Albspirit

Media/News/Publishing

KLD prej 7 muajsh asnjë verifikim për gjyqtarët, zbardhen debatet me dyer të mbyllura

Gjyqtarët vijojnë të dëshmojnë çdo ditë se nuk e duan reformën në drejtësi. Ankimimet e bëra në Gjykatën Kushtetuese nuk janë të vetmet tentativa për të zvarritur vetingun, pasi me hije skandali është mbërthyer Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ish-kreu i saj, Bujar Nishani. Dje, KLD mbajti një mbledhje të posaçme dhe u vendos të ngrihet një grup pune që do të merret me zbatimin e të gjitha procedurave të vetingut, pasi KLD ka për detyrë të verifikojë të gjithë gjyqtarët sa i takon aftësive të tyre profesionale. Grupi që do të përbëhet nga Vangjel Kosta anëtar i KLD-së i zgjedhur nga Kuvendi, Gerd Hoxha dhe Neritan Cena nga Konferenca Gjyqësore dhe një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, do rakordojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë të përhershme lidhur me ecurinë e procesit dhe problematikat. Presidenti Ilir Meta, në emër të Këshillit, theksoi se KLD dhe Inspektorati i saj do të përmbushin të gjitha detyrimet që do i ngarkohen nga procesi i reformës në drejtësi. Edhe anëtarët shprehën një zëri vullnetin e KLD-së, për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet shqiptare dhe institucionet partnere ndërkombëtare, që kanë asistuar në procesin e reformës. Por ndryshe nga sa u deklarua aty, nuk ka ndodhur aspak kështu. Gazeta ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së datës 15.9.2017, ku u prezantua raporti i Inspektoratit të KLD për vetingun dhe u ngritën shqetësime se ky institucion është i paqartë mbi procedurat që duhet të ndiqen.

Detajet e mbledhjes

Ajo që bie në sy është se në atë mbledhje ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka zbardhur një skandal. Në janar të këtij viti, Gjykata Kushtetuese mori vendim pro vetingut dhe hapi rrugën e verifikimit për gjyqtarët e prokurorët. Por ndryshe nga 3 institucionet e tjera, DSIK, ILDKP dhe Prokuroria e Përgjithshme, KLD nuk ka bërë asnjë verifikim për gati 7 muaj. “I kuptoj këto detajet e dërgimit të shkresës edhe të veprimeve që ka kryer Inspektorati i Lartë i Drejtësisë por nuk arrij të kuptoj që çfarë e pengonte Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë t’i bënte këto veprime më përpara se të jepte sugjerimin Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti, për të normuar dhe për të nxjerrë këtë udhëzim lidhur me mënyrën se si duhet të kryhet ky proces paraprak.

Është e vërtetë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese parashikon që edhe ky proces mund të kryhet edhe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit, por nuk shikoj asnjë veprimtari apo proces të ndërmjetëm që nga 8 janari 2017 deri në këto ditët e fundit, ku vetë Inspektorati të ketë ndërmarrë disa veprime për ta kryer këtë proces paraprak”, ka thënë ministrja në mbledhje.

Ndaj ministres ka replikuar Gjin Gjoni, i cili ndryshe nga çfarë tregojnë veprimet e Unionit të Gjyqtarëve, ka thënë se ata gjatë gjithë kësaj kohe me të gjitha lëvizjet që kanë bërë, si synim kanë pasur të ndihmojnë procesin e vetingut. “Sa i përket këtij diskutimi është mirë që të gjejmë një zgjidhje por bazuar në këtë kuadër ligjor që ne kemi, bazuar në ligjin “Për rivlerësimin e magjistratëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kam frikë se zgjidhja që ne do gjejmë do jetë thjeshtë e një karakteri formal informues dhe jo zyrtar.

Unë ftoj gjithkënd këtu të më thotë një dispozitë ligjore që mund ta bazoj punën tonë Inspektorati për të hartuar dokumente të tilla. Më lejoni t’u risjell në vëmendjen tuaj një paragraf nga vendimi nr. 2 i Gjykatës Kushtetuese, edhe dua të theksoj këtë që vetë gjyqtarët, ata që kanë qenë të interesuar për të zhbllokuar procesin e vetingut”, ka thënë ai.

Please follow and like us: