Gjyqtarë, prokurorë, noterë e avokatë i nënshtrohen provimit
Të gjithë ata që kanë përfunduar studimet për drejtësi e që punojnë apo duan të punojnë në administratën publike si juristë, do të duhet t’i nënshtrohen e të kalojnë provimin e shtetit.
Projektligji për provimin e shtetit për profesionin e juristit parashikon në nenin 3 të tij se personat që i nënshtrohen këtij provimi janë të gjithë ata që janë diplomuar në drejtësi me 300 Kredite, ose ndonjë sistem të barazvlefshëm me të.
“Pikërisht, kalimi me sukses i këtij provimi është parakusht që ata të pranohen në profesionet ligjore të gjyqtarit, prokurorit, avokatit, noterit, avokatit të shtetit, përmbaruesit gjyqësor shtetëror ose privat, si dhe karrierën profesionale në administratën publike qendrore dhe vendore të Republikës së Shqipërisë” shkruhet në relacionin e nismës. Nga ana tjetër, ligji nuk e kushtëzon kalimin e këtij provimi në rast se individi vendos të punësohet në sektorin privat.
Projektligjit, parashikon dispozitat e fundit që rregullojnë, se si do të zbatohet ky ligj. Për të garantuar një zbatim sa më efektiv të këtij ligji, është parashikuar se provimi i shtetit si kriter për profesionet ligjore do të fillojë të aplikohet nga data 1 korrik 2018.