Çapajev Gjokutaj: Po tek ne kush do ndërmjetësojë?
Të enjten e kaluar, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u shpreh e gatshme të ndihmonte në ndërmjetësimin e një dialogu mes palëve për t’i dhënë rrugëdalje krizës së krijuar nga protestat. Shumë komentatorë vunë re një vështirësi: kësaj here mungon njera palë, protesta nuk ka drejtues të njohur publikisht, as përfaqësues që mund të ulen në tryezë e të flasin në emër të saj.
Megjithatë një dialog nuk kërkon medoemos që protesta të ketë drejtues. Këtu mund të hyjnë në punë ato që sociologjia dhe shkencat politike i quajnë organizata ndërmjetëse. Dje Le Monde hapej me kryetitullin: «Macron , i mbingarkuar nga dhuna dhe i sulmuar gjatë protestave, u drejtohet organizatave ndërmjetëse për të gjetur një rrugëdalje nga kriza».
Këto organizata janë struktura që qëndrojnë midis individit dhe shtetit: sindikatat, shoqatat profesionale, organizatat qytetare, studentore, të punëdhënësve e të tjera. Ato mbledhin dhe artikulojnë interesa të përbashkëta, përfaqësojnë grupe shoqërore dhe negociojnë me pushtetin.
Nuk janë një veçori specifike franceze. Në Gjermani, vendet skandinave, Holandë e gjetkë, organizata të tilla kanë rol të rëndësishëm në funksionimin e demokracisë. Madje, Tocqueville-i, një nga mendimtarët francezë që e vlerësoi më shumë rëndësinë e tyre, e zhvilloi këtë ide duke vëzhguar shoqërinë amerikane.
Edhe në Shqipëri kemi sindikata, shoqata profesionale, organizata studentore dhe një numër të madh organizatash të shoqërisë civile. Por sa prej tyre kanë autoritetin të flasin në emër të njerëzve që sot protestojnë?
Problemi nuk është mungesa e organizatave, por mënyra si është ndërtuar përfaqësimi shoqëror gjatë tranzicionit. Partitë politike kanë monopolizuar jo vetëm përfaqësimin politik, por edhe ndërmjetësimin e interesave të qytetarëve. Për të zgjidhur një hall, qytetari është mësuar të kërkojë një deputet, një funksionar partie, një mik me lidhje, jo një sindikatë apo shoqatë që mbron të drejtat e tij. Ndërmjetësimi nuk mungon, por është personalizuar dhe shpesh merr trajta klientelizmi.
Ndërkohë, një pjesë e shoqërisë civile është zhvilluar më shumë si sektor projektesh sesa si lëvizje shoqërore. Organizatat mund të kenë staf, zyra, financime dhe ekspertizë, por jo domosdoshmërisht anëtarë, mbështetës dhe autoritet publik. Ato priren t’u përgjigjen më shumë kërkesave të donatorëve sesa kërkesave që burojnë nga një bazë e organizuar qytetarësh.
Kështu kemi krijuar një paradoks: kemi shumë organizata që flasin për shoqërinë, por pak që flasin në emër të saj.
Pasojat shfaqen pikërisht në kriza si kjo e këtyre ditëve. Pakënaqësia grumbullohet pa gjetur kanale të qëndrueshme përfaqësimi. Kur shpërthen, ajo mund të mbushë rrugët, por e ka të vështirë të artikulojë kërkesa të përbashkëta, të zgjedhë përfaqësues dhe të negociojë.
Në Francë, Macron po u drejtohet organizatave ndërmjetëse që pushteti i ka anashkaluar. Në Shqipëri, problemi është më i thellë: këto organizata nuk kanë arritur të fitojnë peshën e nevojshme në shoqëri. Uroj që zhvillimet e ditëve në vijim të vërtetojnë të kundërtën.
Prandaj pyetja nuk është vetëm kush do të negociojë për protestat e tanishme, por edhe kush do t’i përfaqësojë qytetarët nesër, kur protesta të ketë përfunduar. Do ta lemë këtë të mbetet monopol i paprekur i dy partive politike në një klimë tejet klenteliste? Dhe më gjerë akoma: përse shoqëria shqiptare, pas 35 vjetësh pluralizëm, ka kaq pak mekanizma për ta kthyer pakënaqësinë qytetare në alternativë politike?