Natasha Lako: Mësime nga Holokausti
Njeriu që nuk ka më emër, por është vetëm një numër! Kjo ka ndodhur në kampet e përqendrimit të Evropës, më të papranueshmet edhe brenda historive më të përgjakshme.
Kapo.
E gjitha kjo ka ndodhur nga edhe më të paemërtit e tjerë, por me post dhe nën mbikëqyrje brenda të njëjtave kampe të përqendrimit, me mundësinë për të fituar ndonjë copë buke më tepër, ose ndonjë dhëmb të vjedhur floriri, duke u vënë në shërbim të shfarosësve të jetës.
Këto të gjitha, jo thjesht si një rrjedhë për të treguar të vërtetat, por si mision për të kuptuar domethënien e vetë qenies njerëzore, i ka lënë Viktor E. Frankl, si i mbijetuar nga pogromet e Luftës së Dytë Botërore, në veprën e tij «Kërkim për kuptimin», domethënie që mbetet si pishtar edhe në errësirën më të madhe.
Të tjerët, të gjithë burra e gra, të rinj e të reja, pa
përjashtuar edhe misteret e mendjes së fëmijëve, siç zbulon ky autor si shkëndija e fundit e jetës, kishin besimin, besonin për t’i shpëtuar vdekjes, me sa duket për të provuar edhe shkëndinë e fundit të lumturisë.
E kam lexuar këtë libër të marrë nga biblioteka e tim biri, vetëm një javë më parë, kur sapo fillova udhëtimin tim përtej Atlantikut.
Pranë sediljes së një avioni u gjenda e ulur pranë një çifti austriak, në moshë të re, që nuk i ishte ndarë jetës së Tiranës, me të cilën dukej sikur ishin krejt të dashuruar.
Nuk u kishte shpëtuar nga syri libri që po lexoja, që me sa duket, së bashku me Tiranën, na kishte bërë miq.
Po atë ditë të atij udhëtimi të shkurtër të përbashkët, derisa unë të ndërroja avionin në aeroportin e Vjenës, as unë as ata nuk e dinim se në Tiranë sapo kishte filluar protesta e studentëve që në ditët e fundit ka hyrë në përballje edhe më të egra.
Nuk ka më porosi si të shkrimtarit Peter Weiss, i cili ngulte këmbë se mbi pogromet, shtypjet dhe shfarosjet fatale, që s’duhet të përsëriten kurrë, çdo inskenim mbetet i pafuqishëm për të treguar tragjedinë.
Këtë testament të të mbijetuarve të mbetur gjallë e përktheu Spielberg me filmin «Schindler’s List», vetëm se arriti të zgjedhë rrugën e zemrave plot dritë nëpërmjet një prej personazheve si të një shpëtimtari të rrallë, sado që për ta dalluar mes turmës, nuk e shpëtoi prej vdekjes vajzën e vogël me pallto të kuqe, që si monument i pavdekshëm na është ngulur në shpirt kundër errësirës dhe makabriteteve.
Dhe ja, në mes të Tiranës, në ditët në vazhdim të protestës së studentëve, të cilës i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollave, së bashku bij e bija të një vendi që kanë për të jetuar edhe shekullin tjetër, u shfaqën të gjalla edhe inskenime si të filmave horror, të cilave, po si Napoleoni në fushën e betejës, në mënyrën më demonstrative u ka prire vetë drejtori i përgjithshëm i policisë.
Një polici e paaftë për të kapur drejtpërdrejt në flagrancë atë që po i vinte zjarrin drejtpërdrejt një fasade apo brendësie të pronës publike ose private, ka vendosur të rrëmbejë drejt komisariateve të tejmbushur çdo të ri e të re që u del përpara.
Deri tani nuk ka asnjë skenë të tillë në filmat e dramacitetit të Spielbergut, as nëpër gjithë filmat që trajtojnë konfliktet më të mëdha nëpër rrugët e qyteteve europiane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ky inskenim force po ndodh në Tiranën e vitit 2026, mu në zemër të Evropës.
Tani rri mendoj përsëri atë çift të bukur vjenez, me fat që nuk pa këtë Tiranë tjetër, më të brendshme, të përgatitur dalëngadalë në çdo qelizë të këtij vendi, me atë dhunë që për njerëzit kishte filluar të ushtrohej në çdo institucion, dhe që fatkeqësisht e fatmirësisht si
transparencë të vetme një qeveri e tërë dhe një shumicë parlamentare arriti ta mizanskenojë deri në rrugët e Tiranës, sado që kjo nuk mund të shprehë të gjithën.
Kapot e vegjël të ditëve të sotme, një varg patronazhistësh të shpërdorimeve të parave publike dhe të subvencioneve europiane, të gjithë si lukuni që kanë pushtuar institucionet – jo për një copë buke, por për të paguar shezllonet e shtrenjta të resorteve ku nuk mund të afrohen as turistët e zakonshëm, deri te drejtorët e shkollave që zgjedhin si alternativë ja t’u mbyllin dyert e shkollave, ja t’i derdhin nëpër komisariate të ardhmen e këtij vendi, më shfaqen para syve.
Se si u arrit në këtë vend, që një shumicë njerëzore, për të mbrojtur çdo marrëzi të pushtetit, të pranojë të vazhdojë të quhet ajo e 1 000 000 shuplakave, apo plot 800 000 gjithsesi, vetëm duke u përdorur si numër që shfrytëzohet vetëm për votime, ku nuk ka më asnjë emër, është një vetëflijim i madh.
Të vetmit që nuk pranojnë të vetëflijohen janë të rinjtë shqiptarë, të vetëdijshëm për liritë e të ardhmes së tyre.
Edhe më vetëflijim është kur ky vend arriti të përgatisë vite me radhë vetëm një njeri, që i ka të gjitha pushtetet në duar, madje fatet e njerëzve, por që nuk mund të ketë tagrin të shfaqet si triumfator në institucionet më të larta europiane, përfshirë ato vjeneze, ku ka gjasa ta duartrokasin në rrugë edhe dy fansa të rinj të jetës.