Albspirit

Media/News/Publishing

Si i fshihte Sigurimi i Shtetit përdhunimet e nxënëseve të mitura nga mësuesit?

Më datën 16 prill 1971 P. I., me arsim të lartë, drejtor i shkollës së mbrëmjes në fermën e … në rrethin e Durrësit, thëret në shkollë një nxënëse të klasës së VI-të dhe në dhomën e mësuesit, mbasi e mbyll këtë nga brenda kryen me të aktin seksual. Po në rrethin e Durrësit, J.Gj., ish arsimtar në fshatin Hamallaj, hyn në marëdhënie seksuale në një nga klasat e kësaj shkolle, me një nxënëse të shkollës së natës.

Po kështu ky i pandehur ka ndërmjetësuar që edhe shoku i tij të hyjë në marrëdhënie seksuale me një nxënëse tjetër. Në muajin prill 1971, ish arsimtari R.Ç. në fshatin Turan të rrethit të Tepelenës, tenton të kryejë aktin seksual në shkollë në dëm të një nxënëseje të klases së pare…

Kjo është vetëm një pjesë e raportit të prokurorit të Përgjithshëm Dhori Panariti, me 14 korrik 1971, ku përdhunimi i fëmijëve në shkolla jepet me një gjuhë gati indiferente dhe shqetësim ishte cënimi i figurës morale të mësuesit dhe  jo përdhunimi i fëmijëve. Madje dokumente të tjera dëshmojnë se strukturat shtërore kishin bërë çmos ta mbyllnin e ta mbanin të fshehtë krimin.

Dokumenti i cili ruhet bashkë me dy shkresa të tjera të firmosura nga Kadri Hasbiu e Feçorr Shehu, në një prej dosjeve të Këshillit të Ministrave në AQSH, zbulojnë një panoramë të qartë të krimit ordiner gjatë viteve të regjimti komunist.

Vjedhje të shumta, abuzimeme seksuale me të mitur, fallsifikime e mashtrime, rrahje e dhunime fizike në familje e shkolla, dhe vrasje  te shumta për arsye banale, shpesh ne rrethana makabre…

Mijëra dokumente arkivore të periudhës së komunizmit dëshmojnë se krimi ordiner ka mbretëruar gjatë gjtihë viteve të regjimti komunist dhe se teoria e një rendi dhe qetësie të garantuar nga pushteti I Hoxhës, është thjeshtë një utopi. Shumë shqiptarë sot bësojnë ende në këtë utopi. Dhe sekreti është se në atë media të mbërthyer nga censura e regjimit, nuk pasqyrohej kurrë as edhe një prej rasteve të krimit ordiner.

Dokumentet që do të sjellim sot, janë marrë nga një dosje e zakonshme e Këshillit të Minsitrave nga seksioni i Arsimit dhe Kulturës. Keto dokumente dëshmojnë  një varg rasteshe të këtij krimi ordiner në vitin 1971 në fushën e arsimit, ku sundojnë dhuna seksuale e mesuesve me nxenes te mitur, vjedhjet, rrahjet dhe fallsifikimi…

Dokumenti i parë

Në 3 mujorin e  parë të ‘71,  70 fëmijë kanë bërë 39 vjedhje

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDËSHME

DREJTORIA E POLICISË POPULLORE

DEGA E NDJEKJES SË KRIMEVE

Nr. 942 Prot.

S E K R E T E

Ekzemplar Nr. 2

Tiranë, më 23-IV-1971

L Ë N D A: Mbi fëmijët që braktisin shkollën.

MINISTRIT TË ARËSIMIT DHE KULTURËS

SHOKUT THOMA DELJANA

dhe për njoftim:

KRYETARIT TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

SHOKUT XHAFER SPAHIU

T I R A N Ë

Ju vëmë në dijeni se kohët e fundit po shtohet, veçanërisht në qytetet kryesore, numuri i fëmijëve që braktisin shkollën dhe kryejnë vjedhje të pasurisë socjaliste dhe asaj të qytetarëve, disa herë edhe në forma të organizuara.

Kështu p.sh. me datën 10.I.1971, në qytetin e Tiranës, nxënësi A. M. vjeç 15 dhe dy fëmijë të tjerë nxënës që kanë braktisur shkollën, thyen çerdhen Nr. 8 dhe vodhën 8 batanije e sende të tjera. Më dt. 5.4.1971, në qytetin e Shkodrës, nxënësit R. B. dhe Z. C., të dy nga 12 vjeç vodhën nga xhepi i një qytetarje 295 lekë.

Raste të tilla po vërtetohen shumë në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë, Fier e Vlorë. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, 70 fëmijë, banorë të këtyre qyteteve, që braktisin shkollën, kanë bërë 39 vjedhje.

Organet e policisë janë porositur të informojnë organet e pushtetit në rrethe dhe të bashkëpunojnë me organizatat e masave për të prevenuar këtë fenomen, por mendojmë se ka vend që, në rast se e gjykoni të nevojshme, të porositen seksionet e arësimit në rrethe të analizojnë dhe të preokupohen mbi shkaqet që e lejojnë këtë braktisje e të meren masat e duhura.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

FEÇOR SHEHU

(vula, firma)

***

Shokut Adil Koleka,

Për dijeni. Ministria e Arësimit dhe Kulturës do ta shikojë këtë çështje.

(firma)

26/4/71

***

Shokut Munir Reso,

Shikojeni me shum kujdes ktë çështje bashkë me Ministrinë e Arësimit e Kulturës dhe më thoni masat që do marrin.

(firma)

5/5/71

Dokumenti 2

Si u fsheh përdhunimi i nxënëses 13 vjeçare në Kavajë nga mësuesi i saj

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

DREJTORIA admin. Dhe studimeve

S E K R E T

Ekzemplar Nr. 1

Nr. 820

Tiranë, më 30.VI.1971

KRYETARIT TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË RPSH

(SHOKUT XHAFER SPAHIU)

T I R A N Ë

Nga verifikimi në vend i pretendimeve të qytetarit S.B., nga fshati Gosë i Kavajës, i cili ankohej ndaj punëtorit të policisë së sektorit I. Sh., se kish mbuluar krimin e përdhunimit të vajzës së tij nga arësimtari P. I., dalin disa fakte që mendoj se vlejnë të viheni në dijeni:

Përdhunimi i vajzës 13-14 vjeçare, H.B., nga arësimtari P.I. është kryer në datën 16.4.1971, në një nga zyrat e shkollës së katundit Gosë të lokalitetit Kavajë të rrethit Durrës.

Nën nxitjen e udhëheqësit të pionierëve të shkollës, i cili e kishte mësuar ngjarjen nga disa nxënës, më datën 3 ose 4 maj, drejtori i shkollës, Xh. M., vuri në dijeni kryetarin e këshillit popullor, H.S. dhe që të dy thirrën në të njëjtën ditë të dëmtuarën dhe P.I.

Shpjegimet e dhëna prej tyre ishin të plota për figurën e krimit, me përjashtim të kontradiktës që, ndërsa vajza pohonte marrëdhënien e plotë seksuale, autori e shëndrronte këtë në vepër luksuri.

Në përfundim të dy u këshilluan, duke iu vënë përballë rrezikun e ndonjë krimi më të rëndë, në rast se do ta mësonte këtë fakt babai i vajzës S.B.

Më datën 18.5.1971, drejtori i shkollës dhe kryetari i këshillit vunë në dijeni shefin e seksionit të arësimit, i cili i porositi që t’i bënin një relacion kryesisë së komitetit ekzekutiv Durrës.

Relacioni nuk u bë, pasi çështja iu raportua edhe instruktorit të komitetit të partisë, i cili, bashkë me kryetarin e këshillit, me datën 1.6.1971, denoncuan në prokurori.

Për verifikimin e çështjes u pyetën shumë persona që kishin dijeni mbi ngjarjen dhe rezultoi se, punonjësi i policisë, në drejtim të të cilit ankohet babai i të dëmtuarës, është vënë në dijeni për krimin në orët e vona të datës 1.6.1971, dhe pasi është bërë denoncimi në prokurori.

Nga analiza e kësaj çështje, e cila ndiqet tani nga prokuroria e rrethit të Durrësit, arrihet në këto konkluzione:

1.Megjithse në shpjegimet që japin, drejtori i shkollës dhe kryetari i këshillit pretendojnë se nuk ishin të sigurtë për veprën e përdhunimit, ata, simbas mendimit tonë, kanë patur dëshirë që kjo çështje të mbyllej.

Këtë gjë e përforcon edhe fakti që vetë drejtori, në ditën e zhvillimit të ngjarjes, konstatoi mbylljen në zyrë të arësimtarit me nxënësen dhe nuk e bëri problem, por u mjaftua vetëm me pyetjen që i bëri P.I, i cili e gënjeu. Ky fakt përforcohet edhe me deponimet e të pandehurit, i cili thotë se nga kryetari më është premtuar se do të bëhen përpjekje që çështjen ta mbyllnin.

2.Shefi i seksionit t’arsimit nuk e ka kryer detyrën. Është rast tipik kërkesa e relacionit për ngjarjen, që ai urdhëroi t’i bëhej kryesisë së komitetit ekzekutiv, duke e mënjanuar vehten nga një problem kaq serioz dhe skandaloz dhe, që lidhej direkt me veprën kriminale të kryer nga vartësi i tij dhe me qëndrimin oportunist të drejtorit të shkollës.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

(KADRI HAZBIU)

(vula, firma)

Shokut Munir Reso,

Bisedoni me shokun Thoma Deliana ose Hasan Duma që ta shikojnë ktë çështje lidhur me përgjegjsinë që ka shefi i seksionit arsimit e kulturës i rrethit dhe drejtori i shkollës.

(firma)

1/7/71

Dokumenti 3

Prokuroria ‘71: Përdhunime, vjedhje, fallsifikime, rrëmbime,e dhunë në familje

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

PROKURORIA E PËRGJITHSHËSHME

(Drejtoria Hetuesisë)

Nr. 1057

Tiranë, më 14/7/1971

ZËV/KRYETARIT TË KËSHILLIT MINISTRAVE

(SHOKUT ADIL ÇARÇANI)

T I R A N Ë

Bashkangjitur ju dërgojmë një informacion mbi disa çfaqje e veprime të pa denja të kryera nga disa punonjës të arsim-kulturës në disa rrethe të Republikës.

PROKURORI PËRGJITHËSHËM

(Dhori Panariti)

(vula, firma)

INFORMACION MBI DISA ÇFAQJE E VEPRIME TË PA DENJA TË KRYERA NGA DISA PUNONJËS TË ARSIM-KULTURËS NË DISA RRETHE TË REPUBLIKËS

Nga hetimi i çështjeve penale me të pandehur punonjës t’arsim kulturës, në disa rrethe, ka rezultuar se ata disa herë kanë vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, janë bërë shembull i keq në popull dhe në kolektivin e tyre të punës, janë pajtuar me normat e zakonet prapanike, në vend të fjalës së urtë dhe qëndrimit korekt me nxënësit kanë përdorur dhunën duke arritur deri në ndëshkime trupore, me pak fjalë me sjelljen dhe qëndrimin e tyre kanë cënuar figurën e pastërtë t’arsimtarit tonë.

Këto veprime, natyrisht janë të tilla që me të drejtë kolektivat punonjëse, këshillat pedagogjike e seksionet e arsim kulturës ndaj tyre në të shumtën e rasteve kanë marrë masat përkatëse. Por, e shohim me vend që nëpërmjet disa rasteve konkrete, të japim dhe shkaqet e motivet që i kanë shtyrë këta punonjës të hyjnë në rrugën e kriminalitetit, dhe si rrjedhim të vihen para përgjegjësisë penale për veprat e kryera.

1.Në disa raste të veçanta disa mësues dhe pedagogë duke shfrytëzuar pozitën e tyre kanë kryer akte imorale të shëmtuara me nxënësit për të cilat me të drejtë janë dënuar reptë dhe në bazë të ligjës nga organet e drejtësisë.

Më datën 16 prill 1971 P. I., me arsim të lartë, drejtor i shkollës së mbrëmjes në fermën e … në rrethin e Durrësit, thëret në shkollë një nxënëse të klasës së VI-të dhe në dhomën e mësuesit, mbasi e mbyll këtë nga brenda kryen me të aktin seksual. Po në rrethin e Durrësit, J.Gj., ish arsimtar në fshatin Hamallaj, hyn në marëdhënie seksuale në një nga klasat e kësaj shkolle, me një nxënëse të shkollës së natës. Po kështu ky i pandehur ka ndërmjetësuar që edhe shoku i tij të hyjë në marrëdhënie seksuale me  një nxënëse tjetër. Në muajin prill 1971, ish arsimtari R.Ç. në fshatin Turan të rrethit të Tepelenës, tenton të kryejë aktin seksual në shkollë në dëm të një nxënëseje të klases së parë. Veprime të kësaj natyre kanë kryer edhe ish arsimtarët P. Xh., mësues muzike pranë shkollës 8 vjeçare “Urani Rumbo” Gjirokastër, S. M., mësues në shkollën e mesme industriale të mbrëmjes pa shkëputje nga puna të Kombinatit të tekstilit “Mao Ce Dun” Berat, Bajram Rasa në shkollën 8 vjeçare Bregu i Bunës të rrethit të Shkodrës, etj.

2.Në disa raste mbahet nga mësuesit dhe pedagogët një sjellje e ashpër, përdoren ndaj nxënësve ndëshkime trupore, të cilat janë të palejueshme dhe që tregon për dobësinë e punës së tyre. Kështu, N. B., me arsim të lartë, mësues në shkollën “7 Nëndori” Shkodër, gjatë një ore mësimi, konstatoi se disa prej nxënësve të klasës së VI-të nuk e kishin përvetësuar mësimin që ai ju kishte shpjeguar. Po kështu gjatë kontrollit të dijes, i pandehuri vuri re se nxënësi B. Sh, i cili ndonëse ishte një nga nxënësit e dobët të klasës, nuk mbante shënime sipas porosisë së tij. Atëherë ai u afrua në bankë dhe i kërkoi llogari përse nuk mbante shënime, por nxënësi iu përgjigj se nuk e kuptonte mësimin. Në këtë moment i pandehuri, në vend që të nxirte detyra për vet veten, revoltohet dhe i kap nxënësit krahun i a përdrodhi atë duke i shkaktuar kështu thyerjen e tij. Kur ky i thotë se më theve krahun, ai e kap prej flokësh dhe e nxjerr jashtë prej klase. Po kështu A. K. mësuese dhe udhëheqëse e pionierit në fshatin Maknicë të Koplikut të rrethit të Shkodrës, godet me shputa në fytyrë nxënësin e klasës së katërt I. B., për shkak se ai nuk i ishte përgjigjur në mësime. Por, veprimet e padrejta të kësaj arsimtareje, kësaj udhëheqëse të pionierit, bëhen më cinike kur urdhëron që ky nxënës të qëllohet me shuplaka nga të gjithë nxënësit e klasës dhe në qoftë se dikush prej tyre nuk e godiste mirë, urdhërohej që t’i binte përsëri.

3.Nga disa mësues ka veprime që janë haptazi në kundërshtim me përmbushjen korrekte të detyrës që ata kanë, në disa raste tregohen dhe hakmarrës apo kryejnë veprime që ulin dinjitetin e tyre.

Kështu arsimtari F.B. në katundin Leshnicë të rrethit të Sarandës për konfliktet personale që kishte me prindërit e nxënësit J. K., fallsifikon notat nga kaluese në pa kaluese. Po kështu H.D., arsimtar në Karbunarë të rrethit të Vlorës i lëshon nxënësit Z. H. një vërtetim n’emër të drejtorit të shkollës, sikur gjoja ky e kishte mbaruar shkollën 8 vjeçare me mesataren e notave “8-të”, gjë që në fakt nuk i përgjigjej realitetit. Këtë vërtetim nxënësi Z.H., sëbashku edhe me dëftesën e falsifikuar prej tij, e paraqiti në seksionin e arsim kulturës së rrethit për t’i dalë bursa. Ndërsa B.. R., arsimtar në Grabian të rrethit të Lushnjës, për të realizuar qëllimet e tij imorale, duke çfrytëzuar rastin që një ditë mësuesja e zoologjisë mungonte në klasën ku edhe ishte nxënësja që ai kërkonte ta mashtronte, ju bëri provim dhe më vonë po për këto qëllime, i grisi ato. Kurse në shkollën e arsimit të përgjithshëm Librazhd, R. Gj., drejtoreshë kopshti dhe e shoqe e shefit t’arsim kulturës së atij rrethi, i është dhënë dëftesa e maturës pa të drejtë.

Nga verifikimi që iu bë këtij problemi rezultoi të paktën se ajo provimin e fizikës nuk e kishte dhënë. Ndërsa T. D., në po këtë shkollë, në amzë shënohej se ka ngelur në katër lëndë, ndërsa më vonë janë vënë shënimet “kaloi klasën”, duke i vënë edhe notat kaluese. Këto veprime të kryera nga drejtuesit e kësaj shkolle natyrisht janë të rënda, të cilat mendojmë se mund të jenë objekt i veçantë studimi nga Ministria e Arsim Kulturës, me qëllim që të nxjerri shkaqet, të verifikojë gjendjen dhe të marri masat përkatëse për t’arthmen.

4.Ka punonjës të arsim kulturës që nuk janë korekt në mardhëniet familjare dhe për pasojë me sjelljet dhe qëndrimet e tyre ushtrojnë një ndikim negativ në të tjerët. Në raste të tilla mendojmë se këta nuk ka pse të mbahen më në këto organe. Kështu, me të drejtë punonjësit e kinoteatrit “7 Nëndori” Vlorë, përjashtuan nga rradhët e tyre V. G., i cili në mënyrë sistematike ka rrahur bashkëshorten e tij, A. L. dhe M. Ll., bashkëshortë me arsim të lartë, aktorë në teatrin dramatik Vlorë, kanë zgjidhur martesën për shkak konfliktesh familjare, të cilët kanë arritur deri n’atë shkallë sa që kanë rrahur dhe fyer njëri tjetrin. Kështu ka vepruar edhe M. P. arsimtar në fshatin Vrakë të rrethit të Shkodrës, i cili duke qenë i mykur nga konceptet patriarkale në familje ka dashur t’i nënshtrojë vullnetin e tij bashkëshortes, të cilën edhe e ka rrahur herë mbas here. Ndërsa H. S. nga Shëngjergji i Tiranës bëhet bashkëpuntor në rëmbimin e një vajze, për t’i imponuar martesën me një person që ajo nuk e dëshironte. Si këto ka edhe raste të tjera.

5.Komitetet Ekzekutive, seksionet e arsim kulturës, këshillat pedagogjike, organizatat e masave, etj. duhet të vlerësojnë më mirë sinjalizimet që ju bëhen për të evituar krimet, për të shpëtuar njeriun, dhe për të mbajtur të pastërtë figurën e punonjësve t’arsim kulturës. Në disa nga rastet që përmendëm më sipër, ka dalë në pah qëndrimi indiferent që “ç’më duhet mua, ka kush merret me këto punë”. Po kështu të dhënat e para janë nënvleftësuar, ato janë konsideruar të pa rëndësishme”, por që më vonë kanë marrë trajta më të gjera e që kanë përfunduar në vepra kriminale. Kështu p.sh. prokuroria e rrethit të Vlorës, sinjalizon Kom. Ekzekutiv, seksionin e arsim kulturës se mësuesi Z. F. nuk duhet të shërbejë si arsimtari mbasi ai në vitin 1961 dhe në vitin 1967 ishte dënuar nga gjykata me heqie lirie për krimin e përvetimit të pasurisë socialiste. Por seksioni arsim kulturës nuk e vlerësoi drejtë këtë sinjalizim e si rjedhim nuk e largoi nga detyra e arsimtarit. Në muajin janar 1971, ai kryen përsëri vjedhje, kësaj here me thyerje në shkollën “Zenel Mura”, për të cilën u arrestua dhe u dënua përsëri me heqie lirie. Ndërsa Xh. M., drejtor i shkollës në fermën e Gosës, kryetari i kom.

Ekzekutiv të saj zone si dhe shefi i seksionit arsim kulturës së rrethit të Durrësit, veprimin skandaloz t’arsimtarit P. I., për një kohë pak a shumë të gjatë e lanë në heshtje, pa e bërë problem të organeve përkatëse. Kom. Ekzekutiv i rrethit ndaj këtyre personave kur erdhi në dijeni mori masat përkatëse. Po kështu mësueses kujdestare të njërës nga klasat e shkollës së mesme industriale të mbrëmjes në Kombinatin e tekstileve “Mao Ce Dun” Berat, i ankohen disa nxënëse për veprimet imorale të mësuesit S. M. i cili në kohën kur ato i ngrinte në dërrasën e zezë i provokonte, por kjo nuk i vlerësoi e si rjedhim nuk vuri në dijeni as edhe një person. Më vonë veprimet u bënë më të theksuara e si rjedhim ai u dënua për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Jemi të mendimit që ajo Ministri në format që vetë do t’a shikojë të arsyeshme t’ua bëjë të njohur këto probleme të gjithë seksioneve t’arsim kulturës së rretheve për t’i patur parasysh këto dhe për të marë masat e nevojshme me qëllim që të paksohen në maksimum veprime të tilla të cilat pa tjetër janë të +

PROKUROR’ I PËRGJITHSHËM

/ DHORI PANARITI

(vula, firma)

Tiranë, më 12.VII.1971 (Admirina Peçi-Shqiptarja.com)

Please follow and like us: