Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Zanë Mehmeti

Përnjëmend, baba

Përnjëmend, baba!
Përnjëmend e kam ngjyrën e syve t’tu,
si diçka që s’më përket,
por më ka hyrë në gjak, pa leje.
Por kurrë s’ka me rrjedhë musht drite
nga sytë e mi,
ashtu siç rrjedh nga sytë e tu.
Jo çdo dashuri lind e butë;
disa lindin të rënda, të heshtura,
si gurë në dritë brenda vetes.
Edhe vetullat me kënd,
edhe hundën, që veç ne dy e dimë
si e kemi emërtuar,
si një shenjë që s’e kupton askush tjetër,
edhe harkun e buzëve,
edhe buzëqeshjen.
Përnjëmend, për atë Zot!
Kurrë s’kam me arritur me e pasur,
as gjysmën e shpirtit tënd,
atë që, veç një Zot e di sa e lakmoj,
si kufi që më mëson deri ku arrin njeriu,
kur e shikon tjetrin me admirim që dhemb.
Përnjëmend kurrë s’ke me e pranuar
çmendurinë time,
e unë thjeshtën tënde.
Ky mospranim s’është humbje,
është mënyra, si mbijetojmë pranë njëri-tjetrit
pa u shkrirë.
Sa i madh je në sytë e mi…
e përnjëmend nuk e teproj,
kur them se të dua deri në dhembje
si kufiri i fundit,
ku dashuria s’ka më gjuhë,
po vetëm peshë.

Alkimia e qenies


Nëse do ishe yll,
veten do e qëndisja me fijet e tua,
për ta kuptuar pse çdo ndriçim digjet.
Erë që përshkon nën inde, po të ishe,
do më shpërndaje
në drejtime t’padukshme,
derisa ta kuptoja,
se liria është vetmia e lëvizjes.

Nëse do ishe natë,
do mbështillesha me ty,
për t’u bërë pa formë,
për t’u bërë hije.

Kur të ishe ditë,
do më zgjidhje nga hija ime,
pastaj, le të kthehesha përsëri në errësirë.

Dritë, më kërko në verbëri!
Ti je kujtesa e errësirës që m’mungon.

Tokë të ishe,
do të të ndieja në peshën e qenies,
në pluhurin, që e ruan frymën e çdo rënieje.

Gur të ishe,
erozioni që ma mëson durimin do isha.

Rrjedhë, po të ishe,
do më gjeje në gurmazin e baltës,
për t’më përqafuar pa formë, pa kohë.

Nëse do ishe thellësi,
frymë do isha, pluskim.
Çdo dashuri e vërtetë,
është një zhytje,
jo për t’u mbytur,
por për t’u bërë ujë.

Apofaza e zemrës

O i Padukshmi,
që m’je më afër se fryma!
M’zhvesh nga emrat që ia dhashë vetes,
derisa mbetem vetëm etje!
Më dërgo në vendin
ku besimi s’ka formë,
ku hapi bëhet pa “pse”,
dhe zemra pushon së negociuari!
Më lejo të ec mbi ujë,
si ai që s’ka më peshë,
si ai që e ka lënë veten në duart e Tua!
Ma digj krahun e unit,
që t’fluturoj me rënien time!
Syrin ma verbo,
që t’shoh me zemër të zgjuar!
Nëse drita më shkrin,
le të jetë shkrirje për Ty,
jo humbje n’vete.
Mbretëria jote s’ka kufij,
sepse nuk ka “unë” për t’u mbrojtur.
Froni yt s’është lart;
është në përuljen
që më bën të zhdukem.
Mos ma jep ëndrrën si premtim,
ma jep si zjarr!
Që t’më djegë,
derisa t’mos mbetem tjetër,
veç asaj që Ti dëshiron të jem.
Dhe kur t’më japësh gjithçka,
le t’mos jem më aty, për ta marrë!

Pllakat

Në gjitha vitet që kam frymuar,
kam jetuar në pesë shtëpi.
Pesë shtëpi, pesë versione,
të asaj, që e quaj “unë”.
Banjot, të t’pestat, të shtruara me pllaka,
forma e ngjyra, që nuk i mbaj mend.
Kujtesa nuk ruan përdukshmërira,
kujtesa ruan vetëm trazime.
Vetëm dy banjot e fundit,
i mbaj mend më mirë.
Ndoshta sepse aty,
kam mbetur më gjatë, pa ikur nga vetja.
Sa herë pastroj, i numëroj pllakat,
për t’u bindur se ekziston një rend.
I numëroj, dhe i harroj.
Rendi nuk mbahet mend;
rendi kërkohet.
Dhe pikërisht kur bindem se rendi kërkohet,
pllakat mbushen, mbushen.
Me fytyra mbushen, mbushen me trupa.
Qindra, e mijëra.
E vërteta është qind për qind lakuriqe.
Nuk mbulohet ajo.
Fytyrat, trupat,
të mbyllura në katrorë pllakash,
shfaqen si mendime të paplota.
Mërzitur, që janë, habitur, që ekzistojnë,
lodhur nga pesha e të qenit.
Disa fytyra, sikur japin shpirt,
disa të tjera, rrinë pezull
mes formës dhe mungesës së saj.
Herë të dobësuar, herë të papeshë,
herë muskulozë e të majmë…
herë si trupat e Michelangelo-s
herë me brishtësinë e Botticelli -it.
Dhe, çdo herë, çdo herë,
fytyrat janë ndryshe, nga ato parapraket.
Por, nuk besoj se janë fytyrat,
ato që ndryshojnë.
Prirem të besoj, se jam unë ndryshuesja,
që nuk jam, kurrë, e njëjta.
Ç’ndodh, njëmend, ç’ndodh?
Ç’dreqin kanë, që më shfaqen?
Apo jam unë, dreqi që i shpërfaq?
Më shfaqen vetë, a i shpërfaq unë,
është e njëjta gjë.
I numëroj pllakat
për ta mbajtur një vijë dallimi,
mes asaj që është
dhe asaj që më duket se është,
por, nuk shoh ndonjë dallim.
Rendi, a rregulli i gjërave, ndodh paralel
me atë të çmendurisë.
Te ky çast, dhe këtu, nuk bën punë pyetja,
por një përgjigje adresuese:
një r e p a r t p s i k i a t r i k,
që i shton dhembjet!

Arti i gënjeshtrës

Nuk e di në jam.
Nuk e di çka jam.
E di, që nuk di.
Them “ndoshta di”…
jo si shpresë, por si rrënkim.
Vetëdijshëm, gënjeshtra pushon
së qeni gënjeshtër;
bëhet marrëveshje
mes qenies dhe asgjësë.
Dashuria nuk shfaqet si ndjenjë, as si parim;
është rrymë që kërkon rrjedhë,
rend i padukshëm, që i jep frymës arsye.
Nuk shuhen ndiesitë, ngurtësohen.
As vetmia nuk është mungesë,
por pasqyrë që nuk t’fal.
Gënjeshtra nuk ka flatra, shërime.
Nuk kalon mbi të vërtetën,
por e rrethon, e mbërthen t’vërtetën.
Jo nga dobësia, por nga vetëdija.
Të pathënat nuk janë gjethe heshtjeje,
janë struktura të dhembjes.
Gjithsesi, ndërtohet mbi to, një qetësi virtyti.
E dhimbshme sa s’ka më, por, megjithatë është…
megjithatë vazhdon.
Është çmimi i një frymëmarrjeje
të shtyrë më tej, më tej, e më përtej.
E gënjeshtërt, e paformë, përballë vetes ndodhur,
pa mbrojtje, pa metafizikë,
bëhem fjalë, shmangie, devijesë,
ekzistencë e së pavërtetës, për të vërtetën.

Bukuri e papërsosur

Ec përgjatë bregut, në muzg.
Dallgët ma përqafojnë fundfustanin bezhë,
si një kujtesë të lagësht.
Çdo trup është një breg,
ku diçka vjen dhe diçka largohet.
S’dua t’i shoh këmbët e mia.
Nuk i urrej, por s’më kanë pëlqyer kurrë.
Si për inatin tim, shpesh shkel ndonjë guackë,
a ndonjë iriq deti,
e detyrohem t’u hedh një vështrim, mos po gjakosin.
S’i urrej.
Por, as nuk më pëlqejnë.
Megjithatë, sa mbaj mend për veten,
ato e kanë bërë atë, që e bën deti me bregun;
kanë këmbëngulur.
E kanë sfiduar gravitetin, si dallga që kthehet prapë,
edhe kur bregu nuk e pret.
Kanë qëndruar më thellë seç duhet në tokë,
si rrënjë të padukshme që kërkojnë kuptim.
Me këto këmbë… nuk kam shqelmuar askënd.
Vetëm kam ecur… drejt njerëzores.
I fus duart në shkumën e dallgëve dhe e kuptoj,
se nuk më pëlqejnë, as duart.
Nuk kam gishta të hollë, as të brishtë, as të butë,
siç i kërkon ligji i pashkruar i bukurisë.
Por, duart e mia kanë diçka nga deti.
Ato mbajnë, si deti që i mban anijet.
Prekin, si dallga që e prek bregun,
pa pyetur nëse është e mirëpritur.
Me to kam përqafuar sinqerisht,
e kam prekur dheun lakuriq,
skrajat i kam ledhatuar pa u neveritur.
Fundja, një ditë prej ditësh,
i gjithë trupi im, atyre do t’ju dorëzohet.
Kam gatuar me to, duke hedhur mëlmesa dashurie.
Përkundur djepa kam, net të tëra pa gjumë.
Ndonjëherë… kam mbajtur,
gjëra më të brishta se vetja.
Këmbët janë si bregu;
E mbajnë peshën e ardhjeve dhe ikjeve.
Duart si deti; nuk janë gjithmonë të bukura,
por dinë të mbajnë botë.
Prandaj, dallgët nuk më shmangen.
Ndoshta… e dinë se vij nga i njëjti durim?

Dorëzim

Shpirti më kthen atje,
ku besimi s’ka nevojë për prova,
për t’u mbledhur në vete.
Hapin e hedh mbi ujë, jo si sfidë ndaj ligjit,
por si pajtim me frikën që u lodh,
duke më mbajtur peng.
Fluturoj pa krahë.
Ajo që më rëndon nuk është mishi,
por pyetja: “po sikur?…”.
Dritën e dalloj edhe kur më verbon.
Verbëria nuk lind në sy,
por në zemrën që trembet
ta pranojë të vërtetën e vet.
Aty nis mbretëria ime.
Pa mure që mbrojnë, pa ushtri që frikëson.
Vetëm një fron i ngritur mbi dorëzimin e vetes
dhe heshtja që më mësoi, të sundoj pa dhunë.
Ëndrra nuk më premton, më kërkon.
Mu pse s’i kërkoj asgjë,
ajo më fal gjithçka.

Kapërdim

Sy,
njerëz,
sy.

Njerëz,
sy,
njerëz.

Grimca gjithësie,
a gjithësia n’vete.

Thellësira oqeanesh
që tejkalojnë, kapërdijnë qiej.

Sytë e kanë gjuhën e vet.
Duhen lexuar…

Rrugë të një burgu pa mure

Përtej zhurmës dhe hijeve,
një pyetje mbetet pezull:
kush është, vërtet, armiku?
Oh, kushedi sa lodhen ata!
Në darka të gjata,
në kolltuqe që rrëshqasin,
me llogari të majme.
Po mendoj, si një axhami,
në këtë oqeaninë e blertë të kohës.
Më lëkundin valët e ditës,
vajtjeardhjet pa fund,
rrugët që trajektojnë si shkallë
drejt një burgu të padukshëm.
Një kafe turke, mjafton për ne të thjeshtit.
Për ne të thjeshtit,
një kafe turke, e fortë si në zamanin e gjyshërve,
dhe një gotë boronice,
janë një ngushëllim i mjaftueshëm,
një shpresë e njëmendtë
në këtë botë thartane.

Koktejet, për ne?
Oooo, jo, jo!
Koktejet e mjegullojnë shpirtin e thjeshtë.
Koktejet të hanë brendash, të tjetërsojnë,
si retë që e fshehin diellin.
Ne të thjeshtit, mësuar jemi, t’ecim n’errësira.
Kur afrohen ditët e zhurmës para zgjedhjeve,
rrugët mbushen me hallakamë.
Rrugët ngatërrohen, si labirinte prej ëndrrash
pa asnjë shteg daljeje.
Tamam teatër, tamam teatër absurd.
Në skenën e këtij teatri, dalin, shfaqen “heronjtë” tanë,
me fytyra të lodhura, me buzëqeshje të ngrira.
Duart e tyre janë rëndesë, peshë e pashprehur,
peshë e mbështjellë me misterin e shifrave
që në zjarre heshtjeje digjen.
Punë gjysmake bëjnë gjithnjë,
premtime boshe japin;
ata lidhen si hijet pas dritës.
Lojë djallëzore është loja e tyre,
lojë e madhe, ku rregullat i përcakton errësira,
e ne, thjesht shikues jemi, në një arenë pa dalje.
Kemi empati për ta?
Po. Empatia për ta,
është si rrjedha e një lumi të ngadalshëm,
që përshkon gurë të ashpër,
duke u përpjekur të mos e gërryejë bregun.
Por, si çdo rrjedhë, edhe ajo lodhet,
dhe në fund të fundit,
i thehen kockat e shpirtit,
duke lënë prapa vetesh,
copa të thara të shëndetit dhimbjesor.
Tenderët, shifrat, u janë numra,
u janë zanafillë e një përralle të errët.
Nuk bëjnë lojëra fëmijësh ata,
por beteja të fshehta,
ku çdo shifër duhet ta gjejë vendin e vet,
si një gur i çmuar
në mozaikun e komplikuar të pushtetit.
Kërkesa të pamundura fluturojnë rreth tyre,
si flutura në netë të errëta.
Në rrjetën e pritjeve të pafundta,
njerëzia ngatërruar presin,
me zemrat n’duar,
me zemrat që u rrahin si zogj të kafshuar,
duke kërkuar një frymëmarrje më të thellë
në këtë kaos.
Mjerim i heshtur, mjerim i bukur!
Udhëtarë të pafat, në rrugët e kësaj bote
të mbushurr me gërmadha!
Njerëzia shkojnë, lodhen,
por nuk ndalen, me shpirtrat peshë,
me shpresat e një dite të re!
Ju që i shani,
dhe ju që e keni vënë mendjen me i sharë, ndaloni!
Shikoni më thellë,
shikoni përtej zhurmës që ndëgjoni,
dhe keni me e pa, se ata nuk janë armiqtë tanë,
por vëllezërit tanë të tjetërsuar, pengesa jonë,
pengesa në rrugën tonë!
Janë vëllezërit tanë që i ka djallëzuar,
i ka verbuar pushteti, paraja.
Tashmë, ata janë sistemi n’sistem!
Tashmë, ata janë kanceri ynë!
Shajini, shuajuani, prishjuani sistemin, njerëz!
Prishjuani fytyrat edhe këtyre njerëzve tanë jonjerëz,
që lodhen, vuajnë,
vuajnë kaq shumë, për të na vdekur,
e për të na parë të vdekur,
si askënd tjetër, si asnjë herë tjetër!

Lërmë të më dhemb!

Sonte m’dhimbsesh kaq shumë,
o Bandi im!
Teksa e bëj lutjen e mbrëmjes,
në takimin me Krijuesin,
shpesh më ndodh
mendja të më ikë dikah,
sytë të më rrëshqasin diku tjetër.
Sonte, sytë m’rrëshqasin te ti.
Të shoh me cep të syrit,
si fle në divan, i mbledhur në vete,
me putrat e futura
nën gjoksin tënd të pushtë.
Sikur ke ftohtë,
edhe pse dhoma është në paqe me ngrohjen.
M’dhimbsesh, o Band!
Ta kam prerë lirinë e të endurit gjithandej,
mes macesh e maçokësh.
Por më shumë m’dhimbsesh,
ngaqë je kafshë.

Ç’ndien ti?
Ç’ndien, vallë, një kafshë?
Nuk gjej fjalë, për ç’ndiej;
stomaku m’ngjitet n’krahëror;
në lotë të valë gulçoj.
Është një ndjesi
me shije të fortë dhembjeje.
Kaq di të them.
Me gjumin tënd, o Band,
sonte ma jep këtë përjetim.

Të qofsha falë, o Zot,
që më bëre njeri!
Por, mbromë nga vetja, t’lutem!
Mbromë nga shterimet e ndjenjave!
Mbromë nga mpirja që nuk çirret,
por zbraz, zbraz ngadalë.

O Bandi im!
O ti krijesë e vogël, e dashur!
T’shoh si fle qetë, qetë,
mbledhur në divan,
edhe zëshëm shprehem,
flas me ty;
edhe pse je kaq i dashur,
kaq i pafajshëm,
prapëseprapë nuk do kisha dashtë
me qenë ti,
por diç shumë më pak se ti;
njeriu n’njeri.