Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Ramazan Bogdani: Si e kam njohur Timoleo Papën?

Prof. Ramazan Bogdani është një ndër miqtë më të ngushtë të Timoleo Papës. Sipas Prof. Bogdanit, Timoleo mbeti i mrekulluar nga pritja që i bënë miqtë dhe të afërmit e tij në Tiranë dhe premtoi se do të vij shumë shpejt dhe më shpesh. Në takimet me disa drejtues të Institucioneve Artistike, ai mbeti i mahnitur dhe dëshmoi se me të tilla pritje dhe ndejesh, tashmë nuk mund të ndahet kurrë nga Shqipëria. Para se të ikte ai tha: “U kënaqa, u habita, por nuk u çmalla sa duhet! Gjeta atë që s’e kisha menduar kurrë dhe që më kishte munguar në jetë”. Teksa bisedoj me Prof. Bogdanin për shoqërinë me artistin e madh Timoleo, nuk harroi që gjatë intervistës, ai shikonte i habitur komunikimin tonë dhe ndërhyrjet e Prof. Ramazanit dhe gati lotonte. Nuk e fshihte mallëngjimin, por edhe pritjen e ngrohtë që nuk ja kishin bërë kurrë në asnjë vend tjetër, ndaj emocionohej kur përmendte miqësinë e vegjëlisë që i sollën aq shumë kujtime.  58 vjet pa parë vendin e lindjes, pa parë nënën, babain, motrën dhe vëllain. Një shekull dhe një dhjetëvjeçar, që nuk numërohen, por që ruhen në zemër si xhevahire malli për të përcjellë mesazhe miqësie, mirënjohjeje.

Kur je takuar për herë të parë me Timoleon me ardhjen e demokracisë?

Jam parë në Athinë në vitin 1994 kur unë isha në një seminar. Telefonin e tij e kisha qysh në Tiranë pasi pas vitit 1990 në Athinë kishin vajtur mijëra qytetarë nga kryeqyteti, midis tyre dhe miq të tij. Jam takuar dhe dy vjet në vijim po në Greqi ku isha sërishmi për një Kongres Ndërkombëtar. Sa mbaruam punimet, ai më ftoi në shtëpi dhe më ka shëtitur në të gjithë Athinën. Jam mrekulluar nga pritja, nga një shqiptar i vërtetë.

Kush e priti dhe me se erdhi Timoleo në Tiranë?

Miku im Timoleo në Tiranë erdhi në mënyrë të befasishme. Erdhi në mënyrë krejt të papritur më 31 maj 2015, me nipin e vet. Nuk e besova kur më mori në telefon dhe më tha se jam në Tiranë. Kështu nisëm “bashkëjetesën tonë” tetëditore. Ai erdhi siç mund të vijë një xhentëlmen.

Kur mbërriti në Tiranë si u lidhët dhe ku u takuat?

Sapo kish mbërritur më 31 maj në Tiranë, në mbrëmje ai më merr në telefon dhe më thotë se ndodhem pranë Librit Universitar. U habita. Shtanga! Nuk e besoja. Por ai ma bëri surprizë. E pyeta se ku je akomoduar. Më thotë se gjendem te shtëpia e vëllait, Miltiadh Pappa, pasi ata nuk dëshironin që ai të qëndronte në hotel. Që atë natë dhe në ditët në vijim rrinim deri në mesnatë me shokët e vegjëlisë dhe kujtonim e kujtonim… Kujtime të bukura. Kujtime mes lotësh. Por dhe psherëtima për ata që na kanë lënë!

Çfarë shprehu kur u takuat?

Gjëja e parë që më kërkoi ishte ta çoja tek ish shtëpia e tij, në qendër të Tiranës. Shtëpia e tij ka qenë mbrapa 15-katshit, përbri Teatrit të Estradës. Aty tek një rrugicë e vogël, hyje më tej në një rrugicë të dytë, ku ishte dikur shtëpia tashmë e transformuar. Ai mbante mend dy familjet që kishin fqinjësi. Ndali disa çaste, madje dhe lotoi. Fjalët nuk i dilnin nga zemra. Pastaj kaluam tek rrugicat e fëmijërisë për të dalë te ish kafe Flora ku ai ruante kujtime të vegjëlisë.

Po pije alkoolike?

Në asnjë mënyrë. Vetëm ndonjë gotë verë të vogël. Më së shumti preferenote ujin natyral, pa gaz.

Kush ishin miqtë dhe shokët që dëshironte të takonte?

Kishte kujtesë të mirë. Të gjithë miqtë që ishin gjallë, ai i takoi. Mund të përmend shokët: Albert Janku, Prokop Mishku, Dedin Suli, Luan Shtino, Ilir Kerrni (Drejtor i TKOB), Rexhep Çeliku, Blerina Arbana (Drejtore e Shkollës së Baletit), Adivie Alibali, Besa Morina, Irma Laze, Ikbal Morina, Alma Radovicka e shumë të tjerë. (Duhet thënë se mbiemrat e artistëve të ipërpërmendura janë të vajzërisë)

Cilat institucione të artit e pritën?

Ishin tre të tillë që e joshën në mënyrë të shkëlqyer: TKOB, Shkolla e Baletit, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.

Kur takoheshit në mëngjes?

Në çdo ditë nga mëngjesi rrinim deri në mesnatë. Bashkë nuk u ndamë asnjë çast. Na ndante vetëm gjumi i natës.

Si dëshironte të lëvizte me makinë apo në këmbë?

Vetëm me këmbë. Donte të shikonte dhe të prekte çdo gjë. I dukej vetja si fëmijë që do të afronte kujtimet e së kaluarës!

Kush ishte ajo që mezi priste të realizonte?

Të shkonte tek varrezat e prindërve, të vëllait dhe motrës. Ishin çaste emocionuese. Mori lulet më të bukura dhe me lot në sy u përul me respekt përpara varreve të tyre. Nuk mund t’i mbante lotët. Kishte të drejtë. “Nuk munda t’i shoh njëherë para se të vdisnin”, tha nën zë dhe lotët i rridhnin faqeve.

Çfarë dëshmoi për Tiranën?

Askush s’e beson si e lavdëroi! Eshtë një ndër qytet më të bukura në botë, më thoshte. Unë i përgjigjesha se ka shumë beton por ka dhe shumë tela nëpër shtylla! Edhe në Athinë ka të tilla, më përgjigjej ai./Telegraf/

Please follow and like us: