Rektorati i Universitetit të Tiranës reagon për akreditimin: Nuk ka vendim zyrtar, i tejkalojmë standartet e cilësisë
Rektorati i Universitetit të Tiranës, ka reaguar lidhur me vendimin e Bordit të akreditimit në republikën e Shqipërisë, sipas një vlerësimi të të cilit ky universitet do akreditohej vetëm për një vit.
Sipas rektoratit që drejtohet nga Mynur Koni, lidhur me vlerësimet për akreditimin është njohur nga mediat pasi ende nuk ka dalë vendimi zyrtar nga ky bord.
Ndërkohë, rektori garanton se UT jo vetëm plotëson të gjitha standardet e cilësisë, por i tejkalon ato në të gjithë treguesit.
DEKLARATA E PLOTË
TIRANË 25.09.2017 – Universiteti i Tiranës është njohur këto ditë nga media se ka dalë një vendim akreditimi nga Bordi i Akreditimit i Republikës së Shqipërisë. Universiteti i Tiranës, si një institucion serioz dhe i përgjegjshëm, është në pritje të vendimit zyrtar nga ky bord dhe menjëherë Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, si organi kolegjial më i lartë akademik përgjegjës për përmbushjen e misionit të tij, do të dalë me një qëndrim mbi këtë situatë. Garantojmë, studentët, stafin dhe publikun që Universiteti i Tiranës është institucioni elitë në Shqipëri dhe në çdo rast, jo vetëm plotëson të gjitha standardet e cilësisë, por i tejkalon ato në të gjithë treguesit. Universiteti i Tiranës përpiqet çdo ditë, që studentët të marrin një diplomë sa më cilësore, jo vetëm për tregun tonë të brendshëm, gjë e cila është arritur tashmë, por për të konkuruar edhe në një treg rajonal dhe më tej.