Serafina Demaku, 21 vjeçarja nga Kosova që garon për deputete në Austri
21 vjeçarja nga Kosova,Serafina Demaku është kandidate për deputete në Parlamentin e Austrisë. Demaku garon për deputete në kuadër të Partisë Socialiste të Austrisë, në zgjedhjet e parakoshme parlamentare që do të mbahen në këtë vend më 15 tetor.
Kush është Serafina Demaku?
Periskopi ka zhvilluar një bisedë me Serafina Demakun, e cila aktualisht është në vitin e tretë në studime, Fakultetin e Juridikit në Vjenë. Në bisedë me Periskopin,Demaku flet për angazhimin e saj të kahershëm në Partinë Socialiste dhe rrugën e saj politike si dhe për familjen dhe Kosovën. E lindur më 25 mars 1996 në Baden të Vjenës, Serafina Demaku angazhohet qysh e re në aktivitetet e Partisë Socialiste në Austri. Në vitin 2011, ajo angazhohet në Organizata joqeveritare për çështjen e migracionit. Në kuadër të organizatës ‘Menschen.leben’, ajo mban ligjërata për të rinjtë lidhur me çështjen e migrimit. Në vitin 2012, Demaku bëhet një nga studentet që fiton të drejtën për praktikë disamujore në Parlamentin austriak derisa një vit më vonë, më 2013, bëhet anëtare e Bordit të organizatës “Aktion Kritischer SchülerInnen”, e cila merrej me përkrahjen e nxënësve të cilët nuk arrinin rezultate të mira në mësim. Krahas aktiviteteve të saj të vazhdueshme në Partinë Socialiste, Demaku në vitin 2015 angazhohet për punë praktike edhe në Ambasadën e Kosovës në Vjenë. Nga viti 2015, Serafina Demaku nis edhe rrugëtimin më zyrtar politik në kuadër të Partisë Socialiste. Në vitin 2015, ajo hyn në udhëheqjen e Të Rinjve Socialistë të Austrisë ku deri në maj të vitit 2017, mban edhe pozitën e Sekretares së të Rinjve Socialistë të Austrisë. Pas një rrugëtimi disa vjeçar të aktiviteteve në kuadër të Partisë Socialiste,Demaku hyn në listën e kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Vjenës në zgjedhjet e parakohshme që Austria i ka shpallur të mbahen më 15 tetor. Ajo thotë për Periskopin se pret një përkrahje të madhe nga bashkëatdhetarët shqiptarë në Austri. “Të ankohesh nuk mjafton, duhet të jesh aktiv”, thotë Serafina.
“Kam qenë zëri i të rinjve dhe dua të kujdesem për ta. Ashtu si gjithë Evropa, edhe Austria përballet me çështje dhe probleme të ndryshme, kohën e fundit, që lidhen drejtpërdrejtë me çështjen e të huajve”, rrëfen ajo.