Albspirit

Media/News/Publishing

Lorisa YLLI: Dy fjalë për Rigertën, Lulin dhe rrugët!

 

 

Fjalimi i Rigertës vërtetë nuk ishte asgjë e re apo e padëgjuar por ishte i vërtetë. Ishte i vërtetë sepse mjafton të shkosh në fshatrat e Shqipërisë për të parë të vërtetat që tha Rigerta. Nëse Rigerta është me PS, LSI apo PD kjo nuk ka fare rëndësi dhe nuk i bën më pak të vërteta të vërtetat. Në kohën që fliste Rigerta dhe thoshte që rruga është jetë mu kujtuan fshatrat e pafundme gjatë fushatës, them të pafundme sepse Shqipëria e Mesme kishte dhe më shumë fshatra se ç’kisha menduar ndonjëherë. Të them mjerim është pak. Mjafton të kujtoj fshatin Kukur të qarkut të Elbasanit dhe të vërtetat e Rigertës përsëri duken pak. Një fshat aq pranë por që rrugës kuptova pse e kishte emrin Kukur sepse gjithë kohës pyeta veten “Ku dreqin është dhe Kur po arrimë”! Kur mbërritëm nuk iu përshkruaj dot mesjetën që gjetëm dhe sinjali i telefonit ishte lluks. Një katastrofë e vërtetë ku na bëri të mendonim që projekti i Berishës që Rama urrente aq shumë: rrugë, rrugë, rrugë ishte absolutisht e ardhmja dhe jeta. E pra sikurse Rigerta u shpreh rruga është jeta, PD gjatë mandatit të saj zgjodhi jetën dhe jo hashashin e sotëm.

Luli mund të kish zgjedhur dje t’ia perplaste shokut të tij Edi vrerin që hodhi me sulmin e tij për 8 vite Rrugë, Rrugë, Rrugë kur PD ishte në pushtet, por jo sepse e shkuara e PD e komplekson Lulin më shumë se e shkuara e PS. Ai zgjodhi të anatemonte Rigertën që kërkon shpresën e jetës me PS me LSI apo me PD kjo përbën pak interes për një kryetar opozite që duhet të flasë për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve sepse Rigerta për të kërkuar të jetojë jo domosdoshmërisht duhet të jetë brenda gardhit të Lulit.

Pse nuk krenohet dot Luli me rrugët që Berisha i kishte në program qeverisës apo me çdo sukses të atij 8-vjeçari?! Luli vetë ka qenë Ministër Transporti duhet t’i tregojë kësaj qeverie sukseset që ata kurrë nuk arritën gjatë këtyre 4 viteve me qesharaken rilindje urbane. Luli nuk krenohet dot me të djeshmen sepse e djeshmja i kujton çdo ditë paaftësine e sotme në PD ! Kompleksohet nga ajo qeveri sepse e di që ai vetë kurrë nuk do na sjellë në qeveri.

Ndaj sulmi ndaj Rigertës ishte sa qesharak aq dhe mediokër, mediokritet për të justifikuar komplekset që Luli ka me veten, mediokritet që kupton që dhe kur vë gardhin prap nuk ndjehesh rehat me veten. Lul ke probleme serioze, sigurisht që kjo do kishte pak interes për mua nëse unë apo shumë të tjerë s’do të shihnim aty pas 22 korrikut dhe sot rrimë studiojmë psikologjinë e natyrës njerëzore sidomos pas 17 majit. Më vjen keq për ata që dëgjuan një fjalim tëndin në parlament dhe u ngazëllyen se menduan që ti mund të ndryshosh gjatë rrugës por ti rrugën tënde e ke zgjedhur tashmë prej 4 vitesh dhe rruga jote nuk ka lidhje me PD sado të ta kërkojë Çim Peka apo Bledian Koka që shpresojnë herë pas here. Në fund të fundit ti mbase meriton rrespekt e them seriozisht, mbase dhe një bravo jashtë PD, sepse ti në fakt Lul nuk dole kurrë nga rruga që more përsipër, kurrë nuk tradhtove misionarët që nuk e deshën PD. Ne kërkojmë nga ty atë që ti kurrë se more përsipër gjatë këtyre 4 viteve, ndërkohë që ti thjesht i përmbahesh rrugëtimit tënd pa dyzime.

E si për ta mbyllur Lul nuk kisha menduar kurre së do thoja ndonjëherë që fajin e ka Saliu! Gjithmonë e kam thënë si batutë të Andrea Stefanit por jo Lul sa herë të shoh ty them fajin e ka Saliu.

Please follow and like us: