Albspirit

Media/News/Publishing

Myftiu i Tiranës: Qarqe të caktuara nuk e pranojnë Skënderbeun

Ekstremizmi i dhunshëm është një ndër sfidat e reja që janë shfaqur edhe në Ballkan gjatë viteve të fundit dhe ai përbën kërcënim për sigurinë e vetë rajonit. Në një intervistë dhënë për “Zërin e Amerikës” në Uashington, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra tha se edhe Shqipëria rrezikohet nga ky fenomen.

“Komuniteti Musliman i Shqipërisë përmes 35 myftinive në të gjithë vendin po përpiqet, duke marrë parasysh edhe vetë tranzicionin që po kalojmë si shoqëri, që të ketë në mirëmenaxhim, në administrim dhe në përcjelljen e mesazhit hyjnor të paqes nëpër të gjithë këto objekte kulti, xhami në fshatra dhe në qytete. Po punojmë të ketë një mirëmenaxhim që synon uljen me këmbë në tokë në përcjelljen e këtij mesazhi në raport me vetë myslimanët dhe në raport me gjithë qytetarët e Shqipërisë, duke marrë parasysh kornizën ligjore, kornizën fetare dhe kornizën shoqërore” – tha Murra.

Gurra pranoi se ka rryma që nuk e pranojnë figurën e Skënderbeut.

“Ka edhe qarqe, individë dhe qarqe të caktuara, të cilët dëshirojnë që shqiptarët në këtë shekull të mos mund të bashkohen, ose të mos munden shqiptarët të bëhen ata që kanë qenë dhe që duhet të jemi. Shqiptarë ka në Republikën e Shqipërisë, shqiptarë ka edhe në Republikën e Maqedonisë, shqiptarë ka edhe në shtetin e Kosovës, shqiptarë ka edhe në Republikën e Malit të Zi, po ashtu ka edhe në Çamëri. Pra, një e drejtë sa hyjnore, sa historike aq edhe legjitime, që shqiptarët janë një komb që kanë për të sjellë përmes figurave të tyre kombëtare vetëm dhe vetëm të drejtën e lirisë dhe vetëm paqe” – tha Gurra.

Please follow and like us: