Albspirit

Media/News/Publishing

Berti Koxha: Edhe një herë për protestën

Edhe njëherë për protestën!

Kam vijuar të ndjek këto ditë problematikat e shfaqura gjatë protestave, si ato që lidhen me proporcionalitetin e përdorimit të dhunës, ashtu edhe me shoqërimet dhe arrestimet e pjesëmarrësve në protestë.

Prisja që, në raport me numrin e lartë të shoqërimeve dhe arrestimeve të kryera policia të kishte siguruar prova të mjaftueshme për t’i paraqitur përpara gjykatës, në mënyrë që kjo e fundit, në vlerësimin e masave të sigurisë, të vendoste për mbajtjen e tyre në arrest. Në të kundërt, një pjesë e madhe e arrestimeve janë vlerësuar të paligjshme, ndërsa protestuesit janë liruar, shumica me masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”.

Në vlerësimin tim, edhe pas nëntë ditë protestash, vijon të ketë mungesë informacioni dhe veprimi efektiv nga strukturat e inteligjencës së Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Ose këto struktura nuk kanë siguruar informacionin e nevojshëm, ose, nëse e kanë atë, informacioni nuk po vlerësohet dhe ndiqet me seriozitetin e duhur, një situatë krejtësisht e papranueshme.

Në këto kushte ngrihen disa shqetësime dhe pyetje, të cilat në kuadër të llogaridhënies ndaj opinionit publik, kërkojnë përgjigje dhe transparencë nga strukturat përgjegjëse:

  • A ka pasur Policia e Shtetit informacione operative, si dhe informacione nga SHISH-i, për persona apo grupe të strukturuara që përfshihen në akte dhune dhe në dëmtimin e institucioneve shtetërore e të bizneseve private?
  • Nëse po, a janë identifikuar personat konkretë dhe mënyrat e organizimit të tyre? A janë mbajtur nën vëzhgim këto grupe apo individë? Sa prej tyre janë arrestuar gjatë këtyre ditëve dhe çfarë masash sigurie ka vendosur gjykata ndaj tyre? Në rastet kur janë paraqitur prova të arsyeshme për përfshirjen e tyre në akte të dhunshme, cilat janë arsyet që gjykata nuk ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”?
  • Nëse, siç është theksuar, dhuna nuk ushtrohet nga studentët, vlerësim që e ndaj edhe unë, pse nuk bëhet publik, në përputhje me ligjin dhe duke respektuar prezumimin e pafajësisë, sa prej personave të arrestuar janë studentë dhe nëse mes tyre ka persona me precedentë penalë? A është korrekte që në këto kushte, KM të deklarohet për sanksione ndaj të rinjve apo familjeve të tyre?!
  • Gjatë operacioneve të arrestimit janë angazhuar forcat operacionale. Sa efikase kanë qenë këto operacione në identifikimin dhe arrestimin e personave që paraqesin rrezikshmëri? A janë shoqërimet dhe arrestimet rezultat i një pune të mirëfilltë operative dhe i provave konkrete, apo janë kryer pa një përzgjedhje dhe vlerësim të mjaftueshëm të personave të përfshirë? Mesa duket nga rezultatet e masave të dhëna nga Gjykata këto operacione rezultojnë pa efektivitet.
  • A kanë përfunduar hetimet për shkeljet e dyshuara të punonjësve të Policisë së Shtetit të pezulluar nga detyra? Cili është statusi aktual i këtyre hetimeve dhe çfarë masash janë marrë? Kjo ka rëndësi për transparencën e nevojshme.
  • Si po realizohet shpërblimi i punonjësve të angazhuar gjatë këtyre ditëve? Është e nevojshme që publiku të informohet qartë për kriteret e përfitimit, fondet e përdorura dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre mes punonjësve sipas shkallës së rrezikut dge hierarkisë!

Ndërkohë qëndrimet e fundit të deputetëve të maxhorancës, të artikuluara edhe përmes z. Taulant Balla, me akuza dhe sulme ndaj prokurorisë, pa asnjë reflektim apo kërkim ndjesë për shkaqet e përgjegjësitë e shtetit në krijimin dhe thellimin e kësaj krize politike dhe pamjet që na ofroi Parlamenti, përveç arogancës e ndërhyrjes ndaj pushtetit të drejtësisë, tregojnë se thirrjet për dialog duken të jenë farsë.

Nëse ecet me mendimin se mjafton që situata të “qetësohet” dhe kjo krizë të konsiderohet e tejkaluar, atëherë sipas vlerësimit tim, ky do të jetë gabimi i madh i radhës. Protesta ka dalë nga periudha e “inkubacionit” të 135 ditëve, periudhë e cila tregoi se zemërata nuk qëndron gjatë e ndrydhur.

Qetësimi i përkohshëm nuk zgjidh asgjë pa transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale.

Berti Koxha
QSSRr