Rafaela Prifti: Pena për Atdheun – Cikël me poezi nga Naman Osmani
Naman Osmani i është kushtuar shprehjes poetike dhe përjetimeve njerëzore. Në krijimet e tij, ai ndërthur ndjeshmërinë me reflektimin për të përcjellë mallin, krenarinë dhe lidhjen e pashkëputur shpirtërore me atdheun. Cikli i ri me poezi titulluar “Pena për Atdheun” lexohet si ditari i tij në vargje, që synon, siç shprehet autori në poezinë “Pranverë mbi detin e Veriut”, “të kapë momentin me dorën time”.
Cikli është ndarë në pesë grupime: “Fryma e Lirisë”, “Dëshmitë e Kohës”, “Zëri Hyjnor”, “Letra e Fatit” dhe “Plani i Balit”. Në to është e prekshme ndjeshmëria e autorit dhe lidhja e tij e thellë me natyrën, si tek poezitë “Kur bien gjethet” dhe “Më fal, trëndafil”. Elementet e natyrës përçojnë pasqyrime të botës së tij të brendshme. Ai e përjeton veten si një gjethe të brishtë, ndërsa trëndafili bëhet simbol i ndjeshmërisë njerëzore. Në faqet e ciklit ka përsiatje kushtuar figurës së poetit, si në krijimet “Me penë të artë”, “Melodia e poetit” etj. Epiqendra e ciklit, e pranishme në pjesën më të madhe të poezive, është vendlindja e autorit, Kosova, Besi, që ndodhet mes Podujevës dhe Prishtinës. Siç shprehet ai, atdheu është “pjesë e vargut të tij” dhe i pandarë nga vetë qenia e tij. Poeti ndërton kontraste mes natyrës së vendlindjes dhe mërgimit, përkitur me gjendje emocionale, dhe ndjesitë që përcjellin Besi përballë Nju Jork-ut, Manhatan-it, aty ku vargu i tij thotë “secili shkon në biznesin e vet”.
Krijimet e Naman Osmanit janë përjetime çasti dhe pasqyrim i ngjarjeve të ditës: nga gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, te ngjarje të rëndësishme jetësore, si takimi me shoqen e jetës, Artën, apo diplomimi i vajzës. Edhe momente të tjera, si vizita te kardiologu ose pjesëmarrja në Panairin e Librit të Vatrës gjejnë vend në vargjet e tij. Në cikël përfshihen edhe poezi me humor, si ajo për përfundimin e një ndeshjeje futbolli, si dhe disa fabula.
Në të ndihet një pafajësi njerëzore që shprehet përmes pyetjeve të shpeshta të autorit: Përse ka cmirë e keqësi në botë? Përse nuk merr fund e keqja?” Këto pyetje flasin për shqetësimin e tij të sinqertë për gjendjen njerëzore dhe për praninë e së keqes në shoqëri. Në grupimin e fundit, “Plani i Balit”, Namani ngre pyetje të natyrës filozofik, si: “Sa kohë të liga? / Them me vete: / A ka ndonjë vullnetar / që t’i njohë dikush?” Përmes tyre, poeti kërkon të kuptojë kohën në të cilën jeton, si dhe përgjegjësinë e individit ndaj së keqes dhe padrejtësive.
Kur shtrohet pyetja: “Përse shkruan Naman Osmani?”, përgjigjja e autorit vjen e qartë dhe e natyrshme: ai shkruan për atdheun. Për të, vargu është një mënyrë shprehjeje, por edhe një mision e përgjegjësi që buron nga ndërgjegjja e tij përpara kombit, Zotit, vetes dhe shoqërisë.
Urime Naman Osmani!