Albspirit

Media/News/Publishing

FERDINAND LAHOLLI: GRADISHTA. KUR NJERIU DËNOHET PËRPARA SE TË LINDË

Një jetë e nisur në internim. Tri dekada nën peshën e një faji të paqenë. Një ëndërr për shkollimin dhe letërsinë që nuk u shua kurrë. Historia e një fëmije, të cilit pushteti ia kishte përcaktuar fatin përpara se të vinte në jetë.

Ka fate njerëzore që fillojnë përpara lindjes. Jo me përkëdheljet e para, me ëndrrat e prindërve apo me premtimin e një jete të lirë, por me frikën, dëbimin dhe një padrejtësi që nuk njeh as moshë, as pafajësi.

I tillë ishte fillimi i jetës sime.

Nëna ime, Zeqine Laholli, shtatzënë me mua në bark, pak kohë para lindjes u internua nga Vidohova e Korçës në kampin e internimit në Gradishtë. Shkaku ishte babai im, të cilin nuk pata fatin ta njihja kurrë. Pas daljes nga burgu i diktaturës komuniste, ai u detyrua të braktiste Shqipërinë dhe të emigronte në Amerikë. Atje, në vitin 1967, u vra. Vrasësi nuk u gjend.

Kështu, përpara se të lindja, jeta ime kishte marrë tashmë një drejtim që nuk e kisha zgjedhur. Një pushtet që pretendonte të gjykonte ndërgjegjen njerëzore kishte vendosur edhe për fatin e një fëmije ende të palindur. Nuk kisha marrë frymën e parë, nuk kisha parë dritën e diellit, nuk kisha shqiptuar asnjë fjalë, por mbi mua kishte rënë tashmë hija e një dënimi.

Ishte një përmbysje e vetë kuptimit të drejtësisë: faji i prindit shndërrohej në dënim për fëmijën. Prejardhja zinte vendin e përgjegjësisë individuale dhe biografia familjare bëhej një gjykim i paracaktuar mbi të ardhmen e njeriut.

Diktatura nuk e dënonte njeriun vetëm për atë që kishte bërë, por edhe për atë që ishte, për familjen nga vinte dhe madje për atë që mund të bëhej. Ajo nuk mjaftohej të gjykonte veprimet e tij, por kërkonte të gjykonte vetë qenien, prejardhjen dhe të ardhmen e tij. Në këtë mënyrë, faji shkëputej nga përgjegjësia individuale dhe shndërrohej në një njollë që trashëgohej.

Njeriu nuk shihej më si një qenie e lirë, që ndërton identitetin e vet përmes mendimit, veprimit dhe zgjedhjeve personale, por si produkt i një biografie familjare, mbi të cilën pushteti kishte vendosur një gjykim të pakthyeshëm. Nuk kishte rëndësi çfarë mendoje, çfarë besoje, çfarë kishe bërë apo çfarë ëndërroje të bëheshe. Mjaftonte prejardhja jote që e ardhmja të ishte paracaktuar.

Kështu, diktatura i mohonte njeriut jo vetëm të drejtën për të jetuar i lirë në të tashmen, por edhe të drejtën për të qenë ndryshe në të ardhmen. Ajo e gjykonte jo vetëm për të shkuarën që nuk e kishte zgjedhur, por edhe për një të ardhme që ende nuk kishte pasur mundësinë ta ndërtonte. Ishte një dënim i dyfishtë: për atë që ishe dhe për atë që pushteti kishte vendosur se mund të bëheshe.

Në thelb, kjo ishte një përpjekje për t’ia marrë njeriut të drejtën më themelore: të ishte autor i jetës së vet.

Në atë botë, pafajësia nuk mjaftonte për të qenë i lirë. Madje, për mua, ajo nuk kishte pasur as mundësinë të dëshmohej.

Por unë nuk isha i vetmi që vija në jetë nën hijen e internimit. Qindra e qindra fëmijë të tjerë lindën në kampe e vende internimi, pasi nënat e tyre ishin dënuar me dëbim e privim lirie që në kohën kur i mbanin ende në bark. Ishim një brez që nuk e njohu lirinë si gjendje të natyrshme të ekzistencës, sepse, përpara se të lindnim, ajo na ishte mohuar. Nuk kishim kryer asnjë faj, nuk kishim bërë asnjë zgjedhje, nuk kishim pasur asnjë mundësi të përcaktonim rrugën tonë, por kishim trashëguar një dënim që nuk na përkiste.

Në një retrospektivë të tillë historike, lindin disa pyetje që shoqëria shqiptare nuk mund t’i shmangë: A ka mundur Shqipëria paskomuniste të përballet me të vërtetë me këtë realitet? A ka arritur të kuptojë përmasat njerëzore, morale dhe shoqërore të një krimi që nuk goditi vetëm individët e shpallur armiq, por edhe fëmijët e tyre, familjet dhe brezat që erdhën në jetë nën damkën e fajit të trashëguar? Çfarë kanë bërë qeveritë e njëpasnjëshme për integrimin e të përndjekurve, për rikthimin e dinjitetit të tyre dhe për një dëmshpërblim të drejtë e të denjë për vuajtjet e pësuara?

Sepse përballja me të kaluarën nuk mund të kufizohet në njohjen formale të padrejtësive, në deklarata politike apo në disa masa administrative. Ajo kërkon përgjegjësi, ndërgjegjësim dhe vullnet të qëndrueshëm institucional. Kërkon që shteti demokratik të pranojë përgjegjësinë historike për krimet e kryera në emër të tij dhe të mos e trajtojë vuajtjen e viktimave si një çështje të mbyllur nga kalimi i kohës.

Kërkimi i faljes publike nga shteti është një detyrim moral dhe institucional ndaj çdo njeriu të përndjekur, të internuar, të burgosur, të pushkatuar, të varur apo të vrarë padrejtësisht, si dhe ndaj familjeve të tyre. Një falje e tillë nuk është thjesht një gjest simbolik. Ajo është njohje e së vërtetës, pranim i përgjegjësisë dhe rikthim, qoftë edhe i pjesshëm, i dinjitetit të mohuar.

Asnjë falje, asnjë dëmshpërblim dhe asnjë akt institucional nuk mund t’ua kthejë viktimave vitet e humbura, rininë e grabitur, familjet e shkatërruara apo jetët e ndërprera. Nuk mund t’i shërojë plotësisht trupat e plagosur dhe shpirtrat e masakruar nga dhuna shtetërore. Por një përballje e ndershme me të kaluarën mund ta bëjë disi më pak therëse dhimbjen e atyre që mbijetuan dhe të familjeve që ende mbartin pasojat e asaj tragjedie.

Sepse drejtësia e vonuar nuk mund ta zhbëjë krimin, por heshtja e vazhdueshme e thellon padrejtësinë. Një shoqëri që nuk përballet me vuajtjen e viktimave të saj rrezikon të mbetet peng i së kaluarës, ndërsa një shtet që nuk e pranon përgjegjësinë për krimet e kryera në emër të tij nuk mund të pretendojë se e ka përmbyllur plotësisht rrugën drejt drejtësisë dhe ndërgjegjes demokratike.

Pak kohë pas lindjes sime, na transferuam familjarisht në kampin e internimit në Savër, pa sqaruar përse. Dhe aty nisi një tjetër kapitull i jetës sime, një jetë e vendosur nën kufizimet e internimit, ku fëmijëria nuk do të ishte vetëm koha e zbulimit të botës, por edhe koha e zbulimit të padrejtësisë. Një kapitull që do të zgjaste tri dekada.

Në mbyllje dy vjersha për fëmijë, që edhe pse asaj kohe u dërguan tek „Pionieri“, s’e patën fatin ta shihnin dritën e botimit.

ÇIZMET E NËNËS

Nëna vesh çizmet e çara,                                                                                                           

niset fushës së pacak,

kanale hap atje ndër ara,

flluskuar duart, mbushur gjak.

Unë nënës çizme s’i ble dot,

të mbledh para e kam vështirë.

– Ti shiko librat, bir, më thotë,

mëso të jesh njeri i mirë.

ÇADRA IME PREJ REJE

Nis një shi që unë s’e dua,

se pa çadër ndodhem sot.

Një re e bardhë nxiton mbi mua:

– Të mbroj unë, – ajo më thotë.

Dorën e saj unë e ndiej

si mirësi që më vjen afër.

Dhe teksa shkon, lë pas një qiell

që kaltërsisht hapet mbi Savër.