Albspirit

Media/News/Publishing

MBI ZGJIDHJEN E KRIZËS POLITIKE DHE INSTITUCIONALE NË SHQIPËRI PËRMES REFORMAVE LIGJORE DHE KUSHTETUESE


Ndrek Gjini


Zgjidhja e krizës politike dhe institucionale në Shqipëri kërkon reforma të thella kushtetuese dhe ligjore, që synojnë forcimin e demokracisë, rritjen e përgjegjshmërisë qytetare, kufizimin e përqendrimit të pushtetit dhe garantimin e integritetit publik e akademik. Për këtë qëllim, propozohet miratimi i një pakete reformash përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, të cilat mund të miratohen nga Kuvendi pas konsensusit të nevojshëm politik ose përmes referendumit, në përputhje me kushtet dhe procedurat përkatëse ligjore e kushtetuese.


Masat e propozuara


Votimi i detyrueshëm për çdo qytetar


Të vendoset me ligj detyrimi i çdo qytetari me të drejtë vote për të marrë pjesë në zgjedhje. Mospërmbushja e pajustifikuar e këtij detyrimi të shoqërohet me gjobë dhe me bllokimin e pasaportës, në përputhje me garancitë kushtetuese dhe ligjore që do të përcaktohen për këtë qëllim.


Ulja e moshës së votimit në 16 vjeç


Të ndryshohet kuadri përkatës kushtetues dhe ligjor, duke përcaktuar moshën 16 vjeç si moshën minimale për ushtrimin e së drejtës së votës, me synim rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën demokratike të vendit.


Kufizimi i mandateve në maksimumi dy mandate katërvjeçare


Asnjë person të mos ushtrojë më shumë se dy mandate katërvjeçare në funksione të larta publike, shtetërore, politike apo partiake. Ky kufizim të përfshijë deputetët, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, ministrat, drejtuesit e pushtetit lokal, shkollave, spitaleve, policisë, gjykatave dhe prokurorive, drejtorët dhe të gjithë personat e tjerë të zgjedhur ose të emëruar në funksione drejtuese, sipas përcaktimeve të posaçme ligjore. Pas përfundimit të dy mandateve të lejuara, personi përkatës të mos ketë të drejtë të rizgjidhet ose të riemërohet në të njëjtin funksion apo në funksione të tjera të larta drejtuese të përcaktuara me ligj. Ky kufizim të shtrihet edhe te nëna, babai, bashkëshorti ose bashkëshortja, vëllai dhe motra e tij apo e saj, të cilët të mos kenë të drejtë të zgjidhen ose emërohen në këto funksione, me qëllim parandalimin e nepotizmit, trashëgimisë familjare të pushtetit dhe përqendrimit të tij brenda së njëjtës familje.


Kufiri maksimal i moshës 65 vjeç për funksionet zyrtare


Të përcaktohet mosha 65 vjeç si kufiri maksimal për ushtrimin e çdo funksioni zyrtar publik, shtetëror, gjyqësor, politik apo fetar, përmes ndryshimeve përkatëse ligjore dhe kushtetuese, duke garantuar përputhshmërinë me parimet kushtetuese dhe autonominë e institucioneve përkatëse.


Përjashtimi nga jeta akademike për plagjiaturë të provuar


Të parashikohet përjashtimi nga funksionet akademike i të gjithë pedagogëve dhe personave të tjerë të angazhuar në mësimdhënie, të cilëve u provohet plagjiatura në punimet shkencore mbi bazën e të cilave kanë përfituar tituj ose grada akademike. Procedura të garantojë verifikimin e paanshëm të shkeljes dhe të drejtën e ankimit.


Synimi


Këto masa synojnë të krijojnë një sistem politik dhe institucional më të përgjegjshëm, të kufizojnë qëndrimin e zgjatur në pushtet, të nxisin pjesëmarrjen qytetare dhe të mbrojnë integritetin akademik.
Për këtë arsye, propozohet nisja e një procesi kombëtar për hartimin dhe miratimin e reformave të mësipërme, me synimin që interesat e vendit dhe të qytetarëve të prevalojnë mbi interesat e ngushta partiake dhe individuale.