Albspirit

Media/News/Publishing

Maks Haxhia: Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të dëgjohen

THIRRJE PUBLIKE E DHOMËS SË AVOKATISË TË SHQIPËRISË

Për ndalimin e dhunës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve për zgjidhjen e situatës me dialog dhe përgjegjësi.

Në kushtet e situatës së krijuar në vend, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë e konsideron detyrim qytetar dhe profesional të bëjë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës, përgjegjshmëri, dialog dhe respektim të Kushtetutës e të parimeve demokratike.

Ne theksojmë me forcë se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore, e cila duhet respektuar dhe garantuar. Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të dëgjohen seriozisht e të vlerësohen me përgjegjësi dhe të marrin përgjigje konkrete nga institucionet, përmes transparencës, llogaridhënies dhe zbatimit të ligjit.

Njëkohësisht, besojmë se çdo konflikt politik e shoqëror duhet të gjejë zgjidhje përmes dialogut dhe mekanizmave kushtetues, duke përjashtuar pa kompromis ushtrimin e dhunës. Ndryshimi i pushtetit dhe përcaktimi i përfaqësimit politik duhet të burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve, i shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe procedurave demokratike.

U bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, duke filluar nga Presidenti i Republikës, forcave politike, organizatorëve të protestave dhe qytetarëve, të bashkëveprojnë për zgjidhjen e situatës. Duhet urgjentisht të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe i dhunës, duke kontribuar për një klimë mirëkuptimi e përgjegjësie publike.

Heshtja përballë problemeve nuk është zgjidhje, por as përplasja nuk mund të zëvendësojë dialogun. Nevojitet vullnet për të dëgjuar, përgjegjësi për të vepruar dhe respekt për ligjin nga të gjithë, pa përjashtim.

Në misionin tonë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, ne besojmë se një demokraci e shëndetshme është ajo që garanton njëkohësisht të drejtën për të protestuar, llogaridhënien e pushtetit dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Dënojmë pa kompromis çdo dhunë. Sot, më shumë se kurrë, duhet më shumë drejtësi, më shumë dialog dhe më shumë përgjegjësi. Ky duhet të jetë angazhimi ynë i përbashkët në interes të vendit dhe të qytetarëve.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë
Kryetari Prof. Dr. Maksim Haxhia
Tiranë, 18 tetor 2026