, etj më kujtojnë një pikturë të Idromenos “Pas gjahut”. Thuhet që gënjeshtrat më të mëdha dëgjohen gjatë fushatave elektorale (në çdo vend). Për këtë të fundit ka një pikturë, të cilën e mbante dr. Vasil Laboviti (kushëri me tim shoq) në korridorin e katit të dytë sepse qe vetë gjahtar. Në këtë pikturë ka vetëm 3-4 burra (gjahtarë – qen, ushtarë), kurse në një “kompozim tjetër pikturash të Vasil Mukës, mund të shihet tërë “kuzhina gjirokastrite” me shijen, mrekullinë e vërtetë, shoqëruar me bisedat, thashethemet, kurthet a lëvdatat që thuheshin nën avujt e rakisë a të verës që bënte vetë “Cile Muka e djemtë” duke ndjellë vendas të përditshëm, të përkohshëm, të ardhur apo të riardhur për shijen e mezeve, pijeve dhe servirjes së tyre “të rrallë”. E thonë vetë të mëdhenjtë: Dritëro Agolli, Naum Prifti, Ismail Kadare, në shkrimet e tyre.
E krahasova librin me një “xhep alfabeti”, sepse kujtova që mësuesit e klasës së parë, dikur mbanin në klasë një të tillë, bashkë me mjetet e tjera që përgatisnin vetë duke na i bërë mësimin, shkollën aq të dashur, të paharruar për gjithë jetën.
Në “xhepat e librit”, jo vetëm ka fjalë e shprehje të rralla, të zakonshme, të së folmes gjirokastrite, por janë në “lëvizje”, në përdorim konkret, në kontekste të caktuara; flasin në çdo rast anetë dhe bilat e tyre, flasin njerëz të profesioneve të ndryshme; flasin miq e dashamirës që jetojnë në vendngjarje e lagje, të qytetit, në Tiranë; flasin mësues e nxënës (62) të tillë që shkuan nga Gjirokastra dhe shërbyen në Pukë e fshatrat rreth saj. Flasin të gjithë personazhet e “Portës së kujtesës”…
Një “xhep” më vete bëjnë dukuri gjuhësore në të folmen e qytetit, në të folmen e zakonshme si: 1. Ndërrimi i vendit të tingujve (kalldrëm – kadërllëm). 2. Shpurja e tingujve në mes të fjalës (Frabrikë, etj). 3. Rënia e tingujve në fillim të fjalës a pjesëzave (O të shkosh, o të marrësh, për do të shkosh, do të marrësh). 4. Zbutja e fonemës “sh-ç” në pozicion fundor të fjalës (vafç e ardhç shëndoshë, në vend të vafsh e ardhsh shëndoshë). 5. Ndrrimi i dh në ll edhe e kundërta (dhogë-llogë). 6. Dyzanorja ye-ie; ie- je; etj. (ngyej – ngjiej, diell -djell) e plot dukuri të tjera.
Është gjë me vlerë ky libër, i cili, po të trajtohet me kujdes me “syrin e dorën e profesionistëve”, do të jetë vlerë e shtuar në pavionin e arsimit në kalanë e qytetit tonë, por edhe në kalanë e “gjuhësisë sonë”.
Është dhe një “dhuratë”, e çmuar për nismën e re, që gazetari pasionant Engjëllush Seriani, ka marrë kohët e fundit: Vjosa jonë pret gojëdhëna e përralla që lidhen me jetën e banorëve në dy brigjet e kësaj perle, “si zonë e mbrojtur”. Nisma e Serianit, që ka bërë të flasë e të këndojë Antigonenë, ndërtuar nga Filipi i Maqedonisë së lashtë në kujtim të gruas së dashur Antigona, do të jetë shpresoj, mikëpritëse për të folmen e rrallë të banorëve të Gjirokastrës, të Pazarit të Vjetër, si lagje e parë që zbriti nga Kalaja e Argjiros. Do të përkundet në zërat e zemrës së krijuesve e banorëve të tjerë si I. Çulli, A. Shehu, Y. Çiraku, V. Musta, P. Ruka, të cilët në vargjet e tyre bartin freskinë e gurgullimës së Vjosës sonë, duke hedhur lule të bardha si zemrat e banorëve në brigjet shekullore të saj.
Kështu si E. Seriani dhe të tjerë që s’njohin, nuk matin moshë në vite, por me shërbim shpirtëror, ndaj vendlindjes, njerëzve që banojnë e jetojnë në shi e në diell do të jenë pjesë e gurgullimës të ujrave të lumit, që përkulen me nderim përjetësisht, në jetë të jetëve.
Është një fjalor “i veçantë”, sepse jepet konkretisht në lëvizje e sipër. Do të donim që të mos kishte shumë greqizma e turqizma, por huazimet i njeh dhe vetë shkenca e dialektologjisë. Në fjalor ky libër është një regjistrim besnik që ua kalon në shumë drejtime “ekspeditave studentore” të mbledhjes së fjalëve e shprehjeve të krahinave të ndryshme, ku jetojnë e studiojnë. U del shumë punë, studimi i këtij libri, nën drejtimin shkencor të pedagogëve.
Tani pyes: Po ekspedita të tilla në Universitetin tonë “Eqerem Çabej” sa e njohin këtë “vlerë” konkrete? Sa e studiojnë këtë? Sa të gatshëm janë, për t’u ndalur e vazhduar këtë punë?
Është koha që të ndjekim më mirë vlerat e mjedisit tonë, të cilat na rrethojnë dhe në kohën e duhur të flasim jo “me urdhëra” por me vepra.
Tani… për qytetin po pyes veten: Sa diskutohen në Fakultetin e Mësuesisë, librat e shkruar prej mësuesve tanë, që si ka kush, si K. Dedi, M. Karagjozi, S. Korkuti, V. Mukën, etj., ku tregohet se misionarët e vërtetë janë ata që punojnë pa kërkuar asgjë, veç “pagesës bazë”.
Askujt nuk duhet “t’i rrijë ngushtë” kostumi i Gjirokastrës, sepse shkolla projekton të ardhmen; të punojmë sëbashku, duke çmuar traditat e së shkuarës, për të cilat vetë emri i Universitetit tonë “Eqerem Çabej” na thërret për këtë.
Urime, i palodhuri nxënësi im, Vasil Muka, me këtë libër mund të fitoni plotësisht një titull shkencor.
Autorja është “Mësuese e merituar” 1987, “Qytetare Nderi e Gjirokastrës’’ 2009 dhe “Ambasadore e Paqes Universale” 2020.