Kastriot Dervishi: Krijimi i Sigurimit të Shtetit më 10 dhjetor 1944
Një postim publik i organit shtetëror që në mënyrë të copëzuar do merret me një pjesë të aktivitetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishte pikë për pikë vijim i falsifikimeve enveriste dhe propagandës së njohur të regjimit të shkuar. Në këtë postim, i cili i referohej librave të llojit “Gjithmonë vigjilencë”, shkruhej se data e formimit të Sigurimit të Shtetit ishte 20 marsi 1943. Kjo datë është vendosur me vendimin nr.198, datë 5.6.1962 Sekretariatit të KQ të PPSH-së, si dhe vendimit nr.146, datë 14.12.1962 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke marrë për bazë një fjalim të përgjithshëm të Enver Hoxhës në konferencën e parë të PKSH-së, zhvilluar në Labinotit. Caktimi i kësaj date në vitin 1962 u bë për të mohuar kontributin kriminal të Koçi Xoxes, Vaskë Kolecit, Nesti Kerenxhit, etj dhe për të nxjerrë në krye të çdogjëje vetëm Enver Hoxhën. Fjalimi i vitit 1943 flet për ushtri pa pasur akoma ushtri, e megjithatë, më vonë, nuk u vendos ndonjë datë për ushtrinë komuniste, por u la 10 korriku 1943.
Datën e saktë të krijimit të organeve të Sigurimit e ka dhënë një prej themeluesve të kësaj arme, Vaskë Koleci. Në promemorien e datës 26.11.1948 ai shkruan se data e themelimit të këtyre organeve është 10 dhjetori 1944. Në fillim organi u quajt Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit (siç ishte OZN-a jugosllave) dhe në vitin 1946 u quajt Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (siç ishte UDB-ja jugosllave).
Bashkëlidhur, pjesë nga faksimilja e gjatë e Vaskë Kolecit për Enver Hoxhën, në të cilën flitet për punën e organeve të Sigurimit, nga fillimi e deri në vitin 1948.