Albspirit

Media/News/Publishing

Edison Ypi: “E penguara” e Ismail Kadaresë

Image result for e penguara

“E penguara” e Ismail Kadaresë është një libër pafundësisht i bukur dhe pambarimisht prekës.
“E penguara” është një konstruksion artistik; madhështor si një grataçiel, i përpiktë si një kronometër, uluritës si një turbinë, klithës si një sirenë.
Me mure të qelqta, tjegulla kristali, oborre të gjelbëra, portale me harqe, kupola me afreske, altar të praruar, kumbanare të lartë, ikona me aureola, dhe ah, Murgeshë brënda, “E penguara” është një Katedrale qiellore e pa prekëshme dhe e pa shkatërrueshme si diamanti, e pa ndryshkshme si floriri, e pa vjetërueshme si eteri.
“E penguara” është një galaktikë, yjtë e ndritshëm dhe qiejt e zymtë të së cilës nuk mund të vështrohen ndryshe veçse me sy të lagur.
“E penguara” është një univers dhimbjesh dhe rënkimesh skalitur në të gjitha detajet.
“E penguara” është harmonizim i përsosur i rrënqethjeve estetike me rrjedhën prozaike të jetës, ku fiksioni dhe realiteti janë gjithaq të besueshëm, sa njëri edhe tjetri, në një zëvendësim reciprok marramendës mes të dyve.
“E penguara” është një strukturë shprehëse e mardhënies së grimcës me të tërën, ku grimca dhe “e tëra” këmbehen magjishëm, duke u bërë, her’ “e tëra” grimcë, dhe her’ grimca “e tërë”.
“E penguara” është një produkt artistik me vlerë eternale që do tu kishte vlejtur njëlloj atyre që s’janë më, atyre që janë, dhe atyre që do jenë.
Përtej mahnitjes estetike dhe gjenialitetit të thurjes, këmbana gjëmimtare e katedrales në fjalë kumbon për tjetër gjë.
Shqiptarët e sotëm po pasurohen. po pse s’po ndjehen të lumtur ? Po hanë, po pinë, po vishen, po mbathen, po pse nuk po ngopen dhe etja nuk po u shuhet ? Po flasin me fjalë dhe fraza të zgjedhura, po pse të vetmit dëgjues kanë muret ? Po shkruajnë libra që i promuovojnë nëpër ceremonira me lëngje të gazuara dhe kikirika, po pse ato libra s’i zë njeri me dorë dhe autori i zhurmshëm i promuovimeve ua dhuron miqve ? Po shkollohen nëpër universitetet e botës, po pse tyça se tyça mbeten ? Po udhëtojnë me makina, tragete, aviona, po pse s’ndjehen të lirë ?!
Për këto e të tjera mënxyra, përgjigjet janë tek “E penguara”.
Këmbana “E penguara” bie për një kumt të frikshëm ku veshët mezi dëgjojnë, sytë mezi shohin, shqisat janë mpirë, gjymtyrët janë ngathtësuar.
Ju që pasuroheni por nuk lumturoheni, ju që visheni por mbërdhifni, ju që çvisheni por djersisni, ju që flisni por s’dëgjoheni, ju që bëni shkolla dhe mbeteni trungje, ju që shkruani libra dhe i dhuroni, ju që shihni filma vrroma dhe i pëlqeni, ju që votoni dhe habiteni nga rezultati, ju që udhëtoni por lirinë nuk e shtoni, tek “E penguara” do kuptoni se jeni peng të një mëkati që s’shlyhet lehtë; Egërsisë së pashembullt të historisë kriminale kur shqiptarët persekutuan, internuan, burgosën, përgjakën, vranë njëri – tjetrin.
“E penguara” i përgjigjet atyre pyetjeve, i ndriçon ato mistere, i qartëson ato paradokse. Sepse “E penguara” nuk është libër i çfardoshëm. “E penguara” është kryevepër ku përgjigjet e pyetjeve autori i ka gjetur duke ndjekur rrugën e skëterrshme të dashurisë së fshehtë të hënës së trishtë për diellin e zjarrtë duke u mbuluar me dheun e ftohtë.

Please follow and like us: