Albspirit

Media/News/Publishing

Maxhun Osmanaj: Mbi librin “Shelgu lotues” të poetes Irma Kurti

 “Shelgu lotues”, botuar nga “ADA”, Tiranë: Arti i dhembjes dhe dashurisë për nënën

Libri poetik “Shelgu lotues” i autores me përmasa ndërkombëtare, Irma Kurti, na vjen si një dhembje e dyfishtë: mërgimi si plagë që kullon dhe ndarja e përjetshme nga nëna, që do ta përcjellë autoren tërë jetën. Malli, dhembja dhe dashuria krijojnë një trilogji të elegjisë apo artin estetik të përjetshëm të dhembjes.Vdekja e nënës në vend të huaj, nuk është vetëm humbje personale e familjare, por edhe thyerje e rrënjëve, një boshllëk që poetja e mbush në poezi. “Shelgu lotues” bëhet dëshmi se arti, përkatësisht fjala poetike mund të kapërcejë kufirin e mërgimit dhe ta rikthejë nënën në përjetësinë e kujtesës. Pra, malli, mërgimi, vdekja, rrënjët, paraqesin një bosht tematik që e mbajnë estetikisht librin në freskinë e kujtesës. Libri nuk vjen vetëm si kujtesë,  si mall, as si dhembje, por si art elegjiak i nderimit dhe fruton në minierën e shpirtit të poetes për ta mbajtur atë gjallë fizikisht.

Nëna mbetet një rrënjë identitare, ku autorja hyn në përjetimin e një dhimbjeje si në një betejë shpirtërore dhe shpalos që në fillim të librit rrëfimin e saj: “Është një datë që do ta fshija nga kalendari- 25 tetori 2006- kur nëna ime, Sherife Mezini-Kurti, u largua përgjithnjë nga kjo botë. Pas kësaj, përjetova një furtunë e një trandje të vërtetë shpirtërore”(f.q.3).

Çdo poezi është një pikturë elegjiake e dhimbjes së ngjyrosur me ngjyra të veçanta të shpirtit. Përmes vargjeve kuptojmë se dhembja është art i bukur, malli është art që magnetikisht mbart shtyllën nevralgjike të shpirtit; po ashtu edhe ikja nga kjo botë është art. Si lexues dhe krijues i përjetova këto vargje si një bashkudhëtim me autoren. Libri është një udhëtim ku kujtimet zënë vend në kujtesën e saj qysh nga ardhja në jetë e poetes, shoqërimi i ngushtë me nënën, kujdesja për të. Ndërsa largësitë, ndarjet stinore apo kohore, Shqipëri-Itali, bashkimi familjar, sëmundja dhe dergja në shtrat e nënës  deri në udhëtimin e saj pakthim, krijojnë monumentin apo piedestalin e dhimbjes, që mbetet gjithmonë si një lule që autorja e kultivon në kohë, në punë, në art, në jetë. Kjo lule – dhimbje nuk vyshkët asnjëherë. Ashtu siç shkruan poetja në parathënien e librit: “Qëllimi i botimit të librit ‘Shelgu lotues’ nuk është që të emocionojë lexuesin, ta prekë e t’i shkaktojë lot, por të shërbejë si një letër dashurie në vargje, drejtuar Nënës” (f.q.4).

Universi emocional i ndjenjave, i dashurisë si rrezatim dielli, i përkujdesjes, i frymës së nënës, shpaloset në çdo varg. Në atë shpalosje, gjejmë edhe përjetime të pakëndshme: zhgënjimin për disa mjekë në Shqipëri, ku nëna përballej me sëmundjen, ndërsa ryshfeti si krimb i helmonte dhe i gërryente ata. Korrupsioni kishte hyrë edhe në “Betimin e Hipokratit”. Autorja në vargjet e saj shpërthen si vullkan:”Ju më kishit thënë se kishte Zot/e zhgënjyer jam dhe e pashpresë./Mirësitë e saj u zhdukën në hiç /nuk besoj më askund e në asgjë!”(f.q.5)

Në kohën kur nëna dergjej në spital, poetja sheh  dhe ndeshet me realitetin zhgënjyes të njerëzve me bluzë të bardhë. Mllefi i saj nuk ka fund: “Kalojnë, nuk të hedhin as sytë. Gati thërras “O njerëz pa shpirt!”Ata që i shohim si shpëtimtarë/ këtu “mjekë” quhen gabimisht”(f.q.6). Çdo koment do të ishte i tepërt.

Poetja mbetet kujdestare shpirtërore e nënës. Ajo e përcjell frymëmarrjen e saj si melodi pranvere, por të mbështjellë me frikëra dhe ankthe deri në frymën e fundit. Njohim gjeografinë e kujtimeve: autorja kujton shëtitjet me nënën, çastet e pabalancuara emocionale, lotin që i shoqëronte të dyja: herë haptas, herë fshehtas, ndërsa shëtitja e fundit me nënën është një udhëtim – kujtim  i përjetshëm që e viziton në ag dhe muzg, në ëndrra dhe realitet “Sikur ta dija se ish shëtitja e fundit/do të të shtrëngoja në krahët e mi/ s’do të t’lija të qaje, t’më braktisje/ do shkrihesha me ty, do bëhesha një!”(Shëtitja, f.q.11).

Nganjëherë poetja sikur ndihet fajtore përpara madhështisë, dashurisë dhe shenjtërisë së  nënës, pra, i kërkon falje. “Më fal që jetove zhgënjimet e mia/ato në jetën tënde s’i provove kurrë. / Zemra jote asnjëherë s’më vuri faj/ndonëse e di që të lodha shumë!”(Në krahët e mi, f.q.15). Ikja e nënës krijon një boshllëk të madh dhe ajo e ndien veten si një pemë që nuk gëzon pranverën, gjelbërimin as cicërimat e zogjve. Shpirti i saj shpaloset dhe rrëfehet përpara jetës: “Ngjasoj me një pemë të kërrusur/fshikulluar nga dimri më i ftohtë/ ia kanë këputur plotësisht krahët/pa e ditur pse qëndron mbi tokë”(Pema, f.q.30).

Autoren e vizitojnë kujtime të vazhdueshme të nënës dhe ato na tregohen si thesare të dhembjes, mallit dhe dashurisë. Portreti i nënës në kornizë mbetet si engjëlli mbrojtës i autores, që e ruan deri kur të bashkohet me nënën në parajsë. Nëpër vite, nëna i vjen nëpër ëndrra, bashkëjeton me të bijën dhe ajo i rrëfën për çastet më të lumtura, si në ditën e martesës se saj, të përjetuar me pengun e mungesës së nënës. Poezia “Shelgu lotues” që bart edhe titullin e librit, mbetet një nga poezitë më të realizuara  në peizazhin e jashtëm dhe të brendshëm shpirtëror si dhe për fuqinë estetike dhe mesazhin që përcjell. Duket si një parabolë dhe paralele e jetës në mes të vetmisë dhe të varfërisë, në mes të peizazhit natyror si simbolikë, kur edhe lulet ndjejnë mungesën e faktorëve atmosferikë për të hedhur shtat: “Nënë, mbi varr do të ndërrojnë lulet/që dimri i egër i ka tharë pa mëshirë /do të doja të jem hija gjatë verës/do të doja të jem shelgu lotues për ty”(Shelgu lotues,f.q.48).

Poezia mbart rrëfimin poetik në gjeografinë e mallit si një vepër në vete. Shpirti, fuqia e nënës, prania e saj sa ishte gjallë, sikur e mbanin autoren stoike ndaj furtunave jetësore, nuk mund  ta rrëzonin asnjëherë, por ikja, mungesa e saj, krijon  “akull dhe shtrëngatë”. Disa poezi mbajnë në fund datat dhe vitet kur janë shkruar, pra janë emocione ku nervi nevralgjik ngacmon vazhdimisht dhimbjen, mallin dhe “polarizon” kujtesën si nderim. Poezitë vijnë si rrëfim ideor poetik, vijnë si dialog tek poezia “Letër nënës”(f.q.45), apo dhe si bashkudhëtim “Ti fle” (f.q.69). Ato na vijnë si peizazh i jashtëm dhe i brendshëm tek poezitë: “Buzë lumit”, “Në rrugët e qytetit tim”, “Po të ishe këtu” etj.

 Gjuha,  stili, metrika

Poezia e Irma Kurtit ka një stil  figurativ: metafora, krahasimi, anafora i japin fuqi estetike vargjeve dhe ruajnë  balancën emocionale. Autorja nuk përdor një gjuhë hermetike, të mbyllur, por plot freski. Në 66 poezitë e librit, poetja përdor strofa katërvargëshe, ndërsa ndonjë poezi  ka ndërtime me vargje të lira, pa rima të theksuara. Libri mbetet një testament për nënën, për dashurinë e saj, por shpesh na duket si arkë-malli që autorja e merr me vete kudo dhe askush nuk “guxon” ta hapë, sepse aty ka shenjtëri dhe vetëm çelësi i shpirtit të poetes mund ta hapë. Fjalët kyçe të librit janë: Nëna, loti, dhembja, kujtimi, malli, dashuria. Libri mbetet një zë i artikuluar i dhembjes, mallit, kujtimit dhe dashurisë.