Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Edmond Panariti: Fillimi i fundit

Ekziston një moment në historinë e çdo pushteti të lodhur, një pikë kthese pothuajse e padukshme, kur ai pushon së qeni i sigurt për veten dhe fillon të ketë frikë nga shoqëria që pretendon se përfaqëson.

Nuk është vetëm momenti kur sheshet mbushen dhe as momenti kur ekonomia hyn në krizë apo kur opozita fiton terren. Shenja e parë e vërtetë shfaqet në gjuhë. Në mënyrën se si pushteti fillon të flasë.

Deri dje fliste për fitore, për zhvillim, për suksese dhe për të ardhmen. Papritur fillon të flasë për armiq. Për sabotatorë. Për komplote. Për “forca të errëta”. Fillon t’u drejtohet qytetarëve me tonin e një patriarku të shqetësuar: “Vëllezër e motra, do ta kalojmë edhe këtë situatë”. Në sipërfaqe tingëllon si thirrje për solidaritet. Në thelb është shpesh një rrëfim i pavullnetshëm i pasigurisë. Historia ka treguar se pushtetet e forta nuk kanë nevojë të justifikohen çdo ditë. Ato qeverisin. Ato japin llogari. Ato u përgjigjen pyetjeve. Përkundrazi, pushtetet që ndihen të rrezikuara fillojnë të kërkojnë besnikëri emocionale. Në vend të argumenteve kërkojnë besim. Në vend të fakteve ofrojnë frikë. Në vend të analizës së problemeve prodhojnë histori komplotesh. Ky është mekanizmi klasik i mbijetesës së regjimeve që e ndiejnë se kontrata e tyre me qytetarët po copëtohet. Pranimi i gabimeve do të nënkuptonte pranimin e përgjegjësisë. Pranimi i përgjegjësisë do të dobësonte mitin e pagabueshmërisë mbi të cilin janë ngritur. Prandaj zgjidhet një rrugë tjetër: transferimi i fajit. Asgjë nuk ndodh për shkak të qeverisjes së keqe. Asgjë nuk ndodh për shkak të korrupsionit, arrogancës apo shkëputjes nga realiteti. Gjithçka vjen nga dikush tjetër. Gjithmonë ekziston një armik i jashtëm, një dorë e fshehtë, një qendër misterioze që lëviz fijet. Sa më e madhe të jetë pakënaqësia, aq më të mëdhenj bëhen armiqtë imagjinarë. Në këtë fazë qytetari pushon së qeni individ me mendimin e tij dhe shndërrohet në viktimë manipulimi. Protestuesi nuk del më në rrugë sepse është i zemëruar. Ai del sepse e kanë nxitur. Punë tori nuk ankohet sepse jeton më keq. Ai ankohet sepse dikush e përdor. Studenti nuk proteston për të ardhmen e tij. Proteston sepse është instrument i një force të errët. Kështu pushteti i mohon shoqërisë dinjitetin e gjykimit të vet dhe i mohon vetes detyrimin për vetëreflektim.

Në fakt, sa herë që dëgjojmë më shumë fjalë për komplotet sesa për zgjidhjet, duhet të kuptojmë se diçka nuk shkon. Sepse qeveritë janë zgjedhur për të zgjidhur probleme, jo për të shkruar romane me armiq të padukshëm. Kur një pushtet flet pa pushim për rreziqet që e kërcënojnë nga jashtë, shpesh përpiqet të shmangë pyetjen më të pakëndshme: çfarë po ndodh brenda? Kjo është arsyeja pse gjuha e frikës është gjithmonë tregues politik. Është termometër i gjendjes së pushtetit. Kur liderët fillojnë të kërkojnë solidaritet personal në vend të besimit tek institucionet, kur kërkojnë adhurim në vend të llogaridhënies, kur përpiqen ta shndërrojnë debatin në betejë mes patriotëve dhe tradhtarëve, atëherë kemi hyrë në një fazë të re. Jo domosdoshmërisht në fundin e menjëhershëm, por në procesin e konsumimit të autoritetit.

Asnjë pushtet nuk rrëzohet ditën kur dalin protestat e para. Pushtetet fillojnë të bien ditën kur humbasin aftësinë për të kuptuar pse njerëzit protestojnë. Ato fillojnë të bien kur dëgjojnë vetëm zërin e vet. Kur çdo kritik bëhet armik. Kur çdo kundërshtar bëhet komplotist. Kur çdo pyetje trajtohet si kërcënim. Në fund, historia është e pamëshirshme. Ajo ka treguar vazhdimisht se pushtetet që mbijetojnë janë ato që dinë të korrigjojnë veten. Ndërsa pushtetet që kërkojnë shpëtim tek mitet, tek armiqtë imagjinarë dhe tek retorika e frikës, zakonisht nuk po demonstrojnë forcë. Po zbulojnë dobësinë e tyre. Dhe pikërisht në atë moment kur thirrjet për unitet bëhen më të forta se zëri i arsyes, kur propaganda bëhet më e zhurmshme se realiteti dhe kur “forcat e errëta” shfaqen çdo ditë për të shpjeguar çdo dështim, historia na fton të kujtojmë një të vërtetë të vjetër:

Shpeshherë, aty ku pushteti sheh komplot kudo, ka nisur tashmë… fillimi i fundit.