Albspirit

Media/News/Publishing

Harry Lena i shkruan kreministrit

Ka ca ditë që shtypi shqiptar më është vërsulur me shpifje nga më të ndyrat për një investim që unë po bëj në Këlcyrë. Akuza është që unë po marr ujin e burimeve që derdhen në Vjosë. Le të qetësohemi një minutë dhe ta marrim shtruar dhe unë tani ngre një pyetje e cila hedh poshtë gjithë pretendimet e tyre: Pse duhet të marr leje për të pirë ujë? Se fundja kështu shtrohet problemi! Nuk ka rëndësi që pastaj e fus në shishe dhe e shes. Se fundja ai ujë dëm po shkonte dhe derdhej në Vjosë, ku fshatarët pastaj hedhin qeset e plehrave. Por nga pikpamja filozofike, pse duhet të më pengoni të pi ujë?
Unë e di që juve ju kanë gënjyer sikur jam ortak me Argita Berishën. Kjo nuk është e vërtetë. Atëhere e hapa këtë fjalë që mos më ngacmonin banorët e zonës me letra anonime.
Tani dua të them dy fjalë më zemër në dorë. Unë dhe ti Pasha, jemi njësoj. Bojaxhi ti, bojaxhi unë. Tjetër punë se ty të eci fati dhe lyeje muret e Tiranës, ndërsa unë vetëm shtëpitë e gjirokastritëve.
Po të na e kishte prurë fati, do ishim njohur qysh në kohën kur unë çoja emigrantë klandestinë. Ti shkove në Francë, pa po të shkoje në Greqi, do kishe kaluar nga dora ime se s’bën. Sa kam nxjerrë unë shqiptarë në Greqi për një vit, nuk ka nxjerr Ministria e Emigracionit për dhjetë vjet.
Tani që t’i bie drejt e drejt unë, më lër ta ndërtoj atë depozitën. E gjitha kjo zhurmë erdhi se ata pisat e “dritare.net” shkruajtën të parët. Pastaj nga inati foli edhe Mero i ‘Temës’ se ka shtëpinë e babait nga kjo zonë dhe në fund këta të shoqërisë civile.
Po ti e di që këta nuk të prishin punë. As për fshatarët e zonës mos çaj kokë se nuk flasin. Këta shitën në Kosinë, eshtrat e gjyshërve për 50 mijë lek dhe mbushën varrezat e ushtarëve grekë.
Unë them ta mbyllim këtë punë bashkë me njeri-tjetrin me të mirë. Por nëqoftëse vazhdon të më biesh në qafë, do të ta bëj si Nerënxi e do ankohem në Greqi që më shkelni të drejtat si grek që jam. Dhe atëhere do më hapni rrugë me një këmbë si Çeçua.
Po e mbyll këtu me shpresë që do merremi vesh se e di që ti i ke pikë të dobët ata me para. E ndjej që nuk je zemëruar me mua, deri sa nise Klosin me Qaton për inspektim.
Po do të shtysh kohën duke prishur ndonjë objekt, të jap unë nja dy emra nga Këlcyra, se kanë rregulluar çatitë e stallave.

Please follow and like us: