Albspirit

Media/News/Publishing

Kush është “Leku”, shqiptari që kërkohej nga Interpol dhe FBI i ekzekutuar në Strugë?

Dilaver Bojku, i njohur me nofkën “Leku” është personi që u vra pasditen e sotme në Strugë. Ai ka lindur në vitin 1959 në Veleshtë të Strugës. Ai u bë i njohur, fillimisht për policinë e Maqedonisë, e më vonë edhe për Interpolin dhe FBI-në amerikane i akuzuar për veprimtari të shumta kriminale, në radhë të parë për prostitucion. Fillimisht ai emigroi në Zvicër ku punoi në ndërtim, por më pas u kthye në Maqedoni. Aty hapi klube nate, ku ofrohej ndër të tjera prostitucion dhe drogë.

Deri ne vitin 2000, ai akuzohet se ka operuar në linjën Ballkan-Evropë, duke sjellë prostituta nga vendet e ish-Jugosllavisë, por edhe Ukraina dhe Moldavia si dhe duke çuar si klandestine në vendet e Bashkimit Evropian shqiptarë, kurdë, pakistanezë dhe afgane.

Gazeta Express shkruan se në bashkëpunim të FBI-së (dega Budapest), policitë evropiane e pikasën Bojkun për aktivitetin e tij kriminale dhe për këtë nxorrën një fletëarresti ndërkombëtar.

Në shkurt të vitit 2003 ai arrestohet nga policia e Maqedonisë. Në atë kohë u zbuluan në klubet e tij dhjetëra vajza që kishin qëndruar ilegalisht në vend. Gjykata e Strugës e dënoi me 6 muaj burg për mbajtje të një femre pa dëshirën e saj, gjë që në opinion pritet me habi të madhe, për shkak të dënimit të butë. Pas ankesës së prokurorisë dënimi i rritet në 3 vjet.

Më 20 qershor 2003 kur po transportohej nga një burgu me siguri të ulët, i iku policisë. Marshallët amerikanë shpallën një shpërblim prej 10.000 dollarësh për atë që do të ndihmonte në kapjen e Bojkut.

Për arratisjen e tij nga burgu shkruan edhe mediat botërore, si The New York Times, Guardian etj.

Rreth dy javë pasi u arratis nga burgu i Strugës, ai arrestohet në Ulqin të Malit të Zi, ku kishte planifikuar të shkonte fillimisht për Itali, e më pas për Brazil.

Bojku kthehet në Maqedoni ku e vuan dënimin, ndërsa pas daljes nga burgu humb edhe nga fokusi i publikut dhe medieve. Dihej se i ishte përkushtuar biznesit me hotelieri dhe turizëm.

“Leku”, u vra këtë të hënë me armë zjarri në në plazhin e Strugës që ishte në pronësi të tij. Sulmi ndodhi në rreth orës 16:45 në kafeterinë “Aqua Bluesky” që ishte gjithashtu pronë e Bojkut. Sipas raporteve të medias, një person i panjohur i është afruar dhe ka shkrepur disa plumba në drejtim të tij. Sipas dëshmitarëve okularë autori është larguar me shpejtësi me motoçikletë.

Please follow and like us: