Punonjës të Hipotekave fshehën pasuritë për disa gjyqtarë dhe prokurorë
Prokurorë e gjyqtarë dyshohet se po tentojnë të fshehin pasuritë, për të shmangur penalizimet nga Vettingu.
Pjesë e këtij procesi ka dyshime se janë bërë edhe punonjës të hipotekave.
Televizioni Klan ka arritur të sigurojë një letër konfidenciale që kryeregjistruesja e sapoemëruar, Blerina Doracaj, u ka nisur zyrave vendore të regjistrimit të pasurive.
Me anë të kësaj shkrese ajo kërkon rifillimin edhe njëherë të procesit të kontrollit të pasurive për 68 gjyqtarë dhe prokurorë, pasi faza e parë që sapo ka përfunduar ka konstatuar mangësi, deri në fshehje të të dhënave të pronave për një pjesë të magjistratëve.
“Nuk është dhënë informacioni për pasuritë në emër të personave të kërkuar, të cilët kane rezultuar të regjistruar ne ZRVPP, por të deklaruara nga subjekti, por edhe raste kur nuk janë deklaruar, duke sjellë për pasojë fshehjen e informacionit, e cila sjell pasoja juridike”, thuhet në shkresën e Doracajt.
Kryeregjistruesja paralajmëron personelin e hipotekës për përgjegjësi Penale. Një grup pune do të ngrihet për të verifikuar të gjithë mënyrën se si është bërë deri më sot lista me pasuritë e magjistratëve ne zyrat e hipotekave.
Përgjegjësi do të ketë edhe për punonjësit që do të konstatohen se kanë zvarritur procesin apo kanë ndihmuar subjektet për t’i shpëtuar Vettingut.
Në urdhër kërkohet të zbatohet menjëherë kërkesa që ka bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Interesave dhe të mos ketë vonesa në listimin e pasurive për ata që janë pjesë e reformës në drejtësi.
Janë konstatuar edhe gabime gramatikore në të dhënat e gjyqtareve dhe prokuroreve, të cilat kanë sjellë rifillimin e procesit të kontrollit e deri te fshehja e qëllimshme e të dhënave apo shkelja e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve. Grupi i punës i cili do të marrë përsipër Vettingun e pasurive do të punojë me orar të zgjatur deri në datën 15 shtator për të përfunduar të gjithë procesin. Kjo është hera e tretë që punonjësit e hipotekës i kthehen kontrollit të pasurive për gjyqtarët e prokurorët. Herën e parë kontrolli mbeti peng i ankimimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa hera e dytë ka gjetur parregullsi.