Albspirit

Media/News/Publishing

Shënimet e një kurdi për shqiptarët: Skënderbeu, ky gjeni ushtarak

 

Referendumi i kurdëve në veri të Irakut ka joshur vëmendjen e mbarë botës për kauzën për mëvetësi të popullit më të madh në botë që ende nuk ka shtet të vetin. Kurreshtja e opinionit botëror për kurdët është në zenithin e saj: historia e një populli rrënjës dhe rezistenca e tij shekullore kundër pushtuesëve është një kronikë vërtetë mbresëlënëse, shkruan Konica.al. Të shumtë ishin ata që në shekullin nëntëmbëdhjetë bënin krahasime mes shqiptarëve dhe kurdëve, dy popuj autoktonë që jetonin në cepat më skajorë të Perandorisë Osmane. Në shkrimet e rilindasve përmenden ndonjëherë edhe kurdët, veçanarisht në studimet metikuloze të Sami Frashërit. Kësaj radhe për lexuesit e Konica.al kemi përzgjedhur shkrimin e një intelektuali kurd që u interesua veçanërisht për çështjen shqiptare në Perandorinë Osmane. Fjala është për İshak Sükûti, një intelektual kurd që militonte në rrethet e xhonturqve në Komitetin Bashkim dhe Përparim. Në artikullin e titulluar «Shqiptarët dhe kurdët» (Arnavudlar ve Kürdler), të botuar në gazetën Osmanli që dilte në Gjenevë, kurdi përpiqej të theksonte përbashkësitë e të dy popujve për kauzën e përbashkët (që sipas tij ishte konstitucionalizmi). Sipas tij, të dy kombet (millet, siç i quan) ishin dy pika mbështetëse për perandorinë, njëri në lindje e tjetri në kufirin perëndimor. Pena e Sükûti-t kridhet në historinë e moçme shqiptare, ku sipas fjalëve të tij, shqiptarët ishin një nga popujt më të vjetër të Evropës. Ai e rendiste edhe Lekën e Madh në panteonin e shqiptarëve të famshëm. Sipas fjalëve të tij, «midis popujve të pushtuar të Rumelisë» (Rumeli akvami maglubesi arasinda), shqiptarët ishin bashkuar me Skënderbeun, i shquar për «trimërinë e tij të natyrshme dhe aftësitë ushtarake». Në vazhdim, intelektuali kurd pranon se shqiptarët kanë hequr të zitë e ullirit për shkak të «mungesës së shkollave nëpër fshatra, në kaza dhe madje në qytete». Mungesa e arsimimit ka përftuar prapambeturinë e shoqërisë shqiptare. Megjithatë, autori kurd nuk duket se simpatizonte idenë e pavarësisë, kjo për shkak të rreshtimit të saj si xhonturk. Poende, ai bënte thirrje që shqiptarët t’i bashkonin forcat me Komitetin për Bashkim dhe Përparim për t’i bërë qëndresë serbëve, grekëve dhe italianëve.

 

Please follow and like us: