Albspirit

Media/News/Publishing

Ministri grek i Mbrojtjes: Rama provokues, por flet ndryshe në NATO!

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama për marrëdhëniet dypalëshe. Kammenos i ka cilësuar si provokuese jo vetëm deklaratat e shefit të qeverisë, por edhe, siç ka thënë “disa lëvizje që bëhen rreth minoritetit grek në Shqipëri”. Por Kammenos është shprehur se pavarësisht deklaratave, Rama ka përballë shumicën e popullit shqiptar. Kamenos, që është dhe kryetar i partisë se djathte “Grekët e Pavarur” dhe aleati i vetëm në koalicionin qeveritar të udhëhequr nga Aleksis Tsipras, i bëri këto komente gjatë një konference shtypi në Selanik, ku u pyet nga gazetarët për më shumë se një orë e gjysmë. Kammenos u pyet edhe për zhvillimet lidhur me planin e përgjithshëm vendor në Himarë, dhe nëse e konsideronte si provokim nga ana e Edi Ramës shembjen e disa objekteve atje.

Kamenos: Është e vërtetë se në nivel deklaratash verbale zoti Rama është provokues. Dhe paralelisht, edhe disa lëvizje që bëhen rreth minoritetit. Mirëpo, konsideroj se Rama ka përballë shumicën e popullit shqiptar, edhe njerëz që kanë qenë emigrantë në Greqi, njerëz që kanë lidhje me Greqinë, njerëz që kërkojnë nënshtetësinë greke. Dhe konsideroj se do ta marrë përgjigjen nga populli shqiptar për këtë sjellje ekstremiste ndaj vendit tonë.

Kammenos tha se deklaratat që konsiderohen si provokuese në Athinë, mund të ndikojnë në izolimin e Shqipërisë dhe se ato nuk kanë asnjë lidhje me deklaratat që qeveritarët shqiptarë bëjnë në forumet ndërkombëtare.

“Konsideroj se përpjekjet nga elementë ekstremistë, për të krijuar probleme me minoritetin grek të Epirit të Veriut, të vetmin rezultat që do të mund të kenë është izolimi i Shqipërisë. Dua t’ju them se kur takohemi jashtë shtetit, në nivel deklaratash, (shqiptarët) janë shumë të kujdesshëm. Shqipëria, megjithëse nuk ka flotë detare, dërgoi një anije në përbërje të SNMG2 në detin Egje, si pjesë e operacionit të përbashkët të NATO-s. Dhe asnjëherë deklaratat që bëhen në nivel të NATO-s nuk janë si deklaratat publike të zotit Rama.

Pasi iu referua edhe faktit se muajin e kaluar nga Greqia u dërguan aviona zjarrfikës që siç tha, operuan jo vetëm në fshtarat e minoritetit, por në gjithë Shqipërinë, aty ku ishte e nevojshme, ministri grek i mbrojtjes tha: Nuk besoj se ka arsye që të vazhdojë kjo politikë e provokimeve.

Ministri grek i mbrojtjes u pyet edhe për çështjen e shumë përfolur të shtatë rekrutëve shqiptarë që në fillim të vitit ishin fotografuar brenda një mjedisi ushtarak duke bërë shenjën e shqiponjës. Ndryshe nga atëherë, Kammenos ishte shumë më i zbutur në pronocimin e tij.

Ata morën dënimet e parashikuara, si nga unë, edhe nga shefi i shtabit të përgjithshëm. Por duhet të dini se ai imazh që u prezantua nuk ishte i vërteti. Ata janë një përjashtim. Ka djem që paraqiten në ushtri dhe që nuk janë “vorioepirotë”, por janë nga familje krejtësisht shqiptare, prindërit e të cilëve erdhën në Greqi, lindën këtu dhe morën nënshtetësinë greke. Dhe janë ushtarë të shkëlqyer. E kryejnë detyrën e tyre dhe e shohin Greqinë si atdheun e dytë. Dua të jem absolutisht i drejtë. Shumica e tyre janë patriotë dhe ndihen grekë, si gjithë të tjerët.

Kjo nuk është hera e parë që ministri grek i Mbrojtjes bën deklarata të tilla.

Rreth dy vjet më parë ai ka deklaruar gjatë një vizite të tij në disa prej pikave kufitare të Greqisë me Shqipërinë se do të rihapë të gjitha postat ushtarake dhe do të riforcojë ushtrinë përgjatë kufirit shqiptaro-grek.

Për t’i dhënë më shumë simbolikë kërcënimeve të tij, Kamenos kishte zgjedhur të vishej me rroba ushtarake.

Disa kohë më vonë, deklaratat e tij i komentoi edhe ministrja shqiptare e Mbrotjes, Mimi Kodheli.

“Veshja si ushtarak e tij nuk ka sens, por besoj se ka qënë një sjellje për konsum të brendshëm politik”- tha Kodheli

“E kam takuar ministrin Kamenos në ministerialin e shkurtit ku e kam pyetur nëse ishte qetësuar qysh atëhere kur doli si ushtarak.

Ai e kuptoi pyetjen time dhe me delikatesë me tha “po jam qetësuar”, vijoi Kodheli.

Të dyja palët pretendojnë për njëra-tjetrën se deklaratat i bëjnë për konsum të brendshëm politik. Kështu thotë Kamenos për Ramën, ashtu pretendon edhe Kodheli për homologun e saj grek.

Por fakti është se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në nivelin më të mirë.

Vizita e fundit e një kryeministri grek në Shqipëri ka qenë në vitin 2009, kur u nënshkrua edhe marrëveshja për kufirin detar, e cila aktualisht vazhdon të jetë ‘mollë sherri’ mes dy vendeve. Po kështu, as kryeministri Edi Rama s’ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Greqi.

Please follow and like us: