Gerina Mullaj: Politika, femra që e shajnë të gjithë, kur nuk e kapin dot
Vjen i ftohti dhe bashkë me të vjen si gjarpërushe në prag të derës, ime shoqe në shtrat. Ka kohë që për të fshehur pasigurinë e vetëvendosjes zgjodha të bashkëjetoj me gruan time, politikën. Unë, bashkëshorti trim, kaloj si fantazëm përmes tempullit të ftohtë që shumëkush e quan demokraci, jam populli. Në këtë tempull i dhashë karar të bëj marrëzinë më të madhe në emër të dashurisë, martesën.
Kur pllakos i ftohti mund ta merrni me mend sesa shumë duhet zjarri në jetën e trishtë e kallkan të burrit, ndaj zgjodha mes alternativave të tjera që nuk ekzistonin politikën si zjarrin më të sigurtë e më të rrezikshëm njëherësh, të ngroh në largësi e të djeg kur i afrohesh. Në fund të fundit kështu janë gratë. Ne burrave nuk duhet të na tremb pamundësia për t’i futur në shtrat mbasi problemi fillon, pikërisht kur ato na futen në shtrat.
Vjeshta ka humorin e një gruaje në menopauzë me vetëdijen e dikujt që e di se periudha e pranverës ka mbaruar. Kur ajo kupton se nuk është më e bukur nervozohet dhe kërkon të mbajë gjallë bukurinë duke suvatuar lëkurën me kremra e silikone. Kështu bën edhe gruaja ime, është e shëmtuar, por tamam në shëmtinë e saj shfaqet bukuria e shkëlqimit, dukjes dhe markave të shtrenjta që ajo përdor. Unë e dua gjithsesi. Me gjithë vezullimin e krenarinë e saj të kotë, me gjithë boshllëkun, fodullëkun, mendjemadhësinë, me gjithë dredhërinë e një gruaje që më bën të besoj se drejtoj unë, por që në të vërtetë drejton ajo. Megjithatë, bukuria e saj e nxjerrë në pah me vështirësi dhe dëshira për t’u dukur më e mirë nga ç’është, i japin asaj arrogancën e pamerituar që ka një grua e kaluar moshe. Unë e lë të më bëjë për budalla, sidoqoftë për arsyen se nuk jam vërtetë aq budalla sa të mos e lë dhe s’jam as aq naiv sa të drejtoj një grua, prandaj le atë të besojë se më ka futur në shishe.
Politika është grua. Zgjohem e fle me të si rrallëherë, grindemi e bëjmë dashuri e ndonjëherë, kur e shaj, kuptoj që në atë sharje ka më shumë dashuri. Ka ndodhur siç mund të imagjinohet që e kam parë lakuriq, por nuk jam teveqel të lë gruan time, politikën, pa tesha, ndaj ia lejoj edhe teprinë, edhe luksin, se në fund të fundit e drejta e saj për t’u pasuruar vjen nga detyrimi im pë t’u varfëruar. Ka edhe një arsye tjetër, përse nuk e lë lakuriq: nuk e shoh dot; lakuriqësia mjafton për të përcaktuar shkakun e shtirjes time si naiv: shëmtia e saj e pandreqshme, lakuriqësia është më e shëmtuar se shkëlqimi i saj i shtirur. Inteligjenca ime nuk mjafton për të rrëfyer si u ndjeva, kur pashë ca si njolla në lëkurë, melanoma të mëkatit më thanë se quheshin. Ku marr vesh unë nga këto gjërat katolike, por di atë që ndodhi pas kësaj, shkova përnjëherë të merrja një nga ato peliçet serbe që bëhen me lëkurë kafshësh dhe vesha gruan, e stolisa, i dhashë edhe florinjtë që meriton çdo grua e shëmtuar, për shkak se është e jotja. Nuk u tremba më shumë nga melanoma sa u tremba nga fakti se ajo shenjë shëmtie ishte pjesa e saj më e vërtetë, se bukuria humbiste përmes llamburitjes së gënjeshtërt. Por, është më mirë të kesh një të vërtetë të shëmtuar sesa të mos kesh të vërtetë fare. Që të jesh grua duhet të jesh e metë dhe madhështore në të njëjtën kohë. Kur ankohem ndonjëherë për të, e ngre zërin si kaposh, bëj kot sa për t’u dukur pakëz popull-burrë. Të gjithë e duan. Herë-herë ndonjëri e shan, e quan kurvë, me inatin e një burri sedërlënduar që nuk e kap dot.
“Nëse nuk arrin dot diçka shaje!”. Kështu thotë rregullorja e burrit. Por ç’janë ata kokëbosha që kujtojnë se ajo hiqet si kurvë dhe e përdalë, në të vërtetë ajo nuk hiqet, ajo është e tillë. E çfarë pastaj, çdo grua ka djallushet e saj, është pak kuçkë, kur e pranon dhe është akoma më shumë, kur nuk e pranon. Ata që e shajnë, e duan më shumë. Ajo ndonjëherë më shkund e më tund, më pezmaton një herë në katër vjet, vë në dyshim besnikërinë time, megjithëse unë nuk e tradhëtoj, as atëhere kur ajo e meriton të tradhëtohet, as kur më trazon, as kur më le pa ngrënë, pa fjalë, pa shpresë, pa shtëpi, pa dashuri. E dua edhe kur m’i merr të gjitha. Unë jam populli dhe pavarësisht se s’marr vesh nga gjërat katolike, di se ç’është dashuria e vërtëtë. Është të duash edhe kur s’të duan, të duash pa kushte, të duash dhe të mos dish arsyen përse do, të duash si budallai.