Albspirit

Media/News/Publishing

Rama vendos t’u heqë dekoratat komunistëve

Shumica e re parlamentare ka vendosur që të përfshijë në axhendën e punimeve të Kuvendit disa nisma të nxehta, të mbartura nga legjislatura e kaluar, por që ishin të bllokuara për shkak të polemikave të forta që prodhuan dhe prekjes së interesave të nëndheshme.

Konkretisht, pjesë e programit të punimeve të Kuvendit, në periudhën 18 shtator deri në 13 tetor 2017, është përfshirë edhe nisma ligjore e propozuar nga kryeministri Edi Rama, e cila parashikon heqjen e dekoratave, titujve dhe medaljeve për diktatorin Enver Hoxha, bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, funksionarët që kanë shërbyer në sistemin komunist si dhe për disa antifashistë të parë, pra për veteranë të luftës, të cilët kanë mbajtur funksione të rëndësishme në regjimin komunist.

Drafti për ndryshimin e ligjit nr. 112/20134 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në RSH”, u propozua që fund të vitit 2015, pas debateve të ashpra politike për dekorimit të hetuesit të diktaturës Shyqyri Çokun nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.

Por, propozimi për ndryshimin e ligjit për dekoratat u bllokua për shkak të reagimeve të forta nga ana e veteranëve të luftës. Nisma nuk u mbështet as nga LSI, e cila ka qëndruar më pranë veteranëve të luftës.

Por, pas prishjes së koalicionit me LSI, mazhoranca e re rezulton se ka përfshirë draftin në axhendën e Kuvendit, në fillim të kësaj legjislature, duke paralajmëruar mundësinë e miratimit të saj. Rikthimi i draftit vjen edhe në një kohë kur, Partia Demokratike, po tenton të rikthejë në kauzë kartën antikomuniste, duke marrë shkas nga emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme.

Përfaqësuesit e opozitës kanë propozuar ngritjen e një institucioni të posaçëm me ligj, i ngjashëm me policinë gjyqësore, për të mundësuar zbatimin e nenit 74 të Kodit Penal, për krimet e kryera kundër njerëzimit gjatë regjimit komunist, të cilat dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Por, çuditërisht, në një mbledhje të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, në datën  09.02.2016, ora 10:00, një grup deputetësh të PD kanë votuar pro bllokimit të një nisme të propozuar nga ish-deputetët Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda, për heqjen e heqjen e dekoratave, titujve dhe medaljeve për Enver Hoxhën dhe ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shteti.

Në këto kushte, mbetet për t’u parë, nëse Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do t’i konkretizojnë me votë në Parlament nismat e tyre antikomuniste apo kemi të bëjnë thjeshtë me një zgjatim të retorikës njëzeteshtatëvjeçare.

Propozimi i Ramës
Projektligji parashikon përjashtimin nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi, medalje dhe tituj vendorë nderi sipas këtij ligji dhe në rast se e kanë marrë u hiqet, personat të cilët janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte, për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë”. Gjithashtu, u hiqen medaljet personave që gjatë periudhës 29.11.1944 deri më 31.03.1991 kanë ushtruar në strukturat e shtetit shqiptar funksionet si: anëtar ose kandidat i Byrosë së PPSH, drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, kryetar i degëve të Punëve të Brendshme, punonjësi i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, anëtar i komisionit Qendror etj./shqiptarja.com

Please follow and like us: