Albspirit

Media/News/Publishing

Marcus TANNER: Mikesha zemërthyer e Shqipërisë

Në verën e vitit 1921, një angleze e moshuar udhëtoi drejt Shqipërisë. Më shumë se një vizitë turistike standarde, ishte si një pritje mbretërore. “Në mbrëmje, një varg njerëzish me drita dhe duke kënduar erdhi për nderime. Rruga ishte e mbushur me njerëz të varfër e mirënjohës, që brohorisnin,” shkruan ajo. “Mbeta si e shushatur. Dola në ballkon, por isha shumë e emocionuar për t’u përgjigjur siç duhet. I falenderova me aq sa munda”. Por kush ishte kjo vizitore e pazakontë dhe përse nderohej kaq shumë?

Në fakt, ajo ishte Edith Durham, vajza e një kirurgu në Londër, një grua që kishte vendosur në moshë të mesme të bëhej eksploratore, etnologe, bamirëse, reportere lufte dhe të bënte fushatë në favor të lirisë për shqiptarët. Arsyeja se përse kaq shumë shqiptarë kishin ardhur për ta nderuar, ishte e thjeshtë. Ajo, më shumë se çdo i huaj tjetër ndoshta, kishte ndihmuar që shteti i tyre i ri të vendosej në hartë. Durham nuk e solli pavarësinë e Shqipërisë- shqiptarët e bënë këtë. Ajo as nuk ishte e pranishme kur flamuri kuq e zi i Skënderbeut u ngrit në Vlorë.

Por, të shpallësh pavarësinë është një gjë, ta mbash është diçka tjetër. Vendet nuk mund të jenë të pavarura në rast se fuqitë e mëdha nuk e duan këtë, dhe kryqëzata e Durham në Britani ndihmoi shumë çështjen e shtetit shqiptar, në atë që në atë kohë ishte një prej vendeve më të rëndësishme në botë. Durham mbërriti në Ballkan në vitin 1900, kur ishte në fund të të tridhjetave. E mahnitur nga ajo që gjeti, ajo mbeti aty derisa shpërthimi i luftës në vitin 1914 e detyroi që të kthehen në një Britani që mezi e njohu. Vendi i shqiptarëve, thellë në Perandorinë Otomane, ishte thuajse i panjohur për botën anglishtfolëse.

Vetëm poeti Bajron dhe piktori Eduard Lir, si dhe një grusht britanikësh, kishin udhëtuar aty. Shumë më pak kishin eksploruar malet në veri, rreth Shkodrës, të cilat u bënë si shtëpi e dytë për Durham. Durham po rrezikonte në një tokë të panjohur, por shqiptarët e pritën si një princeshë, duke treguar dashuri reciproke, që zgjati deri në vdekjen e Durham në Londër në vitin 1944. Ndërsa intrigohej nga ideja që kishte zbuluar një vend që koha e kishte harruar, prapambetja e Shqipërisë e trondiste.

Një udhëtim i gjerë në Serbinë e asaj kohe e kishte befasuar. Hekurudhat e reja, dritat elektrike, shkollat dhe kazermat e kishin frikësuar se çfarë do të ndodhte më Shqipërinë kur të binte Perandoria Osmane. Krahasuar me Serbinë, shkruante ajo, Shqipëria ishte një rrënojë e parrugë.Durham nisi betejën për të kundërshtuar atë që mendonte opinioni publik në Britani për Ballkanin, ku ishte formësuar një narrativë e krishterë gjithmonë e më agresive. Shkrimtarët britanikë flisnin për të krishterë të shtypur në Ballkanin dhe shpesh i shpërfillnin shqiptarët si viktima të otomanëve dhe madje si të pafe. Në përgjigje të tyre, Durham i bombardoi gazetat britanike me letra dhe artikuj, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë popujt e Ballkanit, jo vetëm për të krishterët. Ajo hartonte gjithashtu materiale me vëzhgime për traditat dhe kulturën e Shqipërisë veriore. Ajo loboi pranë mbretit të Malit të Zi, me të cilin zu miqësi dhe në emër të tij arriti në Ekspozitën e Vendeve Ballkanike në Londër në vitin 1907.

Në të njëjtën kohë, ajo kultivoi marrëdhënia të mira me një grusht politikanësh britanikë me ndikim si deputeti Aubrey Herbert dhe gazetari radikal Henry Nevinson, dhe ata lobuan pranë Sekretarit të Jashtëm britanik, Lord Grey. Në vitin 1912 dhe 1913, fuqitë e krishtera në Ballkan sulmuan otomanët me idenë e ndarjes së Ballkanit mes tyre. Frika më e madhe e Durham u bë realitet kur u bë e qartë se Shqipëria do merrte “lirinë” brenda disa kufijve të kufizuar. Fuqitë e mëdha i mohuan Shkodrën Malit të Zi, por ky ishte një lëshim i rrallë me parimin e vetëvendosjes. Durham u ndje keq sidomos nga humbja e Gjakovës dhe Dibrës. Ishte etikisht dhe historikisht e pambrojtshme dhe katastrofike për perspektivën ekonomike të shtetit të ri, thoshte ajo. Durham i kishte rënë kryq e tërthor disa herë Kosovës dhe ndërsa kishte simpati për pakicën serbe aty, ajo mendonte se kjo tokë ishte pothuajse tërësisht shqiptare.

Pretendimet serbe për Kosovën, shkruante ajo, i ngjajnë një ëndrre të një nate më parë. “Rreth nesh në mes të ditës ishte popullata shqiptare”. Në jug, ku grekët po forconin rrethimin, Durham mundi të bënte më shumë. Ajo dhe Nevinson u dërguan telegrame fuqive të mëdha gjatë takimeve në Londër mbi Shqipërinë, duke i informuar se Korça nuk ka qenë dhe kurrë nuk do jetë greke. Si rezultat, ata i shtynë kufitë shqiptarë në jug. Të dy e shpëtuan Korçën, siç shkruante ajo shkurtimisht më vonë. Durham bëri më shumë se të shkruante dhe të lobonte. Në vitin 1913, ndërkohë që refugjatët nga Gostivari, Dibra dhe të tjera qytete vërshuan në Shqipërinë e re dhe të cunguar, Durham ngriti një operacion ndihme, që shpëtoi mijëra jetë. Disa prej atyre ndoshta ishin në mesin e turmës në Tiranë, duke brohoritur kur ajo vizitoi këtë vend në vitin 1921.

Ajo vetë megjithatë ishte e pangushëllueshme. Vite më parë, e ulur në kishën e Shën Naumit në brigjet e Ohrit, ajo kishte ëndërruar që të rregullonte kufijtë në Ballkan. “Do mbetem besnike e shqiptarëve dhe kur të vijë finalja e madhe, do i mbështes ata,” shkruante ajo.Durham ndjeu se kishte dështuar dhe se jeta e saj kishte qenë e pavlerë. Ndjehej e mjeruar pas pritjes në Tiranë, sa kopjoi një pjesë nga një poemë melankolike e Cristina Rossetti: “Gënjeshtrat, sërish gënjeshtrat ma thyejnë zemrën. Zemra ime e heshtur është thyer”. Por Durham nuk po tregohej e drejtë me veten. Në fakt, ajo kishte bërë diçka të mirë dhe shqiptarët duhet ta kujtojnë atë.

Please follow and like us: