Mimoza Rexhvelaj: Heshtjen do ta thyej
Heshtjen do ta thyej.
Me copëzat e saj
do të shkruaj poezi.
Do të mbjell shpresë
në molekulat e thyera të shpirtit,
aty ku edhe dhimbja
ruan embrionin e dritës.
Një erë e çmendur ndryshimi
po fryn mbi rrënojat e ditëve,
po shkund hirin e frikës,
po çliron ëndrrat
nga burgjet e heshtjes.
Diçka po lëviz
në palcën e kohës.
Një klithmë e lashtë
po bëhet zë,
një popull i lodhur
po mëson sërish të besojë
se agimet nuk janë pronë e askujt.
Me copëzat e heshtjes
po shkruaj të ardhmen,
me plasaritjet e shpresës,
me atë pak dritë
që as errësira s’arriti ta nënshtrojë.
Kjo erë e bardhë
po këndon lutje të lashta
mbi ballin e një kohe të plagosur…
… që kjo ditë të lindë,
më në fund,
me një tjetër diell.