Albspirit

Media/News/Publishing

Pasuria e gjyqtarëve/Deklarojnë vilat dhe apartamentet si dhurata nga gjyshja, babai, apo motra

Janë gjyqtarë por mesa duket nuk dinë të gjejnë alibi më të mira sesa ato të të pandehurve në sallën e gjyqit. “Shqiptarja.com” raporton sot për disa raste gjyqtarësh të shkallës së parë dhe të Apelit që për të justifikuar pasurinë e tyre deklarojnë se kanë marrë dhurata nga gjyshja, babai, motra apo hua nga kunetër.  Mes këtyre dhuratave përfshihen edhe apartamente dhe vila. Ja disa raste:

Neritan Cena, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, njëherësh edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjatë vitit 2016, rezulton se ka blerë dy pasuri të paluajtshme në Gjermani, me vlerë 48 mijë euro dhe 25 mijë euro. Cena ka blerë gjithashtu, së bashku me bashkëshorten, edhe një apartament me sipërfaqen 101 m2, në Selitë të Tiranës, me vlerë 5 400 000 lekë. Për të justifikuar blerjet e pasurive të lartpërmendura, gjyqtari Cena thotë se motra e tij i ka bërë dhuratë 16 mijë euro. Ai deklaron gjithashtu se babai i tij, Bajram Cena, i ka dhënë dhuratë 22 mijë euro. Cena shton se ka përfituar nga babai edhe një shumë tjetër 550 000 lekë. Anëtari i KLD vijon më tej, duke deklaruar si kunatës i ka marrë hua 9 mijë euro, ndërsa djalit të xhaxhait i ka marrë 2 mijë euro.

Gjithashtu, duke iu referuar gjithnjë deklaratës së pasurisë të siguruar nga Shqiptarja.com, gjyqtari Cena, për blerjen e apartamentit në Selitë të Tiranës, deklaron se i ka marrë kunatës së tij një hua në shumën 5 400 000 lekë. Ai thotë se për të siguruar paratë ka shitur edhe makinën me vlerë 20 mijë euro.

Anëtari i KLD i ka marrë hua kunatës edhe 3 988 lekë për blerje makine, ndërsa vijon të shlyejë një kredi për mobilimin e shtëpisë ku jeton aktualisht.

Ndërkaq, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Rezarta Mataj, deklaron 35 mijë euro dhuratë nga gjyshja e bashkëshortit. Me këtë shumë, gjyqtarja ka mbyllur në 5 janar 2016 një kredi afatgjatë me vlerë 30 mijë euro për blerjen e një shtëpie.

Nga kredia në fjalë, zonjës i kishin mbetur për të shlyer 27 mijë euro. Bashkëshorti i saj, Blendi Breshanaj, deklaron gjithashtu 2 mijë euro dhuratë nga gjyshja. Me këto para ai ka blerë një makinë tip Benz. Gjyqtarja Mataj deklaron edhe 200 000 lekë dhuratë nga njerëz të ndryshëm pas lindjes së vajzës. Edhe gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Yrfet Shkreli, deklaron një llogari bankare me vlerë 14 mijë euro, ku si burim referon një shumë të dhënë dhuratë nga prindërit, kthim i huasë së dhënë një shtetaseje dhe kursime nga paga. Por, gjyqtarja nuk referon vlerën konkrete të dhuratës.

Gjyqtari i pezulluar blen makinë 70 mijë USD

Gjyqtari i gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, i pezulluar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me dy vite burg për korrupsion, deklaron se gjatë vitit 2016 ka blerë një makinë me vlerë 7 milionë lekë ose rreth 60 mijë USD.

Hoxha thotë se makinën e ka blerë me të ardhurat nga paga si gjyqtar si dhe nga gjendja cash. Gjyqtari Ibrahim Hoxha u prangos pasditen e 2 Majit të vitit 2016 në Tiranë. Sipas dosjes së Prokurorisë, djali i Ibrahim Hoxhës, Ledjan Hoxha, në datën 2 maj 2016, po merrte 600 mijë lekë të reja ose rreth 50 mijë USD ryshfet nga një familje, për të ndryshuar vendimin që kishte të bënte me një konflikt për trashgiminë.

Po atë natë është arrestuar edhe Ibrahim Hoxha, i cili po e priste djalin e tij te dera e një lokali. Ai u dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me dy vite burg. Por, Gjykata e Apelit vendosi që ta zbusë akuzën për korrupsion, duke e nxjerrë nga burgu gjyqtarin Hoxha dhe duke vendosur në shërbim prove.

Të tjera çudi

Gjyqtarja e gjykatës së Tiranës, Marinela Osmani, gjatë vitit 2016, ka blerë një apartament 1+1, me sipërfaqe 72 m2, tek Komuna e Parisit, me vlerë 67 mijë euro. Por vlera e këtij apartamenti është rritur menjëherë me 13 mijë euro sapo është blerë nga zonja. Ajo thotë se me aplikimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë rivlerësimi i pasurisë në shumën 80 mijë euro.

Në këto kushte, apartamentin që ka blerë 63 mijë euro, zonja e ka shitur në datën 19.12.2016 në vlerën 80 mijë euro, duke fituar kësisoj 13 mijë euro. Shumën prej 80 mijë eurosh zonja e ka depozituar menjëherë në bankë.

Këta njerëz me siguri që e kanë vendin vetëm aty ku mendojmë të gjithë.

http://shqiptarja.com/home/1/gjyqtaret-qe-moren-para-dhurate-nga-gjyshja…

Please follow and like us: