Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: MEDIOKRITETI DHE ARTI I VËRTETË POPULLOR

Sprovë

Arti i vërtetë popullor buron natyrshëm nga shpirti i një kombi, i painteresuar për tregun apo për duartrokitjet e rreme. Ai është i thjeshtë, i gjallë dhe mbart peshën e shekujve, duke u trashëguar brez pas brezi si një dëshmi e pastër e identitetit kulturor.

Nga ana tjetër, mediokriteti tenton ta kopjojë këtë art, por duke e zhveshur nga sinqeriteti dhe thellësia. Mediokriteti në art ushqehet nga sipërfaqësia, rregullat e ngurta dhe dëshira për t’i pëlqyer masës apo pushtetit të radhës. Kur arti i vërtetë popullor zëvendësohet nga krijime të rëndomta e pa shpirt, kultura rrezikon të kthehet në një produkt konsumi pa vlerë estetike. Dallimi mes tyre qëndron pikërisht te vërtetësia: arti i vërtetë të trondit dhe të rrit, ndërsa mediokriteti thjesht të lë në vend dhe të strapacon frymëzimin e të mpin logjikën.

Jam rritur me këngët labe, i pëlqej ato. I dëgjoj disa herë dhe shmallem me vendlindjen, por ka edhe nga ato që i përbuz, i anashkaloj ose anatemoj autorët e tyre. Këta të dytët në vlerësimin tim i quaj mediokër, të pagdhendur e pa kulturë që nuk janë në habitatin e tyre, ose të mos them të shkarë nga trutë e kokës. Ata nuk kanë respekt dhe nderim për të parët tanë që na lanë trashëgim një art të vërtetë, emocionues dhe të gdhendur me merak. Art që ka buruar nga shpirti i tyre fisnik dhe mendja e kthjellët qelibar. Gjatë jetës sime si gazetar kam njohur këngëtarë, bejtexhinj, rapsodë dhe vjershëtorë popullorë që nuk kanë pasur një gram shkollë, ama kanë pasur mendje të kthjellët dhe frymëzim brilant.

Po e ilustroj mendimin tim me dy këngë labe që qarkullojnë aktualisht në rrjetet sociale, në internet. Këtë periudhë, ose kohë dimri të ashpër në Kanada, ku jetoj pranë fëmijëve të mi, këto këngë i kam lexuar e dëgjuar disa herë, me qëllim për t’u çmallur me vendlindjen time si dhe për të dhënë një vlerësim të saktë për lexuesit dhe dashamirësit e mi, si këtu në Kanada, ashtu edhe nëpër botë.

Ja vargjet e këngës së parë:

Erdhi burri nga kurbeti,
Erdhi dhe mua s’më gjeti,
Vetë u shtri e vetëm fjeti,
Korba mos i mbeti qejfi,
Qan me lot e qan i ziu,
Qan me lot’ si çilimiu…

Të bësh djalë, të marrësh grua,
Të më tretë dheu mua…

Kënga është mallëngjyese, ashtu si tek «Këngët e Dhoqinës», ose nusja e murosur në Kalanë e Rozafatit në Shkodër, ku e vdekura flet e kuvendon me të gjallët. Në këtë rast burri kthehet nga kurbeti dhe nuk e gjen gruan në shtëpi. Ai «vetë u shtri dhe vetëm fjeti», është njëri ndër vargjet. Të krijohet ideja se gruaja ka braktisur shtëpinë dhe mund të jetë martuar me një tjetër, por nga vargu i fundit marrim vesh se atë nuk e tret dheu pa u martuar rishtaz ish-burri i saj, dhe jo vetëm kaq, por i uron të vazhdojë jetën e të lindë edhe djalë. Ajo nuk i thotë hajde dhe ti shtrihu në varr krah meje, por i kërkon diçka tjetër, tepër njerëzore, vazhdimësinë.

Pra, brenda tetë vargjeve tetërrokësh lëviz një jetë e tërë, një dramë e madhe njerëzore. Një grua që nuk ka lindur fëmijë ose që ka vdekur para kohe, kur burri ka qenë në emigrim dhe flet nga nëntoka. Asnjë rrokje, asnjë fjalë nuk është e tepërt. Madje nuk ka asnjë pakënaqësi midis çiftit. Përkundrazi, ish-gruan nuk do ta tretë dheu pa u martuar bashkëshorti për herë të dytë, madje duke lindur edhe djalë, ashtu siç ai ka dëshiruar, por me sa duket edhe ajo e ka brengë gjer në varr.

Ndryshe nga kjo këngë e parë, por me të njëjtën forcë të madhe artistike, na shfaqet “Legjenda e Gjonit” (apo siç njihet ndryshe në Labëri si “Balada e Qyqes”). Kjo është një tjetër perlë e trashëgimisë sonë shpirtërore që tregon historinë tragjike të dy vëllezërve, Gjinit dhe Gjonit, të cilët vriten aksidentalisht me gërshërët e qethjes gjatë kohës që po qethnin kopenë e deleve në stan:

Bien zilet nëpër male,
Ulërin cula dyjare,
Blegërin delja manare,
Se një stan u shua fare,
Gjiin, o Gjoon…

Duke qethur dashin llajë,
Te shtrunga brenda në tëndë,
Gjonit i shkau gërshëra,
Të vëllanë e preu rëndë,

Kur e pa mbytur në gjak,
Shtrirë si një sorkadh mali,
Vetes ia mbajti në bark,
Pranë e pranë u doli xhani…

Kur erdhi motra nga Gurra,
Pa dy zogj që fluturuan,
Të dy veshur si dhëndurrë,
Tutje lugjeve kaptuan….

Në variantin e saj lab, kënga ngrihet në nivelet më të larta të tragjedisë njerëzore përmes figurës së motrës. E dërmuar nga dhimbja e madhe për humbjen e papritur të të dy vëllezërve, ajo nuk gjen dot paqe mbi tokë. Kënga përshkruan me vargje rrëqethëse transformimin e saj mitologjik: ajo kthehet në një zog qyqeje dhe fluturon brigjeve, maleve e pyjeve, duke thirrur pa pushim emrat e tyre, Gjiin, Gjoon….

Kur çel lulja në pranverë
Tre zogj dalin e vajtojnë,
Dy vëllezër dhe një motër,
Njëri-tjetrin po kërkojnë
O Gjiin, o Gjoon….

Kjo shtresë e lashtë e besëtytnive tona popullore – ku shpirti dhe dhimbja njerëzore kalojnë te gjallesat e tjera – tregon kalimin e dhimbjes personale në një dhimbje universale të natyrës.

Kur e krahason këtë art të pastër, ku çdo varg të rëndon në shpirt si gur, me krijimet e sotme sipërfaqësore që dëgjojmë lart e poshtë nëpër rrjete sociale, e kupton se çfarë humbjeje pëson kultura nga kafshimet e mediokritetit. Rapsodët e vjetër, pa pasur asnjë gram shkollë, dinin të qëndisnin vargje tetërrokësh që mbartnin mite, doke dhe drama njerëzore universale. Ndërsa mediokritët e sotëm, me të gjitha mjetet e teknologjisë në dispozicion, prodhojnë vetëm zhurma pa vlerë, sepse u mungon pikërisht ajo që përbën artin e vërtetë: sinqeriteti, frymëzimi dhe lidhja organike me rrënjët e vendlindjes.

Mississauga, Kanada.