Albspirit

Media/News/Publishing

Jorgo Bllaci: Brengën e madhe mbyta në një gotë

Brengën e madhe mbyta në një gotë;
Si qenkam dehur sonte s’e kuptoj!
Për gjërat më të bukura në botë
Sa më pëlqen të rri e t’ëndërroj

Sa më pëlqen gazmor t’i bie lirës
Po ku të lë mendimi të dëfresh?
Demon, demon i madh i hapësirës
Akoma ti kërkon të më gënjesh?

Ti po ma nxin me brenga djalërinë
Ti po m’i shqyen brinjët, po më ç’mend,-
Ose me kthe sërishmi qetësinë
Ose me sill këtu tërbimin tënd!

Se do t’i qepem qiellit kësaj nate
Për flokësh ta kap hënën e me të
Të sillem hapësirës së pamatë
E të mos zbres mbi tokë kurrë më!

 

Please follow and like us: